Hyrje
Para do kohe e pashë një video të Atë John Bethancourt-it i cili po komentonte Lk 15,11-32[1]. Kjo është pjesa e tretë e këtij kapitulli që përmban edhe dy shëmbëlltyra tjera, shëmbëlltyrën e deles së humbur (Lk 15,3-7) si edhe të drahmës[2] së humbur (Lk 15,8-10). Një treshe shëmbëlltyrash më se përmbajtjesore të cilat tregojnë këndvështrime të ndryshme rreth Hyjit.
Nesë duam ta hiperbolizojmë pak, mund të themi se edhe sikur t’mos kishim asgjë prej Bibles, do të na mjaftonte vetëm kjo shëmbëlltyrë për të na treguar kush është Zoti[3] e kush është qenia njerëzore, natyra e parrizit dhe e ferrit, natyra e rënies së njeriut, natyra e pendimit dhe e natyra e shëlbimit të njeriut. Kjo shëmbëlltyrë na tregon të gjitha që kemi nevojë për të ditur (AJB).
Do të thoshim se ky është një koment i Jezusit rreth krijimit të njeriut dhe atyre ngjarjeve të para që ndodhin në rënien e njeriut dhe përjashtimin e tyre nga kopshti i Edenit. Poashtu edhe thirrja përsëri në kungim[4] me Zotin. Me pak fjalë një komentim i Jezusit rreth Zan 1-3. Një koment i Logosit rreth asaj që Logosi bëri kur tha me Atin e me Shpirtin, “le ta bëjmë njeriun në përngjasimin dhe shëmbëllimin tonë”. Komentimi i njeriut të krijuar si ikonë[5] – shëmbëllesë e Trinisë. Ne jemi ikona të gjalla të Hyjit, por prapëseprapë kemi ra në lugun e thive. Megjithatë shëlbimi ka të bëj me ripërtëritjen, restaurimin e ikonës hyjnore, dritës hyjnore, Hyjit në qenien njerëzore. Jezusi është ikona e përsosur e Atit. Nëse e keni parë Birin e keni parë Atin.
Prandaj Jezusi na e tregon këtë çoroditje të tmerrshme të njeriut – ikonë hyjnore, e pastaj të asaj çka Zoti ka bërë për shëlbimin tonë. (AJB).
Dashuria e atit për bijtë
Mandej vijoi: «Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha t’et: “Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë.13 Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.
14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen. 15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. 16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.
17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: “Sa mëditësve të tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.”
20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.
Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: “O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir…!”
22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: “Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë të mbathurat[6] në këmbë! 23 Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!”
E filluan të dëfrehen.
25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, 26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. 27 Ai iu përgjigj: “U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.” 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 Atëherë ai i tha t’et: “Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. 30 Por, kur të erdhi ky – djali yt – që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ 31 “Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet.”» (Lk 15,11)[7]
Shpalosje
Le të shohim tani disa veçori të tekstit dhe pastaj të shpalosim disa prej gjërave themelore që i hasim në tekst.
Vrojtime
Shëmbëlltyra, e cila në dukje nuk ka një zbatim të atypëratyshëm, hynë në vazhdën e tri shëmbëlltyrave të kapitullit me temën “gjëra të humbura e të gjetura”. Së pari delja, pastaj drahma, pastaj bijtë. Vlera e gjërave nga shëmbëlltyra në shëmbëlltyrë veçsa shkon e rritet, duke kaluar nga gjaja e gjallë tek pasuria e duke mbaruar tek pasuria më e madhe familja, marrëdhënia babë e birë, bredhje e marrëdhënies hyjnore. Sado të çmuara të jenë bagëtia apo monedhat e argjendta, për babën as që krahasohen me kthimin e birit.
Gjithçka merr shkas në kap. 15 të Lukës nga nynykatja e Farisenjve e Skribëve se pse Jezusi i pranon mëkatarët e pse hanë me ta. Në shëmbëlltyrën e atit të mëshirshëm do të gjejnë një përgjigje të dyja palët, të cilët mund ta shohin veten në bijtë, e ndoshta edhe ne mund ta gjejmë veten në ta.
Rreshti i parë i shëmbëlltyrës «Një njeri kishte dy djem» (v.11) na përgatit nyjëzimin e krejt tekstit. Gjatë leximit e shohim në pjesën e parë djalin e vogël në marrëdhënie me t’et (vv.11-24), ndërsa në pjesën e dytë djalin e madh në marrëdhënie me t’et (vv.25-32). Ati është figura që lidh dy pjesët e shëmbëlltyrës dhe i mbanë së bashku, do të thoshim ne i mbanë vëllezërit së bashku. Ndërsa figura n’shenjë është vëllai i vogël, rënia dhe kthimi i tij ose ndryshe vdekja dhe ngjallja e tij[8].
Komenti
Djali i vogël i thotë babës «ma jep pjesën e pasurisë që më takon!». Dikur njerëzit kanë jetu si familje të mëdha, e si të tilla idealja ishte me qenë së bashku dhe me qenë shumë, si rrjedhojë pasuria mbetej e përbashkët. Në një botë romake, në të cilën i ati shihet si zoti i sh’pisë dhe ai që vë ligjin me autoritet, Luka na e paraqet një babë krejt ndryshe, një babë të dashur e të mëshirshëm, që e merr parasysh dëshirën e djemve t’vet. Në këtë kërkesë të djalit vogël ne do të prisnim një kundërpërgjigje prej t’atit, por asgjë, heshtje.
I ati s’flet, por vepron. Jezusi thotë «ai ua ndau pasurinë». Tash, sipas traditës judaike në Palestinë kjo mund të bëhej ose me amanet, gq. diathēkē, që zbatohej pas vdekjes s’atit (shih Nm 36,7–9; 27,8–11) ose si dhuratë fëmijëve derisa i ati është ende gjallë, gq. dōrēma; lt. donatio inter vivos. Sa i përket të parës , duke qenë së kërkonte vdekjen e t’atit atëherë s’mund të jetë amanet, sepse ati është i gjallë. Duket që në shek. I pas. K. ishte e mundur ndarja e pasurisë babës sipas ligjit judaik derisa i ati është gjallë. Natyrisht biri i pasuruar me gjanë e babës do të duhej të kujdesej për prindërit. Megjithëse për këtë Siracidi i urtë (33,19–23) është rreptësisht kundër. Djali i vogël duke kërkuar pjesën që i takon, tregohet me pak ndjeshmëri birnore ndaj t’atit, edhe pse nuk ka bërë krim, dhe ligjërisht[9] asgjë s’e ndalon me kërku. Pse i vogli e ka marrë pasurinë, s’d.m.th. se e ka marrë edhe i madhi, të cilit do t’i takonte dyfishi sipas ligj (Lgjp 21,17)[10]. Në fakt e shohim më poshtë në shëmbëlltyrë se baba e përdorë lirshëm pasuninë kur t’i kthehet djali.
Në këtë kërkesë të birit hasim dy terminologji, i biri kërkon οὐσία – ousia ndërsa i ati i jep βίος – bios, të cilat nënkuptojnë të njëjtën gjë në kuptimin e zgjeruar të tyre, por nëse duam me tëhollu vërejmë disa veçori që ia vlen për t’i nënvizuar. Termi οὐσία, ας, ἡ nënkupton gjithçka që është, ekzistencën si të tillë, të qenurit. Si rrjedhojë edhe pasurinë dhe kamjen e dikujt[11]. Zoti gjithmonë ka dashtë me na dhanë të qenurit, vet ekzistencën e tij, qysh prej krijimit kur na ka kriju në shëmbëllesën e përngjasimin e vet, ikonë e tija. Megjithatë ati e vëren se i biri s’po kërkon të qenurit, por po kërkon veç pasuninë.
Mëkati, sot për sot, kuptohet veç si thyerje rregulloresh dhe ligji. Por në thelb mëkat është thyerje e marrëdhënies me Atin. Me një mënyrë, i themi si ky djaloshi, s’të dua ty, dua veç pasurinë tande. Ky ka qenë rreziku edhe në krijim, ke pas mundësinë me e dashtë krijimin pa Krijuesin. S’kam nevoj për ty Zot, sepse mund të kuptoj gjanat prej krijimit, …, s’kam nevojë për ty!
Prandaj ati kur e kupton se çka i biri po don, i jep prej pasunisë së vet. Termi i përdorur është βίος, ου, ὁ, që d.m.th. së pari ‘jetë’ në të gjitha dukjet dhe shfaqjet e saja, e dalluar nga ζωή, që nënkupton cilësinë e ekzistencës apo të qenurit. Sikur ndër shqiptarë, kur i pyt si je, thonë ‘gjallë’ βιόω, por jo tuj ‘jetu-shiju jetën’ ζάω. Zōē është jeta e lartësuar, shpirtërore, ndërsa bios është jeta e nënshtruar shprazjes, ligjit të dytë të termodinamikës. Si të ndahesh prej Zotit, që t’hash prej pemës dijes, do të mbarosh. Ati i thotë mund të kesh sa t’dush bios, por s’ka me të mbajte, prandaj si të mbarojnë gjanat për jetesë, do të mbarosh edhe ti. Ky është mëkati (AJB)[12].
I biri «mblodhi çka pati» na sugjeron se djali mblodh pasurinë e tundshme, e atë të patundshme e ktheu në para e të gjitha këto i bëri me nxitim për të ikur[13]. Tash djali i cili del me jetu i zoti i vetes, del në vend të huaj, «shkoi në dhe të largët». Kjo nga njëra anë na jep shenjat e para se po bëhet fjalë për një vend jo judaik, e më vonë do të bëhet e qartë se është një vend pagan edhe nga përmendja e thive se përnjëmend është ashtu[14].
Ky largim nga ati, do të thoshim ne largimi i njeriut nga Hyji pas mëkatit, pas fëlliqjes së ikonës hyjnore, nënkupton humbjen e parajsës, humbjen e jetës, humbjen e të qenurit, nënkupton vdekjen. Njeriu i ndarë nga burimi i jetës, nga Hyji, është i përcaktuar për shterim të ekzistencës së tij, herët a vonë. Kështu në fakt i ndodh djalit vogël, dalëngadalë fillon dhe shpërbëhet.
Në fillim «e shkapërderdhi pasurinë (οὐσία) e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh (ζῶν ἀσώτως – zōn asōtōs[15])». Asotos, pra duke jetuar në mënyrë jo shpëtuese, pa shpresë shpëtimi, si të ishte i pafe. Pasi shkapërderdhi gjithçka «u bë zi e madhe buke», një uri e papame në vend, saqë për jetesë iu desh të lidhej rrogëtarë thish tek një pagan. Përfundimi i djaloshit ma Zot ma keq, larg t’atit, në vend pagan, pa gjanat minimale për jetës, rrogëtarë i një pagani, duke ruajtur thitë, gjë kundër fesë judaike (Lev 11,7; Lgjp 14,8; shih. 1 Mak 1,47) , e as me ushqimin e thive s’guxonte me mbush barkun se askush nuk ia jepte. Lugu i thive është shenja e çoroditjes së njeriut pas ndarjes nga Zoti, shenjë e një rënia meteoridike dhe degradimi të dinjitetit sa s’ka ku shkon ma poshtë e ma zi. I lindur si biri i Zotit e me përfundu bosh e i uritur në lugun e thive. Njëherë që ke përfundu n’të, atëherë sa t’dush mundohu me rregullu e me e riorganizu lugun e thive, asnjëherë s’ke m’u ba rahat. Shumica e religjioneve vendosin ligje mbi ligje në mënyrë që jeta në lugun e thive të jetë më e qytetëruar, me e ba sadopak ma të ngjashme me parrizin, por më kot.
Pika e kthesës vjen veç kur e prek fundin. Veç atëherë mbushet mend, vjen n’vete (εἰς ἑαυτὸν δὲ ἐλθὼν ἔφη fj.fj. por duke ardhë në vete tha)[16]. Këtu e vërejmë se jo vetëm që ishte largë t’atit vet, por se ishte edhe larg vetes, s’ishte n’vete. Një përshkrim mahnitës i kryengritjes kundër Hyjit/atit i përshkruar ‘si çmenduri’, si ‘mos qenie në vete’ dhe fillimin e kthimin si ‘vetëdijesim’ për gjendjen dhe dinjitetin personal[17]. Edhe pse shprehimisht nuk thuhet që u pendua[18], megjithatë vërehen shenjat e para të kthimit. Falë faktorëve të jashtëm, ky e fillon dialogun e brendshëm të tij me vetveten, ku i kujtohen humbja e statusit, pasurisë, familjes dhe se edhe shërbërtorët e t’atit tij e kanë ma mirë se vetja e tij në këtë çast. Këtu fillon ndërrimi i kahjes së tregimit, ndërrimi i mendjes (μετάνοια – metanoia), e kujton, e ndjenë, e përjeton se kush ka qenë baba i vetë. Fillimin i pendimit është vetëdija se jam t’u mbet mangut në lavdinë e Zotit[19].
«Do të çohem» është veprimi kryesorë, fillimi i një sërë veprimesh të djalit që shënojnë ripërtëritjen dhe kthimin e tij prej bjerrjes. Ky veprim shënon edhe qëllimin dhe vullnetin e djaloshit për të rimarrë këtë projekt madhor e të vështirë të kthimit, duke bërë një rrëfimi të thellë e të vërtetë të mëkatit të tij. Folja vijuese ἁμαρτάνω – hamartanō d.t.th. “me ia huq, shmang a deviju”, e cila zakonisht gjendet e ndjekur nga σκοποῦ – skopou “shenjë, shenjestër” e ka marrë
domethënien e mëkatit në përkthimin e të LXX. Prandaj djaloshi e fillon kështu formulimin e rrëfimin e tij, «mëkatova kundër qiellit e teje», si të thuash me veprimin tim ia kam huq shënjestrës, kundrejt qiellit, që nënkupton Zotin, e kundër t’atit, veprime që nuk duhet parë si të ndara, por si një i vetëm[20]. Veprimi kundër atit vet ishte njëkohësisht kundër Zotit dhe dashurisë së tij. E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por vetëdashuria.
E bukura është se baba nuk e ka harru asnjëherë t’birin. Brenda tij e sheh ende bukurinë e parrizit, freskinë e atyre shëtitjeve që Adami i bënte me Zotin para rënies. Ende, përfundi fëlliqësisë së mëkatit, Zoti e vëren ikonën e vet. Njeriu e ka brenda vetës këtë mall për ato shëtitje me Hyjin. Kështu ndërsa djali po afrohej, baba e vëren që prej s’largut, lëshohet vrap drejt tij. Imagjinoni, një burrë në moshë duke vrapu drejt një biri që ia ka shkapërderdh pasurinë e ndoshta edhe marrë fytyrën botërisht, diçka e pazakontë e ndoshta e çuditshme për atë kulturë, por jo për Zotin. Zoti i pret, madje i kërkon secilin prej fëmijëve të tij[21]. I ati «u ngashërye»[22] e duke e marrë ngrykë nuk e lejon t’birin as të arsyetohet por ia heq turpin dhe ia kthen dinjitetin. «Sillni shpejt petkat më të mirat (πρώτη) e veshniani!». Ky mbiemër mund të kuptohet në pikëpamje kohore ‘të parin’ petk që i biri e ka pas. Mund të kuptohet në pikëpamjen cilësore ‘më të mirin, bukurin’ petk.
Nga ana ontologjike mund të kuptohet edhe kështu, kur Adami e Eva qenë krijuar në fillim, s’ishin tjetër pos baltë e Fryëm hyjnore. Ishin në kopsht të veshur me dritën e lavdisë hyjnore, ikonë e Hyjit, që bredhnin po të njëjtat rreze të shëmbëllesës Hyjit, të lavdisë së tij. Atë petkun e rrezatimit të lavdisë hyjnore, atë e humbën në rënie. Prandaj Adami e Eva e panë veten cullak, qenie të thjeshta kafshërore prej balte. Kjo është natyra e mëkatit, humbja e lavdisë së Hyjit. Prandaj ata e morën petkun e parë, përngjasimin e Krishtit, lavdinë hyjnore.
«Viniani unazën në dorë të mbathurat në këmbë!». Unaza s’është një dhuratë e çfarëdoshme, një dhuratë që i bëhet një mysafiri, por një shenjë autoriteti e pushteti. Faraoni Jozefit, kur e vendos si zëvendës të vetin mbi Egjipt ia vuri unazën në dorë (Zan 41,42). Fjala autoritet (ἐξουσία fj.fj. d.m.th. prej të qenurit) në këtë rast nënkupton bashkëndarjen e autoritetin të atit edhe djalit plëngprishës.
Poashtu, një mysafir i zmbath të mbathurat kur hynë në shtëpi. Njësoj edhe skllevërit s’kanë këpucë, por bijtë e bijat e mbretit i kanë, prandaj mund të shkojnë ku të duan, sepse janë të lirë. I ati nuk heziton për ta bashkëngjitur sërish t’birin në familje, me krejt autoritetin dhe lirinë e mëparshme.
«Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!». Pasi ati e pranon në shtëpi t’birin, Zoti e pranon në parajsë atë që kthehet, fillojnë festimet. Çdo marrëdhënie është flijuese. Çdo marrëdhënie kërkon që unë ta mohoj vetveten për tjetrin. Mëkati është jeta e shkëputur prej dhënësit të jetës. Kështu jeta është të njohësh gjithçka në marrëdhënie me Hyjin, si të mirat ashtu edhe të këqijat. Ne i shohim të këqijat, vuajtjet e dhimbjet si diçka që na tjetërson prej Zotit, por Krishti na tregon të kundërtën. Krishti e përjetoi vdekjen më të keqe si shenjë kungimi e bashkimi me Hyjin. Në mënyrë ikonike e vërejmë këtë në therjen e viçit të majmë dhe në festë, këtë kapërcim të vdekjes dhe festimin e ngjalljes[23]. Çdo histori e vërtetë, arketipike sikur kjo, ka një katastrofë që kthehet në eukatastrofë.
Deri tani djali i madh nuk u duk në skenë që nga fillimi i tregimit. Ky, i përpikët e i rregullt në mbajtjen e rregulloreve dhe urdhëresave, gjendej në fusha. Ndërsa kthehet prej fushe, dëgjon këngë e valle, prandaj e nvet një shërbëtorë se çka ndodhi. Në mënyrë përmbledhëse ky ia tregon ngjarjen. Festimi e gëzimi nxisin në djalin e madh zemërim. Edhe në këtë rasti i ati del flet me t’birin dhe i lutet, i përgjërohet, por ai s’e n’gon. Shpërthen me vrerë e zemrim kundër atit duke fol për t’vllanë si t’ishte i huaji «djali yt». Madje specifikon «e prishi pasurinë tënde me lavire». Prej fjalëve të tij dallohet se punon, shërben e i mbanë rregullat, por i mbanë si skllav (δουλεύω – douleuō), jo si bir e as si mëditës. Edhe pse për shumë kohë në praninë e atit, ende nuk ka arrit të hyjë në mendësinë e tij. Ndërsa i ati i drejtohet me të njëjtën dhembshuri, po parafrazoj: More bir! Po ti gjithmonë je me mua e krejt çka kam është e jotja. A s’mundesh me gjet nifije gëzim në zemër për vëllanë tand që na u kthye i gjallë! Sikur me dashtë m’i thanë: “Po, a do ta preferoje ma mirë të vdekur?!”[24].
Mbyllje
Kjo shëmbëlltyrë, është e vlefshme përherë edhe sot e kësaj dite. Na i tregon dinamikat familjare babë – bir, por na i tregon edhe dinamiken hyjore Zot – njeri. Zoti nuk dëshiron asnjëherë që të shkëputemi prej Tij, burimit të jetës, megjithatë nëse ne vendosim të shkëputemi dhe ta ndërprejmë marrëdhënien me të përmes mëkatit Ai na lë të lirë e nuk na shtrëngon kundër vullnetit tonë. Shëmbëlltyra na kujton se Zoti s’pran tu na dashtë dhe e dëshiron kthimin tonë. Nëse vendosim me lanë lugun e thive, kurdo dhe sa herë që të kthehemi na pret me gëzim e duarhapur për të na kthyer dinjitetin birnor.
Në fund shëmbëlltyra ka një përfundim të hapur. A hyri djali i madh apo jo? Mbetet një pyetje e hapur për ne. Nëse dëshirojmë me mbet jashtë, jo në praninë e Zotit, do të jetë ferr, nëse vendosim me hi brenda do të na duhet të hijmë brenda me dashuri, falënderim e gëzim. Me zemërim nuk do të mund të hyjmë brenda.
Le të jetë ky tekst arsye kthimi për ne, sepse mund të jesh i nënshtruar dhe i bindur ndaj çdo ligji, pikë për pikë, e prapëseprapë të shkosh në ferr, d.m.th. të mos jesh në kungim e bashkim me Hyjin.
Shënime
[1] Khs Atë John Bethancourt, The Bible Story The Devil Doesn’t Want You To Hear – The Prodigal Son https://www.youtube.com/watch?v=JN04LnmRfYs (qasur 30/12/2025, ora 14.00). Citimet i përmbledhur i Atë John Bethancourt (AJB).
[2] δραχμή, ῆς ἡ – drachmē, ēs hē – fj.fj. “aq sa mundet dikush me mbajtë n’dorë t’vet”. Monedhë greke, me peshë e vlerë që ka ndryshuar n’bazë të kohës, vendit dhe rrethanave shoqërore. Vlera për të blerë me të s’ishte e vogël. Mund të bleje një dele, ose një t’pesten e një kau ose një skllav për katër drahma. Shih William Arndt et al., A Greek-English Lexicon of the New Testament and Other Early Christian Literature (Chicago, 2000), 261. Shkurt BDAG.
[3] Nuk mendoj se është edhe aq i rëndësishëm fakti i numërimit në këto shëmbëlltyra. Poashtu edhe mos numërimi në shëmbëlltyrën e tretë, edhe pse thuhet se ishin dy djem, nuk më duket që është aq e rëndësishme siç e bën të jetë Amy-Jill Levine – Marc Zvi Brettler (eds.), The Jewish annotated New Testament. New Revised Standard Version Bible Translation (Oxford 22017) fq. 146. Në qendër janë Bariu, Gruaja dhe Ati si paraqitje e Hyjit.
[4] Me kungim nënkuptoj fjalë latine për communio.
[5] εἰκών, όνος, ἡ – eikōn, onos, hē – 1. Një send i formësuar t’i përngjajë formën apo duken e diçkaje, përngjasim, portret, p.sh. kryet e një perandori në monedhë. 2. Diçka që ka të njëjtën formë si diçka tjetër, jo një send i punuar si në rastin e mësipërm, shëmbëllesë e gjallë; 3. Diçka që përfaqëson diçka tjetër në kuptimin e formës apo vetive themelore, formë, duke. Shih BDAG 281-282.
[6} Emër prejfoljorë. Nga folja «mbath – në këmbë diçka (këpucë, çorape etj.) ose nga mesi e poshtë. Antonimi zbath». Shih J. Thomai e tjerë, Fjalori i gjuhës shqipe, (Tiranë 2006). Nuk është mire të stigmatizohet një fjalë për shkak të një keqkuptimi krahinorë.
[7] Shkrimi Shenjtë, Besëlidhja e vjetër dhe besëlidhja e re, përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, (Ferizaj 1994).
[8] Joel B. Green, The Gospel of Luke, (NICNT; Grand Rapids, MI, 1997), 578; Ortensio da Spinetoli, Luca. Il Vangelo dei poveri (Commenti e studi Biblici: Assisi 21986), 505-514.
[9] «Pjesa që më takon» – τὸ ἐπιβάλλον μέρος – është term ligjorë të cilin të gjithë atëkohë do ta kenë marrë vesh se për çka po bahet fjalë.
[10] Joseph A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes (AYB 28A; New Haven; London 2008), 1087; Shih François Bovon, Luke 2: A Commentary on the Gospel of Luke 9:51–19:27, ed. Helmut Koester, trans. Donald S. Deer, (Hermeneia; Minneapolis, MN, 2013), 424–425.
[11] οὐσία, ας, ἡ, BDAG 740.
[12] βίος, ου, ὁ, BDAG 176-177. Jetë, por edhe kohën e të qenit gjallë dhe aktivitet e jetës si edhe burimet që mundësojnë të qenit gjallë.
[13] Rreth συνάγω jo vetëm si folja me mbledhë, por edhe si këmbim në valutë monetare shih Plutarch Cato Min. 6.7 § 672c. Nxitimi shprehet me një litotë “mbas jo shumë ditësh”, dom Simoni e nxjerr si “mbas pak ditësh”.
[14] J. B. Green, The Gospel of Luke, 580; J. A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes, 1088.
[15] ἀσώτως, d.m.th. shpërdorim, plëngprishje. Fj.fj. përbërë nga ἀ-privative + σῴζω – pa shëlbim, pa shpëtim. Shih BDAG 148.
[16] Dom Simoni e përkthen “i erdhën mendtë” që është në rregull. Po ashtu e vlefshme mund të jetë përkthimi me u mbushë mend, ose me ardhë në vete, d.m.th. me u vetëdijësu për gjendjen ku ka përfundu.
[17] Shih Marvin Richardson Vincent, Word Studies in the New Testament, vol. 1 (New York, 1887), 387.
[18] A.-J. Levine – M. Z. Brettler, fq. 146. Këta cekin se nuk thuhet shprehimisht se “u kthye”, porse motivi i tij për kthim ishte dëshpërimi ekonomik, dëshpërim i ngjashëm me faraonin (Dal 10,16) i cili do vetëm që të përfundojnë shuplakat e Zotit.
[19] F. Bovon, Luke 2: A Commentary on the Gospel of Luke 9:51–19:27, 426–427; J. B. Green, The Gospel of Luke, 581; J. A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes, 1088–1089.
[20] F. Bovon, Luke 2: A Commentary on the Gospel of Luke 9:51–19:27, 427; J. A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes, 1089.
[21] J. B. Green, The Gospel of Luke, 582–583.
[22] Σπλαγχνίζομαι, BDAG, 938. Trgon ndjenjat më të thella, siç janë shprehjet popullore p.sh. të një nane “ma please barkun/zemren”. Dom Simoni e ka gjetur folje e përshtatshme në shqip “ngashër/éj fol.kal.; -éva, -ýer e bëj dikë të ketë dhembje shpirtërore a keqardhje të madhe, e prek thellë”, Fjalori i gjuhës shqipe.
[23] F. Bovon, Luke 2: A Commentary on the Gospel of Luke 9:51–19:27, 427–428; J. A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes, 1090.
[24] J. A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes, 1090–1092; F. Bovon, Luke 2: A Commentary on the Gospel of Luke 9:51–19:27, 428–430.
Bibliografi
Shkrimi Shenjtë, Besëlidhja e vjetër dhe besëlidhja e re, përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, (Ferizaj 1994).
Amy-Jill Levine – Marc Zvi Brettler (eds.), The Jewish annotated New Testament. New Revised Standard Version Bible Translation (Oxford 22017).
Atë John Bethancourt, The Bible Story The Devil Doesn’t Want You To Hear – The Prodigal Son https://www.youtube.com/watch?v=JN04LnmRfYs (qasur 30/12/2025, ora 14.00).
François Bovon, Luke 2: A Commentary on the Gospel of Luke 9:51–19:27, ed. Helmut Koester, trans. Donald S. Deer (Hermeia; Minneapolis, MN, 2013).
J. Thomai e tjerë, Fjalori i gjuhës shqipe, (Tiranë 2006).
Joel B. Green, The Gospel of Luke, (NICNT; Grand Rapids, MI, 1997).
Joseph A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes (AYB 28A; New Haven – London, 2008).
Joseph A. Fitzmyer S.J., The Gospel according to Luke X–XXIV: Introduction, Translation, and Notes (AYB 28A; New Haven; London 2008).
Marvin Richardson Vincent, Word Studies in the New Testament, vol. 1 (New York, 1887).
Ortensio da Spinetoli, Luca. Il Vangelo dei poveri (Commenti e studi Biblici: Assisi 21986).
William Arndt et al., A Greek-English Lexicon of the New Testament and Other Early Christian Literature (Chicago, 2000).

Don Kolë Dedaj
Dom Kolë Dedaj është meshtar i Dioqezës Prizren-Prishtinë që nga viti 2017. Misioni i tij baritor është shoqëruar me angazhim akademik: prej vitit 2020 shërben si profesor i Biblës në Shkollën Filozofike-Teologjike “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër, duke kontribuar në formimin intelektual e shpirtëror të studentëve. Në vitin 2023 është emëruar zëvendëskancelar i Dioqezës, ku merr pjesë në administrimin dhe koordinimin e jetës kishtare. Deri më tani ka ushtruar shërbimin e famullitarit në famullinë “Shën Gjergjit martir” në Budisalc, për të vazhduar më tutje si misionar në Luzern.

