Sokrati dhe e vërteta: pse njeriu që s’kishte pushtet u pa si rrezik?

E vërteta nuk rrezikon rendin sepse është agresive, por sepse është e pamëshirshme ndaj gënjeshtrës. Dhe aty ku nji shoqni nuk e duron këtë pamëshirë, ajo zgjedh gjithmonë të njëjtën rrugë, me heshtë ndërgjegjen dhe me dënu njeriun që pyet.

4 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Kur flitet për Sokratin, zakonisht përdoret nji gjuhë romantike si filozofi i urtë, martiri i mendimit, viktima e demokracisë athinase. Por këto etiketime, edhe pse jo të gabueme, janë të cekëta dhe relativizuese. Problemi i vërtetë i Sokratit nuk ishte se ai mendonte ndryshe, por se ai e trajtonte të vërtetën si instancë më të lartë se çdo rend shoqnor, ligjor, fetar apo kulturor. Kjo është arsyeja pse ai ishte i papranueshëm.

Nuk ishte revolucionar politik dhe as reformator shoqnor. Ai nuk propozoi ligje të reja, nuk kërkoi pushtet, nuk krijoi parti. Por ai bëri diçka shumë ma të rrezikshme, gja e cila sot mungon, i detyroi njerëzit me justifiku bindjet e tyne. Dhe kjo, në çdo shoqni, është akt destabilizues. Sepse shumica e bindjeve nuk mbështeten mbi të vërtetën, por mbi zakonin, interesin ose frikën.

Thelbi i metodës sokratike nuk ishte pyetja si teknikë retorike, por pyetja si instrument gjykimi racional. Kur Sokrati pyeste “çfarë është drejtësia?”, ai nuk kërkonte përkufizim fjalori. Ai kërkonte me zbulu nëse bashkëbiseduesi kishte nji koncept të arsyetueshëm apo vetëm nji fjalë bosh. Dhe aty shfaqej problemi, shumica flisnin për virtyt, drejtësi, dije, por nuk ishin të aftë me i mbrojt racionalisht këto nocione.

Këtu duhet me qenë i kjartë se Sokrati nuk e poshtëronte tjetrin për me u dukë superior. Ai e çmontonte bindjen e rreme për me i hapë rrugë ndërgjegjes. Prandaj pohimi i tij “di që nuk di” nuk është modesti naive, por pozicion epistemologjik. Ai nënkupton se njeriu që mendon se di pa arsye, asht ma i rrezikshëm se ai që pranon padijen e vet. Padija e vetëdijshme është fillimi i së vërtetës, padija arrogante është themeli i padrejtësisë.

Procesi kundër Sokratit nuk ishte konflikt mes fesë dhe arsyes, siç shpesh paraqitet. Ishte konflikt mes ndërgjegjes individuale dhe rendit kolektiv që nuk pranon me u vu në pikëpyetje. Akuza për “prishje të rinisë” në fakt tregonte frikën nga nji brez që nuk pranonte autoritetin vetëm pse ishte autoritet. Sokrati nuk i mësonte të rinjtë me mos respektu ligjin, por me mos e ngatërru ligjin me të vërtetën.

Vendimi i tij për mos me u arratisë është pika kulmore e mendimit sokratik. Ai nuk pranoi me shpëtu veten tu e relativizu të vërtetën. Kjo nuk ishte bindje verbale ndaj ligjit, por dëshmi se e vërteta nuk negociohet sipas interesit personal. Në atë moment, Sokrati e ktheu filozofinë nga diskurs në akt. Ai tregoi se mendimi nuk ka vlerë nëse nuk mbart pasoja.

Sot, në nji botë ku opinioni shitet si e vërtetë dhe shumica përdoret si argument, Sokrati mbetet figurë jashtëzakonisht aktuale. Jo sepse na jep përgjigje, por sepse na heq alibitë. Ai na detyron me pranu se shumë prej asaj që mbrojmë nuk e kemi mendu kurrë seriozisht. Dhe kjo është arsyeja pse Sokrati nuk përshtatet as sot në sistemet që jetojnë prej konformizmit.

E vërteta nuk rrezikon rendin sepse është agresive, por sepse është e pamëshirshme ndaj gënjeshtrës. Dhe aty ku nji shoqni nuk e duron këtë pamëshirë, ajo zgjedh gjithmonë të njëjtën rrugë, me heshtë ndërgjegjen dhe me dënu njeriun që pyet.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *