Dilema e Eutanazisë

13 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Ajo që dikur ishte një liri abstrakte, shndërrohet në një zgjedhje të tmerrshme. Shoqëria, duke i ofruar atij mundësinë për të ikur, në fakt po i thotë: ‘Ti nuk je më i dobishëm, por ne jemi mjaftueshëm humanë sa të të lejojmë të zhdukesh’. Ky nuk është akt i mëshirës, por një formë e hollë e dëbimit. Ne po e lëmë individin vetëm me vdekjen e tij, duke e maskuar braktisjen tonë si respekt për autonominë e tij. Prandaj, paradoksi i madh mbetet ky: Eutanazia nuk e zgjidh problemin e vuajtjes; ajo thjesht eliminon atë që vuan. Duke bërë këtë, ne nuk e kemi humanizuar vdekjen, por kemi dehumanizuar jetën, duke e matur atë vetëm me vlerën e saj funksionale. – Robert Spaemann Euthanasie – ein humaner Akt?

Eutanazia, që etimologjikisht rrjedh nga greqishtja eu-thanatos (vdekje e mirë), përfaqëson një nga dilemat më të thella të bioetikës bashkëkohore. Ajo nuk është thjesht një procedurë klinike, por një fushëbetejë ku përplasen dy pole ontologjike: autonomia absolute e individit (e drejta për të zotëruar fundin e vet) dhe shenjtëria e jetës (vlerësimi i jetës si një e mirë e patjetërsueshme). Dilema që shtrohet është ekzistenciale: A përfshin liria njerëzore të drejtën për asgjësimin e vetvetes? Dhe, a mundet mjekësia misioni i secilës është mbrojtja e jetës të shndërrohet në një instrument të vdekjes pa e humbur thelbin e saj moral?

Procesi dhe Taksonomia e Eutanazisë

Për të kuptuar peshën etike të këtij debati, është e domosdoshme të dallojmë format se si vdekja provokohet apo lejohet të ndodhë në mjedisin mjekësor:

  • Eutanazia Aktive: Ndodh kur mjeku ndërhyn drejtpërdrejt për të shkaktuar vdekjen (p.sh. përmes një injeksioni vdekjeprurës). Këtu vdekja është rezultat i një veprimi pozitiv.
  • Eutanazia Pasive: Ndodh kur ndërpriten ose nuk fillohen trajtimet që mbajnë pacientin në jetë. Në këtë rast, vdekja lejohet të ndodhë natyrshëm, duke mos penguar procesin biologjik të fundit të jetës.

Tensioni Filozofik: Utilitarizmi vs. Deontologjia

Tensioni kryesor në këtë diskurs buron nga përplasja mes utilitarizmit dhe deontologjisë, dy pikëpamje që ofrojnë lexime krejtësisht të ndryshme mbi vlerën e qenies. Sipas premisës utilitariste, veprimi përcaktohet nga dobia e tij në reduktimin e vuajtjes, e mira më e madhe për numrin më të madh të njerëzve. Jeremy Bentham, përfaqësues kryesor i kësaj shkolle, në veprën e tij “An Introduction to the Principles of Morals and Legislation”, shkruan:

“Natyra e ka vendosur njerëzimin nën qeverisjen e dy zotërinjve sovranë: dhimbjes dhe kënaqësisë. Është vetëm për ta që të tregojnë se çfarë duhet të bëjmë.”

Nga ky këndvështrim, nëse dhimbja tejkalon dobinë dhe perspektiva e mirëqenies është zhdukur, jeta pushon së qeni një “e mirë” dhe kthehet në barrë. Kësisoj, jeta trajtohet si një vlerë instrumentale.

Përballë utilitarizmit qëndron deontologjia kantiante, e cila argumenton se njeriu zotëron një dinjitet që nuk mund të tregtohet apo të peshohet me dhimbjen. Immanuel Kant, në “Groundwork for the Metaphysics of Morals”, formulon imperativin kategorik, i cili nuk është thjesht një rregull sjelljeje, por një përpjekje për të gjetur një bazë universale dhe të palëkundur në etikë:

Vepro vetëm sipas asaj maksime, të cilën do të dëshiroje të bëhej ligj universal.

Ndryshe nga imperativi hipotetik, i cili na tregon se çfarë duhet të bëjmë nëse duam të arrijmë qëllime të caktuara, imperativi kategorik na urdhëron në mënyrë absolute. Kanti kërkon që njeriu të mos trajtohet kurrë thjesht si mjet për të arritur një qëllim, por gjithmonë si një qëllim në vetvete. Së këndejmi, kjo qasje përbën antitezën e utilitarizmit instrumentalizimi i tjetritqoftë në punë, në marrëdhënie apo në procedura mjekësore është shkelje e ligjit moral, sepse mohon autonominë dhe subjektivitetin e qenies. Sipas Kantit, ne jemi të lirë vetëm kur i bindemi ligjit moral që vetë e kemi vendosur përmes arsyes, e kjo liri nuk mund të përdoret për asgjësimin e vetë subjektit racional.

Rrëshqitja drejt Aktion T4

Historia na paralajmëron se kur vdekja kthehet në një process administrativ, ajo humbet peshën e saj morale dhe shndërrohet në një mjet kontrolli social. Në shekullin XX, kjo rrëshqitje etike kulmoi me ideologjinë naziste dhe programin e njohur si Aktion T4. Termi “vdekje e mirë” u përdor me të njëjtën eufori për të prezantuar konceptin e Gnadentod (vdekje prej mëshire). Përmes kualifikimit të jetës si Lebensunwertes Leben (jetë e pavlerë për t’u jetuar), shteti totalitar e zhveshi qenien njerëzore nga shenjtëria e saj ontologjike, duke e kthyer vdekjen në një procedurë teknike për “pastrimin” e shoqërisë.

Qendra e Eutanazisë në Hartheim, ku u vranë mbi 18,000 njerëz

Nëse jeta vlerësohet vetëm nga dobia, atëherë sapo një individ bëhet “barrë” (ekonomike apo sociale), jeta e tij humbet legjitimitetin për të ekzistuar. Nazizmi e shndërroi cilësinë e jetës në një standard shtetëror: për ta, një person me aftësi të kufizuara nuk ishte më një person, por një “mish i pajetë” që konsumonte burimet e kombit pa dhënë asgjë në këmbim. Ky mbetet paralajmërimi më i madh i historisë: ndarja e mëshirës nga shenjtëria e jetës shndërrohet pashmangshmërisht në një mjet shfarosjeje.

Karl Brandt, mjeku personal i Hitlerit dhe organizator i Aktion T4

Qëndrimi i Kishës Katolike

Në kulmin e këtij errësimi moral, ku vdekja po kthehej në një proces industrial, nuk mungoi zëri i rezistencës nga Kisha Katolike, kësaj radhe përmes ipeshkvit Clemens von Galen. Gjatë predikimeve të tij historike të vitit 1941, ai denoncoi hapur vrasjet në kuadër të programit Aktion T4, duke i cilësuar ato si krim kundër njerëzimit dhe ligjit hyjnor. Galen shtroi një pyetje që trondi ndërgjegjen e kohës: nëse pranojmë se shteti ka të drejtë të vrasë anëtarët “jo-produktivë” të shoqërisë, kush prej nesh do të jetë i sigurt kur të preket nga pleqëria apo sëmundja?

I Lumi Clemens August von Galen (1878–1946) Kardinal i Kishës Katolike dhe Ipeshkëv i Münster-it. I njohur si “Luani i Münster-it” për qëndresën e tij heroike dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor kundër programit nazist të eutanazisë.

Kisha Katolike, në vazhdimësi të kësaj tradite mbrojtëse, ka shfaqur qëndrime të prera dhe të detajuara ndaj eutanazisë. Katekizmi i Kishës Katolike është i qartë në nenin 2277, ku thekson se:

…eutanazia e drejtpërdrejtë ka të bëjë me dhënien fund jetës së personave me aftësi të kufizuara, të sëmurë ose në prag të vdekjes. Ajo është moralisht e papranueshme. Kështu, një veprim ose lëshim që, vetvetiu ose qëllimisht, shkakton vdekjen me qëllim për t’i dhënë fund dhimbjes, përbën një vrasje në kundërshtim me dinjitetin e personit njerëzor dhe me respektin ndaj Hyjit të gjallë, Krijuesit të tij.”

Ky qëndrim nuk është i ngurtë apo i izoluar në kohë, por përfaqëson një zhvillim të vazhdueshëm doktrinar që u përgjigjet sfidave moderne përmes dokumenteve magjistrale. Në deklaratën Iura et Bona (Deklarata mbi Eutanazinë, 1980), Kisha këmbëngul se eutanazia është një krim kundër jetës dhe një shkelje e hapur e ligjit hyjnor. Më tej, dokumenti Samaritanus Bonus (Mbi kujdesin ndaj personave në fazat kritike të jetës, 2020) ripërsërit parimin se “incurabile non è mai inguaribile” (i pashërueshëm nuk do të thotë kurrë i pakujdesueshëm), duke dënuar shtetet që legalizojnë eutanazinë si përgjegjëse për një plagë në qytetërim.

Për t’i dhënë një kuptim shpirtëror vuajtjes, Kisha i referohet dokumenteve si Salvifici Doloris (1984), që trajton kuptimin e krishterë të dhimbjes, dhe Dignitas Personae (2008), që mbron dinjitetin bioetik të personit.

Më e rëndësishmja në këtë diskurs, pa e ulur peshën e shkrimeve të tjera, mbetet enciklika Evangelium Vitae e Shën Gjon Palit II. Kjo enciklikë e strukturon rezistencën profetike të Clemens von Galen në një kuadër të plotë teologjik dhe doktrinar. Përmes saj, jeta njerëzore nuk shihet si një pronë private mbi të cilën individi ushtron një autonomi arbitrare, por si një “donum” (dhuratë) e pacënueshme.

Shën Gjon Pali II, duke rikujtuar urdhërimin “Ti nuk do të vrasësh” (Dalja 20:13), na shpjegon se kjo nuk është thjesht një ndalesë juridike, por një detyrë ontologjike për të mbrojtur jetën si një reflektim të drejtpërdrejtë të arketipit hyjnor. Në këtë kontekst, njeriu nuk është zot absolut, por një “ministër i planit të Hyjit” ((lat. minister consilii divini: në gjuhën teologjike dhe filozofike, fjala “ministër” nuk ka kuptimin politik që përdorim sot, por rrjedh nga latinishtja (ministrare – shërbej)). Së këndejmi, çdo tentativë e njeriut për të uzurpuar fundin e jetës shfaqet si një mohim i dinjitetit më të lartë njerëzor, dinjitet që nuk buron nga “cilësia” biologjike apo produktiviteti i jetës, por nga vetë origjina e saj krijuese.

Së fundmi, Papa Françesku, përmes termit “Kultura e mbetjeve”, e trajton eutanazinë si pjesë të një shoqërie që “hedh poshtë” njerëzit që nuk prodhojnë më.

Përmes këtyre qëndrimeve, Kisha insiston se dinjiteti njerëzor është tërësisht i pavarur nga produktiviteti. Refuzimi i eutanazisë nga Kisha shërben kështu si një mburojë që mbron personin nga rreziku i shndërrimit në një “mbetje” të thjeshtë të shoqërisë utilitariste.

Sot, eutanazia nuk është më thjesht një dilemë mjekësore, por një test për demokracitë tona. Pyetja që mbetet nuk është vetëm ‘a kemi të drejtë të vdesim’, por ‘çfarë shoqërie po ndërtojmë kur vdekja bëhet një shërbim publik i rregulluar me ligj? Më poshtë gjeni listen e shteteve që kanë legalizuar eutanazinë ndër vite:

ShtetiViti i LegalizimitShënime të rëndësishme
Holanda2002Pionieri i parë; lejon edhe “duo-eutanazinë” (për çiftet).
Belgjika2002Ligji më liberal; nuk ka kufi moshe për fëmijët (në kushte terminale).
Luksemburgu2009Vetëm për të rriturit me sëmundje të pashërueshme.
Kolumbia2014/2015Shteti i parë në Amerikën Latine (përmes Gjykatës Kushtetuese).
Kanada2016Zgjeroi ligjin (MAID) në 2021; debati për sëmundjet mendore është shtyrë për 2027.
Spanja2021Përfshin vuajtjen e rëndë kronike, jo vetëm fazat terminale.
Zelanda e Re2021Miratuar me referendum popullor.
Portugalia2023Pas disa vitesh përplasje mes Parlamentit dhe Presidentit.
Ekuadori2024Legalizuar rishtazi përmes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Sllovenia2025Miratuar së fundmi në parlament pas një referendumi konsultativ.

Zvicra dhe Austria lejojnë vetëvrasjen e asistuar, por jo eutanazinë aktive (mjeku nuk mund ta injektojë vetë dozën).

“Nëse dinjiteti i njeriut varet nga autonomia e tij, çfarë mbetet nga dinjiteti ynë në çastet kur jemi plotësisht të varur nga tjetri?”


Shënim: Disa nga enciklikat e cituara në artikujt e Via Veritatis, tani i gjeni të përkthyera shqip në formatin PDF në rubriken: “Bibliotheca” 🙂

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *