Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë po bëhet gati të presë sërish një nga figurat më emblematike të historisë moderne të Kishës dhe popullit shqiptar, Kardinalin Ernest Simoni.
Më 8 prill 2026, në orën 19:00, Ipeshkvia Prizren-Prishtinë ka njoftuar se do të organizojë një koncert solemn në nderim të tij, duke shënuar kështu edhe një ngjarje të rrallë: 70-vjetorin e shugurimit të tij si meshtar.
Lajmi kryesor i kësaj mbrëmjeje mbetet prania fizike e vetë Kardinalit, të cilin Papa Françesku e ka cilësuar publikisht si një “martir të gjallë“. Gjatë një audience të përgjithshme në Vatikan, Ati i Shenjtë la mënjanë fjalimin e përgatitur për t’i bërë një përshëndetje të veçantë Simonit, duke kujtuar se ai i mbijetoi 28 viteve burgim dhe punë të detyruar nën regjimin komunist në Shqipëri, të cilin Papa e përshkroi si “ndoshta persekutimin më mizor” të llojit të tij.
Historia e Kardinal Simonit është një dëshmi e pathyeshmërisë së ndërgjegjes. I lindur në Troshan në vitin 1928, ai nisi studimet françeskane që në moshën 10-vjeçare, por ëndrra e tij u ndërpre dhunshëm në vitin 1948 kur kuvendi u bastis dhe bashkëvëllezërit e tij u pushkatuan.
Megjithatë, ai i vazhdoi studimet teologjike në fshehtësi dhe u shugurua meshtar në vitin 1956. Arrestimi i tij erdhi në natën e Krishtlindjes së vitit 1963, fill pas meshës, me akuzën absurde të “agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit”, pasi kishte guxuar të lutej për shpirtin e Presidentit amerikan John F. Kennedy.
Për gati tre dekada, Simoni u përball me tortura, punë të rëndë në minierat e Spaçit dhe kanalet e ujërave të zeza, por kurrë nuk hoqi dorë nga misioni i tij. Ai kremtonte meshën në fshehtësi nga kujtesa, duke përdorur thërrime buke e lëng rrushi të shtrydhur me dorë, ndërsa gardianët besonin se ai thjesht po mërmëriste marrëzira në latinisht.
Ky qëndrim heroik e përloti Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2014, moment i cili u bë shkak që Ati i Shenjtë ta emëronte atë Kardinal, duke thënë: “Të dëgjosh një martir të flasë për martirizimin e vet, është e fuqishme”.
Sot, në moshën 97-vjeçare, Kardinali Simoni rikthehet në Prishtinë jo vetëm si simbol i asaj epoke të errët, por si njeri i faljes. Pas lirimit, ai nuk kërkoi hakmarrje, por u fokusua te pajtimi dhe paqja. Për publikun në Kosovë, kjo ngjarje nuk është thjesht një koncert artistik, por një mundësi e rrallë për të parë nga afër njeriun që bekoi Katedralen e tyre në vitin 2017 dhe që i mbijetoi errësirës me forcën e dritës shpirtërore.
Hyrja për këtë ngjarje do të jetë falas, duke ftuar të gjithë qytetarët të ndajnë këtë moment të veçantë njerëzor dhe historik.











