“I papranueshëm”: Papa Leoni XIV dënon kërcënimet ndaj Iranit, Trump shpall armëpushimin

3 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, me datën 7 prill në Castel Gandolfo, Leoni XIV ka bërë një deklaratë të fuqishme kundër përshkallëzimit të dhunës në Lindjen e Mesme, duke u fokusuar te kërcënimet e fundit të presidentit amerikan Trump ndaj popullit iranian.

Ky kërcënim i një populli të tërë për Leonin XIV është “i papranueshëm“, duke theksuar se, ndonëse ekzistojnë korniza të ligjit ndërkombëtar, thelbi i çështjes mbetet etik. Kështu deklaroi ai:

Sot, siç e dimë të gjithë, ka pasur edhe këtë kërcënim kundër të gjithë popullit të Iranit. Dhe kjo është vërtet e papranueshme! Ka sigurisht çështje të ligjit ndërkombëtar këtu, por edhe më shumë, është një pyetje morale që privon të mirën e popullit si një i tërë, në tërësinë e tij.

Kjo e bën të qartë se fati i një kombi të tërë nuk duhet e as nuk mundet të jetë peng i llogaritjeve gjeopolitike, pasi që bonum commune është e pandashme.

Gjatë deklaratës së tij, ai poashtu vuri theksin te pasojat shkatërruese të luftës së vazhdueshme, duke u bërë thirrje palëve të kujtojnë të pafajshmit, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët:

Le të kujtojmë, veçanërisht, të pafajshmit: fëmijët, të moshuarit, të sëmurët, aq shumë njerëz që tashmë janë bërë, ose do të bëhen, viktima të kësaj lufte të vazhdueshme.

Sipas Papës, zgjidhja e vetme mbetet dialogu paqësor: “Kthehuni në tryezë. Le të flasim. Le të kërkojmë zgjidhje në mënyrë paqësore.“

Në mbyllje të deklaratës së tij, Ati i Shenjtë kërkoi përfshirjen aktive të qytetarëve nga të gjitha vendet e përfshira në konflikt, duke inkurajuar njerëzit që t’u bëjnë presion udhëheqësve të tyre politikë për të refuzuar dhunën.

“I ftoj qytetarët e të gjitha vendeve të përfshira të kontaktojnë autoritetet – udhëheqësit politikë, anëtarët e kongresit – për t’u kërkuar atyre, për t’u thënë atyre, të punojnë për paqen dhe të refuzojnë luftën dhe dhunën,” përfundoi Papa Leon XIV.

Kjo deklaratë vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, ku Selia e Shenjtë po rrit gjithnjë e më shumë presionin diplomatik për të shmangur një konflikt të shkallës së gjerë në rajon.

Ndërkaq, mëngjesin e sotëm, administrata e Presidentit Trump ka njoftuar arritjen e armëpushimit të përkohshëm dyjavor me Iranin, duke pezulluar kërcënimet për ndërhyrje ushtarake që kishin alarmuar bashkësinë ndërkombëtare.

Ky vendim për armëpushim hap një shteg për bisedime, ashtu siç edhe theksoi Papa Leoni dje para gazetarëve.

Ndonëse armëpushimi është i kufizuar në kohë, ai shihet si një fitore e përkohshme e arsyes mbi format e dhunshme të pushtetit, duke u dhënë frymëmarrje miliona civilëve që, sipas fjalëve të Papës, janë “viktima të kësaj lufte të vazhdueshme“.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *