Në këto Pashkë të para të papatit të tij, sjellim për lexuesit tanë mesazhin e parë “Urbi et Orbi” të Papës Leon XIV, mbajtur nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit.
Përtej dimensionit rreptësisht teologjik të Ngjalljes, ky mesazh shpërfaq një analizë të mprehtë etike mbi “globalizimin e indiferencës”. Një apel i fuqishëm për lënien e armëve dhe rikthimin te forca jo të dhunshme të dialogut, ky mesazh na kujton se paqja e vërtetë nuk vjen nga dominimi, por nga transformimi i zemrës njerëzore.
MESAZHI “URBI ET ORBI” I SHENJTËRISË SË TIJ PAPA LEONI XIV PASHKËT 2026
Lozha Qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit E diel, 5 prill 2026
Vëllezër e motra, Krishti u ngjall! Për shumë mot Pashkët!
Prej shekujsh, Kisha këndon me gëzim ngjarjen që është zanafilla dhe themeli i fesë së saj: “Po, Krishti, shpresa ime, u ngjall / Krishti vërtet u ngjall prej së vdekurish / Ki mëshirë, o Mbret ngadhënjyes, që mbretëron përjetë” (Sekuenca e Pashkëve).
Pashkët janë fitorja e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen. Është një fitore që erdhi me një çmim shumë të lartë: Krishti, Biri i Hyjit të gjallë (krh. Mt 16, 16), duhej të vdiste — dhe të vdiste mbi një kryq – pasi pësoi një dënim të padrejtë, pasi u përqesh e u torturua, dhe pasi derdhi tërë gjakun e Tij. Si Qengji i vërtetë i flijuar, Ai mori mbi vete mëkatin e botës (krh. Gjn 1, 29; 1 Pjet 1, 18–19) dhe kështu na liroi të gjithëve – dhe bashkë me ne, mbarë krijimin – nga sundimi i së keqes.
Por, si arriti Jezusi të ngadhënjente? Cila është forca me të cilën Ai mposhti një herë e përgjithmonë kundërshtarin e lashtë, princin e kësaj bote (krh. Gjn 12, 31)? Cila është fuqia me të cilën Ai u ngjall prej së vdekurish, duke mos u kthyer në jetën e mëparshme, por duke hyrë në jetën e amshuar dhe duke hapur kështu në mishin e Tij kalimin nga kjo botë tek Ati?
Kjo forcë, kjo fuqi, është Vetë Hyji, sepse Ai është Dashuria që krijon dhe gjeneron, Dashuria që është besnike deri në fund dhe Dashuria që fal e shpërblen.
Krishti, “Mbreti ynë ngadhënjyes”, luftoi dhe e fitoi betejën e Tij përmes dorëzimit plot besim në vullnetin e Atit, në planin e Tij të shpëtimit (krh. Mt 26, 42). Kështu, Ai e ndjeki shtegun e dialogut deri në fund, jo me fjalë, por me vepra: për të na gjetur ne që ishim të humbur, Ai u bë mish; për të na liruar ne që ishim skllevër, Ai u bë skllav; për të na dhënë jetë ne vdekatarëve, Ai lejoi që ta vritnin mbi kryq.
Fuqia me të cilën Krishti u ngjall është tërësisht jo e dhunshme. Ajo është si ajo e kokrrës së grurit, e cila, pasi kalbet në tokë, rritet, depërton përmes dherishteve, mbin dhe bëhet një kallëz e artë gruri. Është edhe më shumë si ajo e një zemre njerëzore, e cila, e lënduar nga një fyerje, refuzon instinktin e hakmarrjes dhe, e mbushur me dhembshuri, lutet për atë që e ka fyer.
Vëllezër e motra, kjo është forca e vërtetë që i sjell paqe njerëzimit, sepse ajo nxit marrëdhënie respekti në çdo nivel: midis individëve, familjeve, grupeve shoqërore dhe kombeve. Ajo nuk kërkon interesa private, por të mirën e përbashkët; ajo nuk kërkon të imponojë planin e vet, por të ndihmojë në hartimin dhe realizimin e një plani së bashku me të tjerët.
Po, ngjallja e Krishtit është fillimi i një njerëzimi të ri; është hyrja në tokën e vërtetë të premtuar, ku mbretëron drejtësia, liria dhe paqja, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin si vëllezër e motra, fëmijë të të njëjtit Atë që është Dashuri, Jetë dhe Dritë.
Vëllezër e motra, përmes ngjalljes së Tij, Zoti na vë edhe më fuqishëm përballë realitetit dramatik të lirisë sonë. Përpara varrit të zbrazët, ne mund të mbushemi me shpresë dhe mrekulli, si apostujt, ose me frikë si rojet dhe farisenjtë, të detyruar t’u drejtohen gënjeshtrave dhe dredhive në vend që të pranojnë se Ai që ishte dënuar është vërtet i ngjallur (krh. Mt 28, 11–15)!
Në dritën e Pashkëve, le ta lejojmë veten të mrekullohemi nga Krishti! Le t’i lejojmë zemrat tona të transformohen nga dashuria e Tij e pakufishme për ne! Ata që kanë armë, t’i ulin ato! Ata që kanë pushtetin për të shpërthyer luftëra, të zgjedhin paqen! Jo një paqe të imponuar me forcë, por përmes dialogut! Jo me dëshirën për të dominuar të tjerët, por për t’u takuar me ta!
Po mësohemi me dhunën, po dorëzohemi para saj dhe po bëhemi indiferentë. Indiferentë ndaj vdekjes së mijëra njerëzve. Indiferentë ndaj pasojave të urrejtjes dhe ndarjes që mbjellin konfliktet. Indiferentë ndaj pasojave ekonomike dhe sociale që ato prodhojnë, të cilat i ndiejmë të gjithë. Ekziston një “globalizim i indiferencës” gjithnjë e në rritje, për të huazuar një shprehje të dashur për Papën Françesku, i cili një vit më parë nga kjo loggia i drejtoi fjalët e tij të fundit botës, duke na kujtuar: “Çfarë etje e madhe për vdekje, për vrasje, dëshmojmë çdo ditë në konfliktet e shumta që tërbohen në pjesë të ndryshme të botës!” (Mesazhi Urbi et Orbi, 20 prill 2025).
Kryqi i Krishtit na kujton gjithmonë vuajtjen dhe dhimbjen që rrethojnë vdekjen dhe agoninë që ajo mbart. Të gjithë kemi frikë nga vdekja, dhe nga frika ne largohemi, duke preferuar të mos shohim. Nuk mund të vazhdojmë të jemi indiferentë! Dhe nuk mund të dorëzohemi para së keqes! Shën Agustini mëson: “Nëse i trembesh vdekjes, dashuro ngjalljen!” (Predikimi 124, 4). Le ta dashurojmë edhe ne ngjalljen, e cila na kujton se e keqja nuk është fjala e fundit, sepse ajo është mposhtur nga i Ngjalluri.
Ai kaloi përmes vdekjes për të na dhënë jetën dhe paqen: “Paqen po jua lë, paqen time po jua jap. Jo siç e jep bota, po jua jap unë juve” (Gjn 14, 27). Paqja që na jep Jezusi nuk është thjesht heshtja e armëve, por paqja që prek dhe transformon zemrën e secilit prej nesh! Le ta lejojmë veten të transformohemi nga paqja e Krishtit! Le ta bëjmë të dëgjohet thirrja për paqe që buron nga zemrat tona! Për këtë arsye, i ftoj të gjithë të bashkohen me mua në një vigjilje lutjeje për paqen që do të kremtojmë këtu në Bazilikën e Shën Pjetrit të shtunën e ardhshme, më 11 prill.
Në këtë ditë kremtimi, le të braktisim çdo dëshirë për konflikt, dominim dhe pushtet, dhe t’i përgjërohemi Zotit që t’i japë paqen e Tij një bote të rrënuar nga luftërat dhe të shënuar nga një urrejtje e indiferencë që na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm përballë së keqes. Zotit po ia besojmë të gjitha zemrat që vuajnë dhe presin paqen e vërtetë që vetëm Ai mund ta japë. Le t’i besojmë Atij dhe t’ia hapim zemrat tona Atij! Ai është i vetmi që i bën të gjitha gjërat të reja (krh. Zb 21, 5).
Për shumë mot Pashkët!






