Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.
Bashkëndaje
Sipas sondazheve të fundit në SHBA, vërehet një rritje e ndjeshme e përkrahjes së amerikanëve për Papa Leonin XIV. Ai gëzon një vlerësim pozitiv prej +38, duke kaluar tashmë çdo lider aktual politik. Përveç të tjerash, popullariteti i tij shtrihet përtej partive, duke siguruar mbështetje si nga republikanët, ashtu edhe nga demokratët katolikë.
Kjo rritje vjen si pasojë e qëndrueshmërisë së tij përballë politikave aktuale globale, veçanërisht atyre të administratës Trump. Leoni XIV shihet si një “avokat i paqes”, i cili bën thirrje të pandërprerë për dialog dhe ndalimin e luftërave. Në një botë ku jeta njerëzore po zhvlerësohet dita-ditës, për një katolik (dhe jo vetëm), mbrojtja e dinjitetit njerëzor mbetet parimi kryesor ontologjik prej të cilit duhet nisur çdo veprim.
Deklarata e mbrëmshme e Presidentit Trump ndaj Papa Leonit XIV, përveçse ishte e dhunshme dhe agresive, rezultoi absurde në vetvete. Kjo qasje është mishërimi i asaj që filozofi Arthur Schopenhauer, në veprën e tij “Eristische Dialektik” (Arti i të pasurit gjithmonë të drejtë), e quan Argumentum ad personam. Sipas Schopenhauer-it, kur kundërshtari është intelektualisht superior dhe ti nuk mund ta fitosh debatin përmes logjikës, duhet ta kthesh atë në sulm personal dhe fyerje të vrazhda.
Përkthimi: Papa Leoni është i DOBËT ndaj krimit dhe i tmerrshëm për politikën e jashtme. Unë nuk dua një Papë që mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore. Nuk dua një Papë që mendon se është tmerrshme që Amerika sulmoi Venezuelën, një vend që po dërgonte sasi masive drogash në Shtetet e Bashkuara dhe, madje edhe më keq, po zbrazte burgjet e tyre, duke përfshirë vrasës dhe trafikantë droge, në vendin tonë. Dhe unë nuk dua një Papë që kritikon Presidentin e Shteteve të Bashkuara, sepse unë po bëj saktësisht atë për të cilën u zgjodha, me një FITORE PLEBISHITARE: vendosjen e rekordeve më të ulëta të krimit dhe krijimin e bursës më të madhe në histori. Leoni duhet të jetë mirënjohës sepse, siç e dinë të gjithë, ai ishte një surprizë tronditëse. Ai nuk ishte në asnjë listë për t’u bërë Papë dhe u vendos aty nga Kisha vetëm sepse ishte amerikan, pasi menduan se kjo do të ishte mënyra më e mirë për t’u përballur me Presidentin Donald J. Trump. Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leoni nuk do të ishte në Vatikan. Më pëlqen vëllai i tij Louis shumë më tepër sesa ai, sepse Louis është plotësisht MAGA. Ai e kupton, ndërsa Leoni jo! Për fat të keq, dobësia e Leonit ndaj krimit dhe armëve bërthamore nuk më pëlqen, as fakti që ai takohet me simpatizantë të Obamës si David Axelrod, një HUMBËS i së majtës, i cili është një nga ata që donte që besimtarët dhe klerikët të arrestoheshin [gjatë pandemisë]. Leoni duhet të mbledhë veten si Papë, të përdorë sensin e shëndoshë, të ndalojë së ushqyeri të Majtën Radikale dhe të fokusohet në të qenit një Papë i Madh, jo një politikan. Kjo po e dëmton atë shumë dhe, më e rëndësishmja, po dëmton Kishën Katolike!
Duke mos pasur një përgjigje morale ndaj thirrjeve të Papës për paqe, Trump zgjedh të sulmojë direkt personin, duke përfshirë familjarët dhe procesin e tij zgjedhor. Kjo dëshmon se pushteti politik ndihet i mposhtur përballë një autoriteti moral që nuk pranon të negociojë parimet e tij.
Më tej, pohimi i Trump se “nuk dua një Papë i cili kundërshton Presidentin e Amerikës” është teologjikisht dhe historikisht i paqëndrueshëm. Papa nuk është një “aset” i një administrate të caktuar; ideja e një Pape nacionalist bie në kundërshtim me vetë natyrën universale (Katholikos) të Kishës Katolike, e cila i tejkalon kufijtë kombëtarë dhe ciklet elektorale katër-vjeçare. Siç do të thoshte Hannah Arendt, në momentin që autoriteti moral i nënshtrohet pushtetit politik, shoqëria humbet busullën e fundit të së vërtetës në sferën publike.
Leoni XIV, duke refuzuar të hyjë në “arenën e fyerjeve”, po mbron dinjitetin e fjalës përballë zhurmës së populizmave. Reagimi i tij ishte i prerë:
“Unë flas për Ungjillin, nuk jam politikan. Nuk mendoj se mesazhi i Ungjillit duhet të keqpërdoret në mënyrën siç po bëjnë disa njerëz… Mesazhi i Kishës është mesazhi i Ungjillit: ‘të lumtë janë paqebërësit’; nuk e shoh rolin tim si atë të një politikani.”
Në fund të fundit, dallimi kryesor këtu qëndron te raporti me “Tjetrin”. Papa Leoni XIV shfaqet i vetëdijshëm në rrafshin ontologjik për ekzistencën e Tjetrit; ai flet vazhdimisht për vuajtjen e tjetrit, për paqebërësit dhe për dinjitetin njerëzor universal. Ndërkaq, Trump mbetet i burgosur brenda vetes, në një diskurs ku mbizotërojnë: “MUA”; “UNË”; “ADMINISTRATA IME” kjo është përplasja mes një etike të kujdesit dhe një politike të egoizmit.