Codex H: Gjenden faqet e humbura të letrave të Shën Palit

7 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Një zbulim i jashtëzakonshëm ka ndodhur së fundmi në fushën e kritikës tekstore të Dhiatës së Re. Një ekip ndërkombëtar studiuesish, i udhëhequr nga Prof. Garrick Allen i Universitetit të Glasgow, ka sjellë sërish në dritë 42 faqe të humbura të një prej dorëshkrimeve më të lashta të letrave të Shën Palit.

Bëhet fjalë për Codex H, një kodik i rëndësishëm grek i shekullit të VI-të, i cili konsiderohet gjerësisht si një dëshmi themelore e mënyrës sesi u transmetuan Shkrimet e Shenjta të krishtera në shekujt e parë të Kishës.

Çfarë është Codex H i Shën Palit?

Ky rikthim në dritë u bë i mundur falë përdorimit të teknikave më të avancuara të imazherisë multispektrale dhe analizës dixhitale. Këto teknologji të reja i mundësuan studiuesve të identifikonin gjurmë të tekstit “fantazmë” – shenja të padukshme me sy të lirë, të cilat u shfaqën për shkak të bojërave të reja që u përdorën kur dorëshkrimi u çmontua dhe u fshi në shekullin e XIII-të. Kjo ngjarje ka ndodhur në Manastirin e Lavrës së Madhe, në Malin e Shenjtë (Mali Athos).

Codex H (i njohur në botën akademike edhe si GA 015), i cili fillimisht ishte një kopje e letrave të apostullit Pal, nuk kishte “humbur” krejtësisht. Në fakt, faqet e tij të çmuara prej pergamene ishin ripërdorur gjatë Mesjetës si material lidhës për kodikë të tjerë. Kjo është arsyeja pse fragmentet e këtij dorëshkrimi sot gjenden të shpërndara në biblioteka të ndryshme anembanë Evropës. Rindërtimi dixhital ka bërë të mundur bashkimin e një numri të konsiderueshëm të këtyre faqeve, duke na ofruar një dritare të re për të parë sesi kopjoheshin, lexoheshin dhe organizoheshin tekstet biblike nga të krishterët e lashtësisë.

Pse është ky një zbulim epokal?

Ndër informacionet më të rëndësishme që kanë dalë në pah nga ky zbulim, janë disa nga listat më të hershme të njohura të kapitujve për shkrimet e Palit, të cilat ndryshojnë ndjeshëm nga ndarjet biblike që përdorim ne sot. Gjithashtu, studiuesit gjetën prova se si skribët e hershëm u bënin shënime teksteve të shenjta, duke hedhur dritë mbi praktikat devocionale dhe intelektuale të komuniteteve të para të krishtera.

“Duke qenë se Codex H është një dëshmi kaq e rëndësishme për kuptimin tonë mbi Shkrimin e krishterë,” shprehet Prof. Garrick Allen, “të zbulosh prova të reja – e për më tepër në këtë sasi – se si dukej ai fillimisht, është një ngjarje vërtet epokale.”

Ky është një zbulim që vërteton qartë se komunitetet e krishtera të shekujve të parë jo vetëm që i ruajtën me xhelozi tekstet e shenjta, por i studiuan ato në mënyrë tejet aktive, ngjashëm me atë që bëjnë ekzegjetët e sotëm të Biblës.

Një dëshmi e re për besueshmërinë e Dhjatës së Re

Zbulime të tilla si ai i Codex H forcojnë bindjen se Dhjata e Re nuk është një tekst abstrakt, i idealizuar apo i manipuluar me kalimin e kohës, por është fryt i një tradite të gjatë dhe thellësisht të dokumentuar dorëshkrimesh, e transmetuar brez pas brezi me kujdes të jashtëzakonshëm. Kjo na siguron se ajo që lexojmë sot në faqet e ungjijve dhe letrave apostolike është pothuajse tërësisht e njëjtë me atë që autorët shkruan në shekullin e parë.

Shpesh, kritikët e krishterimit ngrenë kundërshtimin se Dhjata e Re është thjesht produkt i “përkthimeve mbi përkthime”, ku gjoja i është ndryshuar përmbajtja thelbësore. Në fakt, të gjitha tekstet antike të historisë njihen ekskluzivisht përmes kopjeve jo-origjinale. Megjithatë, Dhjata e Re gjendet në një pozitë absolute të privilegjuar krahasuar me çdo tekst tjetër të lashtësisë, falë numrit masiv të dorëshkrimeve të mbijetuara.

Siç shprehet me të drejtë Daniel B. Wallace, profesor i Dhjatës së Re në Dallas Theological Seminary:

Nëse duhet të jemi skeptikë për origjinalin e Dhiatës së Re, atëherë ky skepticizëm duhet të shumëzohet një mijë herë për të gjithë letërsinë greko-romake dhe atë antike në përgjithësi.

Për më tepër, edhe vetë studiuesit më skeptikë e pranojnë se kritika tekstore arrin të rindërtojë tekstin origjinal me saktësi mjaft të lartë. Variantet midis mijëra kopjeve janë kryesisht gabime njerëzore ortografike të parëndësishme dhe nuk e alterojnë kurrsesi mesazhin apo përmbajtjen qendrore teologjike.

Madje, edhe studiuesi agnostik Bart D. Ehrman nga Universiteti i Karolinës së Veriut e ka pranuar këtë fakt kur thotë:

Pjesa dërrmuese e dallimeve midis kopjeve që ne zotërojmë janë krejtësisht të parëndësishme. Skribët, si jo-profesionistët e shekujve të parë ashtu edhe kopjuesit profesionistë të Mesjetës, ishin të vendosur të ‘ruanin’ traditën tekstore që transmetonin, duke e mbrojtur dhe jo duke e modifikuar atë, për t’u siguruar që vepra që po riprodhonin të ishte plotësisht e njëjtë me atë që kishin trashëguar.


Burimet dhe Referencat

  1. Për lajmin e zbulimit: Universiteti i Glasgow (University of Glasgow), “42 lost pages of the new testament manuscript discovered” (Publikuar prill 2026).
  2. Citat nga Daniel B. Wallace: Referencë mbi mbrojtjen dhe besueshmërinë historike të dorëshkrimeve të Dhiatës së Re në krahasim me letërsinë tjetër klasike greko-romake.
  3. Citat nga Bart D. Ehrman: “Misquoting Jesus: The Story Behind Who Changed the Bible and Why”, Harper Collins Publishers 2005, fq. 16.
  4. A new print edition of Codex H is forthcoming and a digital edition is freely available at https://codexh.arts.gla.ac.uk/, making these recovered pages available to the public and scholars for the first time in centuries.
TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *