Një vit nga Jubileu i Rinisë: çfarë shprese për të ardhmen?

22 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Më dy gusht shënohet njëvjetori i Jubileut të Rinisë, i mbajtur në Tor Vergata në Romë, që mblodhi një milion të rinj nga 140 shtete të botës, të udhëhequr nga Papa Leoni XIV drejt lutjes, adhurimit dhe Meshës së Shenjtë të ditës së nesërme.

Në këtë hapësirë të mbushur me të rinj nga e gjithë bota, valëvitej edhe flamuri i Kosovës dhe i Shqipërisë, duke treguar se rinia jonë është po ashtu pjesë e pashmangshme e Kishës Universale. Fjetja në qiell të hapur, krah për krah me një milion të panjohur, dëshmon dëshirën e të rinjve për të dalë nga komoditeti i botës moderne, një akt ky që bëri që barrierat e kulturës, racës e gjeopolitikës të largohen, duke i bërë vend miqësisë në Krishtin.

Kulmi i gjithë kësaj përvoje nuk ishte zhurma apo entuziazmi masiv, por e kundërta e saj: heshtja.

Ky është triumfi paksa tronditës i Krishtërimit: Eukaristia është ajo që zotëron atë gravitet shpirtëror të aftë për ta ftuar njeriun në vetëdije të plotë. E shndërron adrenalinen e të rinjve: nga një shpërthim i jashtëm entuziazmi, në një takim të thellë e intim me Atë që është vetë burimi i jetës.

Në një kohë kur mbizotërojnë prirjet për ta shpallur Krishtërimin në Perëndim si një realitet në zbehje apo si viktimë të sekularizmit, Tor Vergata mban ende gjallë pyetjen: si mundet që i njëjti Krishtërim, i deklaruar si i tejkaluar, të përkulë përpara së Shenjtës një brez të brumosur nga hiperteknologjia dhe izolimi individual?

Më poshtë gjeni përgjigjet e Papa Leonit XIV gjatë vigjiljes së Jubileut, drejtuar pyetjeve të parashtruara nga të rinjtë e pranishëm:


VIGJILJA E LUTJES ME TË RINJTË

DIALOGU NDËRMJET SHENJTËRISË SË TIJ, PAPA LEONIT XIV, DHE TË RINJVE GJATË VIGJILJES SË JUBILEUT

Tor Vergata

E shtunë, 2 gusht 2025

Pyetja 1 – Miqësia

Dulce María: «Atë i Shenjtë, emri im është Dulce María, jam 23 vjeçe dhe vij nga Meksika. Vij para Jush si zëdhënëse e një realiteti që të rinjtë e përjetojnë në shumë pjesë të botës. Atë i Shenjtë, ne jemi bij të kohës sonë. Jetojmë në një kulturë që na formëson pa e kuptuar; është një kulturë e shënjuar nga teknologjia, veçanërisht nga rrjetet sociale. Shpesh entuziazmohemi sepse kemi shumë miq dhe krijojmë marrëdhënie të afërta, por në të njëjtën kohë përjetojmë gjithnjë e më shumë forma të ndryshme vetmie. Jemi afër dhe të lidhur me aq shumë njerëz, e megjithatë ato nuk janë marrëdhënie të vërteta e të qëndrueshme, por më tepër kalimtare dhe shpesh iluzore. Atë i Shenjtë, pyetja ime është: si mund të gjejmë miqësi të vërtetë dhe dashuri të njëmendtë që do të na çojë drejt shpresës së vërtetë? Si mund të na ndihmojë feja të ndërtojmë të ardhmen tonë?»

Përgjigja:

«Të dashur të rinj, marrëdhëniet njerëzore, marrëdhëniet tona me të tjerët janë thelbësore për secilin prej nesh, duke nisur nga fakti se të gjithë burrat dhe gratë në botë lindin si bij të dikujt. Jeta jonë fillon me një lidhje, dhe është pikërisht përmes marrëdhënieve që ne rritemi. Në këtë proces, kultura luan një rol thelbësor: ajo është si thjerrëza përmes së cilës kuptojmë veten dhe interpretojmë botën. Ashtu si një fjalor, çdo kulturë përmban si fjalë të fisme, ashtu edhe fjalë vulgare, vlera por edhe gabime që duhet të mësojmë t’i njohim. Duke kërkuar me pasion të vërtetën, ne nuk mjaftohemi thjesht me marrjen e një kulture, por edhe e shndërrojmë atë përmes zgjedhjeve që bëjmë. E vërteta, në fakt, është një lidhje që bashkon fjalët me gjërat dhe emrat me fytyrat. Gënjeshtra, nga ana tjetër, i ndan këto elemente dhe çon në huti e keqkuptim.

Tani, mes shumë lidhjeve kulturore që karakterizojnë jetën tonë, interneti dhe rrjetet sociale janë bërë “një mundësi e jashtëzakonshme për dialog, takim dhe shkëmbim mes personave, si dhe për qasje në informacion e dituri” (Françesku, Christus Vivit, 87). Sidoqoftë, këto mjete bëhen mashtruese kur kontrollohen nga komercializmi dhe nga interesa që fragmentojnë marrëdhëniet tona. Lidhur me këtë, Papa Françesku kujtonte se ndonjëherë “gjithë aparati i komunikimit, reklamës dhe rrjeteve sociale mund të përdoret për të na vënë në gjumë, për të na bërë të varur nga konsumizmi” (Christus Vivit, 105). Pikërisht atëherë marrëdhëniet tona bëhen të trazuara, të shqetësuara apo të paqëndrueshme. Për më tepër, siç e dini, sot ka algoritme që na tregojnë se çfarë duhet të shohim, çfarë duhet të mendojmë dhe cilët duhet të jenë miqtë tanë. Kështu, marrëdhëniet tona bëhen konfuze, e ndonjëherë edhe me ankth. Kur një mjet kontrollon dikë, ai person shndërrohet vetë në mjet: një mall në treg dhe, nga ana tjetër, një copë artikull tregtar. Vetëm marrëdhëniet e sinqerta dhe lidhjet e qëndrueshme mund të ndërtojnë jetë të mira.

Të dashur të rinj, çdo person dëshiron natyrshëm një jetë të mirë, ashtu si mushkëritë e etura për ajër, por sa e vështirë është ta gjesh atë! Sa e vështirë është të gjesh miqësi të vërtetë! Shekuj më parë, Shën Augustini e kuptoi dëshirën më të thellë të zemrës sonë, dëshirën e çdo zemre njerëzore, madje pa zhvillimet teknologjike të sotme. Edhe ai pati një rini të trazuar, por nuk u mjaftua me më pak, nuk e heshti britmën e zemrës së tij. Augustini kërkoi të vërtetën, të vërtetën që nuk zhgënjen dhe bukurinë që nuk venitet. Dhe si e gjeti atë? Si e gjeti miqësinë e vërtetë dhe një dashuri të aftë për të dhënë shpresë? Duke gjetur Atë që tashmë po e kërkonte atë, duke gjetur Jezu Krishtin. Si e ndërtoi ai të ardhmen e tij? Duke ndjekur Atë që kishte qenë gjithmonë miku i tij. Sipas fjalëve të tij, miqësia nuk është kurrë askund e besueshme përveçse në Krishtin. Shën Augustini na thotë se nuk ka miqësi autentike nëse nuk është në Krishtin. Dhe miqësia e vërtetë është gjithmonë në Jezu Krishtin me të vërtetën, dashurinë dhe respektin. Vetëm në Të ajo mund të jetë e përhershme dhe e lumtur (khs. Kundër dy letrave të pelagianëve I, I, 1). Ai që do Hyjin te miku i vet, e do vërtet mikun e tij (khs. Predikimi 336), na thotë Shën Augustini. Miqësia me Krishtin, e cila përbën bazën e fesë, nuk është thjesht një ndihmë mes shumë të tjerave për të ndërtuar të ardhmen; ajo është ylli ynë polar. Sipas të Lumit Pier Giorgio Frassati, të jetosh pa fe, pa një trashëgimi për të mbrojtur, pa një luftë të vazhdueshme për të vërtetën, nuk është të jetosh, por të ekzistosh (khs. Letra, 27 shkurt 1925). Pikërisht kur miqësitë tona pasqyrojnë këtë lidhje të intime me Jezusin, ato bëhen me të vërtetë të sinqerta, bujare dhe të vërteta.

Të dashur të rinj, duani njëri-tjetrin! Duani në Krishtin! Mësoni të shihni Jezusin tek të tjerët. Miqësia mund ta ndryshojë me të vërtetë botën. Miqësia është një rrugë drejt paqes.

Pyetja 2 – Guximi për të zgjedhur

Gaia: «Atë i Shenjtë, emri im është Gaia. Jam italiane dhe jam 19 vjeçe. Sonte, të gjithë ne të rinjtë këtu do të donim t’ju flisnim për ëndrrat, shpresat dhe dyshimet tona. Atë i Shenjtë, vitet tona janë të shënjuara nga vendime të rëndësishme, meqë përballemi me zgjedhje që do të formësojnë të ardhmen tonë. Sidoqoftë, për shkak të klimës së pasigurisë që na rrethon, jemi të tunduar të shtyjmë gjërat për më vonë dhe mbetemi të paralizuar nga frika e një të ardhmeje të pasigurt. Ne e dimë se të zgjedhësh do të thotë të heqësh dorë nga diçka tjetër, dhe kjo bëhet një pengesë për ne. Pavarësisht gjithçkaje, ne e ndiejmë se shpresa na tregon synime të arritshme, edhe nëse ato janë të shënuara nga paqëndrueshmëria e momentit të tanishëm. Atë i Shenjtë, po ju pyesim: ku mund ta gjejmë guximin për të zgjedhur? Si mund të jemi të guximshëm dhe të jetojmë aventurën e lirisë, duke bërë zgjedhje radikale e kuptimplotë?»

Përgjigja:

«Faleminderit për këtë pyetje. Pyetja është: ku mund ta gjejmë guximin për të zgjedhur dhe për të marrë vendime të urta? Të zgjedhësh është një akt thelbësor njerëzor. Po ta shohim nga afër, kuptojmë se nuk është thjesht çështje e të zgjedhurit të diçkaje, por e të zgjedhurit të dikujt. Kur bëjmë një zgjedhje, në kuptimin e ngushtë, ne vendosim se kush duam të bëhemi. Zgjedhja më e rëndësishme është vendimi për drejtimin e jetës sonë: Çfarë lloj burri dëshiron të bëhesh? Çfarë lloj gruaje dëshiron të bëhesh? Të dashur të rinj, ne mësojmë të zgjedhim përmes sprovave të jetës, por mbi të gjitha duke kujtuar se jemi të zgjedhur. Ky realitet duhet të hulumtohet dhe të ushqehet. Ne e morëm jetën si dhuratë, pa e zgjedhur atë! Ekzistenca jonë nuk mekoi nga vendimi ynë, por nga një dashuri që na deshi. Gjatë gjithë jetës sonë, ata që na ndihmojnë të njohim dhe të përtërijmë këtë hir përmes zgjedhjeve tona dëshmohen se janë miqtë tanë të vërtetë.

Të dashur të rinj, ju e thatë bukur: “të zgjedhësh do të thotë të heqësh dorë nga diçka tjetër, dhe kjo bëhet një pengesë për ne.” Për të qenë të lirë, duhet të nisemi nga një bazë e qëndrueshme, nga shkëmbi që mbështet hapat tanë. Ky shkëmb është një dashuri që na paraprin, na mahnit dhe është pafundësisht më e madhe se ne: dashuria e Hyjit. Prandaj, para Hyjit, zgjedhja bëhet një gjykim që nuk heq asgjë, por çon gjithmonë drejt së mirës më të madhe.

Guximi për të zgjedhur vjen nga dashuria që Hyji na shfaq në Krishtin. Është Ai që na deshi me të gjithë Qenien e Tij, duke shpëtuar botën e duke na treguar kështu se dhurimi i vetvetes është rruga drejt përmbushjes sonë. Për këtë arsye, takimi me Jezusin i përgjigjet etjes më të thellë të zemrave tona, sepse Jezusi është dashuria e Hyjit e bërë njeri.

Njëzet e pesë vjet më parë, pikërisht këtu ku jemi tani, Shën Gjon Pali II foli për këtë temë duke thënë: “Është pikërisht Jezusi Ai që kërkoni kur ëndërroni lumturinë; Ai ju pret kur asgjë tjetër nga ato që gjeni nuk ju kënaq; Ai është bukuria nga e cila tërhiqeni aq shumë; është Ai që ju provokon me atë etje për plotësi që nuk ju lë të pajtoheni me kompromise; është Ai që ju nxit të flakni tej maskat e një jete të rreme; është Ai që lexon në zemrat tuaja zgjedhjet tuaja më të sinqerta, zgjedhjet që të tjerët përpiqen t’i mbytin” (Vigjilja e Lutjes në Ditën XV Botërore të Rinisë, 19 gusht 2000). Atëherë frika ia lë vendin shpresës, sepse jemi të sigurt se Hyji e çon në përfundim atë që e fillon.

Ne e njohim besnikërinë e Tij në fjalët e atyre që duan me të vërtetë, sepse janë dashur me të vërtetë. “Ti je jeta ime, o Zot”: këtë e thonë plot me gëzim dhe në liri të plotë një meshtar dhe një motër e kushtuar, “Ti je jeta ime, o Zot”. “Po të marr për bashkëshorte” dhe “Po të marr për bashkëshort”: kjo është fraza që e shndërron dashurinë e një burri dhe të një gruaje në një shenjë vepruese të dashurisë së Hyjit në martesë. Këto janë zgjedhje radikale dhe kuptimplota: Sakramenti i Martesës, Urdhri i Shenjtë dhe Jeta e Kushtuar. Ato shprehin dhurimin e lirë dhe çlirues të vetvetes që na bën me të vërtetë të lumtur. Pikërisht aty e gjejmë lumturinë, kur mësojmë t’i dhurohemi tjetrit, të japim jetën tonë për të tjerët.

Këto zgjedhje i japin kuptim jetës sonë, duke e shndërruar atë në shëmbëlltyrën e dashurisë së përsosur që e krijoi dhe e shpërbleu nga çdo e keqe, madje edhe nga vdekja. Këtë e thëm sonte duke menduar për dy vajza të reja: Maríën nga Spanja, që ishte 20 vjeçe, dhe Pascale-ën nga Egjipti, që ishte 18 vjeçe. Të dyja zgjodhën të vinin në Romë për Jubileun e Rinisë, dhe të dyja kanë kaluar në amshim gjatë këtyre ditëve. Le të lutemi së bashku për to; le të lutemi gjithashtu për familjet, miqtë dhe bashkësitë e tyre. Jezusi i Ringjallur i pranoftë në paqen dhe gëzimin e Mbretërisë së Tij. Po ashtu, do të doja t’ju kërkoja lutjet tuaja edhe për një mik tjetër, një djalë të ri spanjoll, Ignacio Gonzalvez, i cili është shtruar në spitalin “Bambino Gesù”. Le të lutemi për të dhe për shëndetin e tij.

Gjeni guximin për të bërë zgjedhje të vështira dhe i thuani Jezusit: “Ti je jeta ime, o Zot.” “O Zot, Ti je jeta ime.” Ju faleminderit.»

Pyetja 3 – Thirrja për të bërë të mirën

Will: «Atë i Shenjtë, emri im është Will. Jam 20 vjeç dhe vij nga Shtetet e Bashkuara. Do të doja t’ju bëja një pyetje në emër të aq shumë të rinjve atje jashtë, të cilët në zemrat e tyre kanë etje për diçka më të thellë. Ne tërhiqemi nga jeta e brendshme, edhe pse në shikim të parë gjykohemi si një brez sipërfaqësor dhe i pamenduar. Thellë në vete, ndiejmë tërheqje nga e bukura dhe e mira si burime të së vërtetës. Vlera e heshtjes, si në këtë Vigjilje, na magjeps, edhe pse hera-herës na ngjall frikë për shkak të ndjenjës së zbrazëtisë. Atë i Shenjtë, do të doja t’ju pyesja: si mund ta takojmë me të vërtetë Zotin e Ringjallur në jetën tonë dhe të jemi të sigurt për praninë e Tij madje edhe mes sprovave e pasigurive?»

Përgjigja:

«Për të çelur këtë Vit Jubilar, Papa Françesku nxori dokumentin e quajtur Spes non confundit, që do të thotë “shpresa nuk zhgënjen”. Në atë dokument, ai shkroi: “Në zemrën e çdo personi, shpresa banon si dëshirë dhe pritshmëri e gjërave të mira që do të vijnë” (Spes non confundit, 1). Në Bibël, fjala “zemër” zakonisht i referohet qenies më të brendshme të njeriut, e cila përfshin edhe ndërgjegjen tonë. Kuptimi ynë për atë që është e mirë, pra, pasqyron mënyrën se si ndërgjegjja jonë është formësuar nga njerëzit në jetën tonë; nga ata që treguan mirësi me ne, ata që na dëgjuan me dashuri, ata që na ndihmuan. Këta njerëz ndihmuan në rritjen tuaj me të mirën dhe, për rrjedhojë, në formimin e ndërgjegjes suaj për të kërkuar të mirën në zgjedhjet tuaja të përditshme.

Të dashur të rinj, Jezusi është miku që na shoqëron gjithmonë në formimin e ndërgjegjes sonë. Nëse dëshironi me të vërtetë ta takoni Zotin e Ringjallur, atëherë dëgjoni fjalën e Tij, që është Ungjilli i shpëtimit. Reflektoni mbi mënyrën tuaj të jetesës dhe kërkoni drejtësinë për të ndërtuar një botë më njerëzore. Shërbejuni të varfërve, e kështu jepni dëshmi për të mirën që do të donim ta merrnim gjithmonë nga të afërmit tanë. Bëhuni një me Jezu Krishtin në Eukaristi. Adhuroni Krishtin në Të Shenjtërueshmin Sakrament, burimin e jetës së amshuar. Studioni, punoni dhe duani sipas shembullit të Jezusit, Mësuesit të mirë që ecën gjithmonë përbri nesh.

Teksa kërkojmë atë që është e mirë, le t’i lutemi Atij në çdo hap: rri me ne, o Zot (khs. Lk 24, 29). Rri me ne, sepse pa Ty nuk mund ta bëjmë të mirën që dëshirojmë. Ti dëshiron atë që është e mira jonë; në të vërtetë, o Zot, Ti je e mira jonë. Ata që Të takojnë Ty dëshirojnë që edhe të tjerët Të takojnë, sepse fjala Jote është një dritë më e ndritshme se çdo yll, që ndriçon edhe natën më të errët. Papa Benedikti XVI kishte qejf të thoshte se ata që besojnë nuk janë kurrë vetëm. Me fjalë të tjera, ne e takojmë Krishtin në Kishë, domethënë në bashkësinë e atyre që e kërkojnë Atë me sinqeritet. Vetë Zoti na mbledh së bashku për të formuar një bashkësi, jo thjesht çfarëdo bashkësie, por një bashkësi besimtarësh që mbështesin njëri-tjetrin. Sa shumë ka nevojë bota për misionarë të Ungjillit që janë dëshmitarë të drejtësisë dhe paqes! Sa shumë ka nevojë e ardhmja për burra e gra që janë dëshmitarë të shpresës! Të dashur të rinj, kjo është detyra që Zoti i Ringjallur i beson secilit prej nesh!

Shën Augustini shkruante: “Ti na nxit të gjejmë kënaqësi duke Të lëvduar Ty, sepse na ke krijuar për Vete, dhe zemra jonë është e paqetë derisa të gjejë prehje në Ty… O Zot, do të Të kërkoja… dhe të Të thërras Ty është një akt besimi në Ty” (Rrëfimet, I, 1). Duke ndjekur ato fjalë të Augustinit dhe si përgjigje ndaj pyetjeve tuaja, do të doja t’i ftoja secilin prej jush, të dashur të rinj, t’i thoni Zotit: “Faleminderit, o Jezus, që më ke thirrur. Dëshira ime është të mbetem një nga miqtë Tuaj, ashtu që, duke Të përqafuar Ty, të jem gjithashtu një bashkudhëtar në udhëtim për cilindo që takoj. Më jep, o Zot, që ata që më takojnë mua të takojnë Ty, madje edhe përmes kufizimeve e brishtësive të mia.” Përmes lutjes me këto fjalë, dialogu ynë do të vazhdojë sa herë që të vështrojmë Zotin e kryqëzuar, sepse zemrat tona do të jenë të bashkuara në Të. Sa herë që të adhurojmë Krishtin në Eukaristi, zemrat tona do të jenë të bashkuara në Të. Së fundi, lutja ime për ju është që të qëndroni me ngulm në fe, me gëzim e guxim! Dhe mund të themi: “Faleminderit, o Jezus, që na do.” Rri me ne, o Zot.»

Fjalët e shqiptuara nga Ati i Shenjtë në fund të Vigjiljes:

«Do të doja të falënderoja korin dhe muzikantët: faleminderit që na shoqëruat! Faleminderit të gjithëve! Ju lutem pushoni pak. Do të takohemi këtu nesër në mëngjes për Meshën e Shenjtë. Urimet më të mira për të gjithë ju. Natën e mirë!»

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *