Shkëlqesitë tuaja,
Të dashur vëllezër priftërinj,
Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë, rregulltarë,
dhe të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia,
Është një gëzim i madh për mua të jem me ju. Jam mirënjohës ndaj Zotit që në Udhëtimin tim të parë Apostolik më ka dhënë hirin të vizitoj këtë “tokë të shenjtë” që është Turqia, një vend ku historia e popullit të Izraelit takon lindjen e Krishterimit, ku përqafohen Besëlidhja e Vjetër dhe e Re dhe ku u shkruan faqet e Koncileve të shumta.
Besimi që na bashkon ka rrënjë të thella. I bindur ndaj thirrjes së Zotit, ati ynë Abrahami u nis nga Uri i Kaldeasve dhe më pas, nga rajoni i Harranit në jug të Turqisë së sotme, u nis për në Tokën e Premtuar (krh. Zan 12:1). Në plotësinë e kohës, pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, edhe apostujt e tij erdhën në Anadoll. Në Antioki, ku Shën Ignati më vonë do të bëhej ipeshkëv, ata u quajtën “të krishterë” për herë të parë (krh. Vep 11:26). Nga ai qytet, Shën Pali filloi disa nga udhëtimet e tij apostolike që çuan në themelimin e shumë bashkësive. Po kështu, në Efes, në brigjet e gadishullit të Anadollit, jetoi dhe vdiq Gjoni, Dishepulli dhe Ungjilltari i Dashur (krh. Shën Ireneu, Adversus Haereses, III, 3, 4; Eusebi i Cezaresë, Historia e Kishës, V, 24, 3).
Për më tepër, kujtojmë me admirim historinë e madhe bizantine, impulsin misionar të Kishës së Kostandinopojës dhe përhapjen e Krishterimit në të gjithë Levantin. Edhe sot në Turqi ka shumë bashkësi të të krishterëve të ritit lindor – armenë, sirianë dhe kaldeas – si dhe ato të ritit latin. Patriarkana Ekumenike mbetet një pikë referimi si për besimtarët e saj grekë ashtu edhe për ata të Kishave të tjera Ortodokse.
Të dashur miq, bashkësitë tuaja dolën nga pasuria e kësaj historie të gjatë dhe jeni ju që jeni të thirrur sot të ushqeni farën e besimit që na është trashëguar nga Abrahami, Apostujt dhe Etërit. Historia që ju paraprin nuk është diçka që thjesht duhet të kujtohet dhe pastaj të nderohet si një e kaluar e lavdishme, ndërsa pranojmë realitetin se sa e vogël është bërë Kisha Katolike në numër. Përkundrazi, jemi të ftuar të përqafojmë një vizion ungjillor, të ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë.
Kur shikojmë me sytë e Zotit, zbulojmë se ai ka zgjedhur rrugën e vogëlsisë, duke zbritur në mesin tonë. Kjo është rruga e Zotit, për të cilën të gjithë jemi të thirrur të dëshmojmë. Profetët shpallin premtimin e Zotit duke folur për një filizë të vogël që do të mbijë (krh. Is 11:1). Jezusi i lavdëron të vegjlit që besojnë në të (krh. Mk 10:13–16). Ai mëson se mbretëria e Hyjit nuk imponohet me shfaqje fuqie (krh. Lk 17:20-21), por rritet si më e vogla nga të gjitha farat e mbjella në tokë (krh. Mk 4:31).
Kjo logjikë e vogëlsisë është forca e vërtetë e Kishës. Ajo nuk qëndron në burimet ose strukturat e saj, as frytet e misionit të saj nuk varen nga numrat, fuqia ekonomike apo ndikimi shoqëror. Kisha, përkundrazi, jeton me dritën e Qengjit; e mbledhur rreth tij, ajo dërgohet në botë me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Në këtë mision, ajo është vazhdimisht e thirrur të besojë në premtimin e Zotit: “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë mbretërinë” (Lk 12:32). Le të kujtojmë edhe fjalët e Papa Françeskut, i cili tha: “Një bashkësi e krishterë në të cilën besimtarët, priftërinjtë dhe ipeshkvijtë nuk ndjekin rrugën e vogëlsisë, nuk ka të ardhme… Mbretëria e Zotit mbin në gjëra të vogla, gjithmonë në atë që është e vogël” (Homelia në Santa Marta, 3 dhjetor 2019).
Kisha në Turqi është një bashkësi e vogël, por frytdhënëse si një farë dhe maja e mbretërisë. Prandaj ju inkurajoj të kultivoni një qëndrim shpirtëror me shpresë të sigurt, të rrënjosur në besim dhe në bashkim me Zotin. Ekziston nevoja për të dëshmuar Ungjillin me gëzim dhe për të parë të ardhmen me shpresë. Disa shenja shpresëdhënëse janë tashmë të pranishme qartë. Prandaj, le t’i kërkojmë Zotit hirin për t’i njohur dhe për t’i ushqyer ato. Ka shenja të tjera, ndoshta, që mund të na duhet t’i shprehim në mënyrë krijuese përmes këmbënguljes në besim dhe në dëshmi.
Ndër shenjat më të bukura dhe premtuese, më vijnë në mendje shumë të rinj që vijnë duke trokitur në dyert e Kishës Katolike me pyetjet dhe shqetësimet e tyre. Në këtë drejtim, ju nxis të vazhdoni punën e mirë baritore që po bëni. Ju inkurajoj gjithashtu të dëgjoni, të shoqëroni të rinjtë, t’u kushtoni vëmendje të veçantë atyre fushave ku Kisha në Turqi është thirrur të shërbejë: dialogu ekumenik dhe ndërfetar, transmetimi i besimit te popullsia lokale dhe shërbimi baritor për refugjatët dhe migrantët.
Ky aspekt i fundit meriton reflektim të veçantë. Prania e konsiderueshme e emigrantëve dhe refugjatëve në këtë vend e vë Kishën përballë sfidës së mirëseardhjes dhe shërbimit ndaj disa prej më të prekshmëve. Në të njëjtën kohë, vetë kjo Kishë përbëhet kryesisht nga të huaj, dhe shumë prej jush – priftërinj, motra dhe rregulltarë – vijnë nga vende të tjera. Kjo kërkon një angazhim të veçantë ndaj inkulturizimit, në mënyrë që gjuha, zakonet dhe kultura e Turqisë të bëhen gjithnjë e më shumë tuajat. Për më tepër, komunikimi i Ungjillit kalon gjithmonë përmes një inkulturizimi të tillë.
Do të doja gjithashtu të kujtoja se pikërisht në këtë tokë tuajën u mbajtën tetë Koncilet e para Ekumenike. Ky vit shënon 1700-vjetorin e Koncilit të Parë të Nikesë, një “moment historik në historinë e Kishës, por edhe të njerëzimit në tërësi” (Françesku, Fjalimi drejtuar Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, 28 nëntor 2024). Kjo ngjarje gjithmonë e rëndësishme na vë përpara disa sfida që do të doja të përmendja.
E para është rëndësia e kuptimit të thelbit të besimit dhe e të qenit i krishterë. Rreth Credo-s (Besojmës), Kisha në Nikea rizbuloi unitetin e saj (krh. Bulla Spes Non Confundit, 17). Besojma nuk është thjesht një formulë doktrinare; është një ftesë për të kërkuar – midis ndjeshmërive, spiritualiteteve dhe kulturave të ndryshme – unitetin dhe esencën thelbësore të besimit të krishterë të përqendruar te Krishti dhe te Tradita e Kishës. Nikeja ende na pyet: Kush është Jezusi për ne? Çfarë do të thotë në thelb të jesh i krishterë? Besojma, e shpallur unanimisht së bashku, bëhet një kriter për dallim, një busull, qendra rreth së cilës duhet të sillen besimet dhe veprimet tona. Duke folur për lidhjen midis besimit dhe veprave, do të doja të falënderoja organizatat ndërkombëtare për mbështetjen e tyre të aktiviteteve bamirëse të Kishës, veçanërisht për ndihmën e ofruar viktimave pas tërmetit të vitit 2023. Këtu do të veçoja Caritas Internationalis dhe Kirche in Not.
Sfida e dytë është urgjenca e rizbulimit në Krishtin, fytyrën e Hyjit Atë. Nikea pohon hyjninë e Jezusit dhe barazinë e tij me Atin. Në Jezusin, ne gjejmë fytyrën e vërtetë të Hyjit dhe fjalën e tij përfundimtare për njerëzimin dhe historinë. Kjo e vërtetë vazhdimisht sfidon idetë tona për Zotin sa herë që ato nuk korrespondojnë me atë që Jezusi ka zbuluar. Na fton në dallim të vazhdueshëm në lidhje me format tona të besimit, lutjes, jetës baritore dhe spiritualitetit. Por ekziston edhe një sfidë tjetër, të cilën mund ta quajmë një “Arianizëm të ri“, të pranishëm në kulturën e sotme dhe ndonjëherë edhe midis besimtarëve. Kjo ndodh kur Jezusi admirohet në një nivel thjesht njerëzor, ndoshta edhe me respekt fetar, por nuk konsiderohet vërtet si Hyji i gjallë dhe i vërtetë midis nesh. Hyjnia e tij, sundimi i tij mbi historinë, lihet në hije dhe ai reduktohet në një figurë të madhe historike, një mësues të mençur ose një profet që luftoi për drejtësi – por asgjë më shumë. Nikea na kujton se Jezu Krishti nuk është një figurë e së kaluarës; ai është Biri i Hyjit i pranishëm midis nesh, duke udhëhequr historinë drejt së ardhmes së premtuar nga Zoti.
Së fundmi, sfida e tretë është ndërmjetësimi i besimit dhe zhvillimi i doktrinës. Në një kontekst kompleks kulturor, Besojma e Nikeas shprehu thelbin e besimit përmes kategorive filozofike dhe kulturore të kohës së saj. Megjithatë, vetëm disa dekada më vonë, në Koncilin e Parë të Kostandinopojës, shohim se ajo u thellua dhe u zgjerua më tej. Falë këtij zhvillimi doktrinar, doli një formulim i ri, Besojma Nikea-Kostandinoponjane që ne e shpallim së bashku në liturgjitë tona të së dielës. Edhe këtu mësojmë një mësim të rëndësishëm: besimi i krishterë duhet të shprehet gjithmonë në gjuhët dhe kategoritë e kulturës në të cilën jetojmë, ashtu siç bënë Etërit në Nikea dhe në Koncilet e tjera. Në të njëjtën kohë, duhet të dallojmë thelbin e besimit nga formulat historike që e shprehin atë – formula që janë gjithmonë të pjesshme dhe të përkohshme dhe mund të ndryshojnë ndërsa doktrina kuptohet më thellë. Le të kujtojmë se Doktori më i ri i Kishës, Shën Gjon Henry Newman, këmbënguli në zhvillimin e doktrinës së krishterë, sepse doktrina nuk është një ide abstrakte, statike, por pasqyron vetë misterin e Krishtit. Prandaj, zhvillimi i saj është organik, i ngjashëm me atë të një realiteti të gjallë, duke nxjerrë gradualisht në dritë dhe duke shprehur më plotësisht zemrën thelbësore të besimit.
Të dashur miq, para se të përfundoj, do të doja të kujtoja dikë shumë të dashur për ju, Shën Gjonin XXIII, i cili e deshi dhe i shërbeu popullit të kësaj toke. Ai shkroi: “Më pëlqen të përsëris atë që ndiej në zemrën time: e dua këtë vend dhe banorët e tij.” Ndërsa shikonte nga dritarja e shtëpisë së Jezuitëve peshkatarët e zënë me varkat dhe rrjetat e tyre në Bosfor, ai vazhdoi: “Pamja më prek. Natën tjetër, rreth orës një të mëngjesit, binte shi i rrëmbyeshëm, megjithatë peshkatarët ishin atje, të palëkundur në punën e tyre të vështirë… Të imitojmë peshkatarët e Bosforit – duke punuar ditë e natë me pishtarët e tyre të ndezur, secili në varkën e tij të vogël, duke ndjekur udhëzimet e udhëheqësve të tyre shpirtërorë – kjo është detyra jonë serioze dhe e shenjtë.”
Shpresoj që ju të prekeni nga i njëjti pasion, në mënyrë që të mbani gjallë gëzimin e besimit dhe të vazhdoni të punoni si peshkatarë të guximshëm në varkën e Zotit. Maria Më e Shenjtë, Hyjlindësja, ndërmjetësoftë për ju dhe ju mbajtë nën kujdesin e saj. Faleminderit.
FJALIMI I ATIT TË SHENJTË
Katedralja e Shpirtit të Shenjtë (Stamboll)
E premte, 28 nëntor 2025
Përktheu: Redaksia e ViaVeritatis






