A është lartësimi i Marisë virgjër në qiell biblik e apostolik?!

13 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Nëse ia parashtrojmë këtë pyetje disa rrymave që këmbëngulin vetëm në Shkrimin Shenjt, përgjigja është Jo. Askund në Bibël nuk u përmend vdekja e saj e aq më pak lartësimi, madje veç në vitin 1950 Piu XII¹ papë e shpalli si dogmë marrjen – assumptio – e Zojës në qiell me trup e me shpirt. Si me thanë “e kemi shpikë ne”! Sikur me thanë që para koncilit të Nikesë 325 e të Konstantinopojës 381, ku u definu dogma e Trinisë, nuk ka pas Trini. Pse diçka nuk përmendet në Bibël, nuk do me thënë se automatikisht është e gabuar. Në Bibël nuk përmendet që Pjetri e Pali shkuan në Romë, megjithatë e dimë se të dy u martirizuan aty. Shën Gjoni na tregon se “Ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin” (Gjn 21,25). As për çështjet morale madhore, si pllenimi në laborator, vrasja e fëmijëve të palindur – aborti ose zhvillimet e fundit të inteligjencës artificiale nuk kemi në Bibël asgjë. Të gjitha gjëra që nuk kanë ekzistuar atëherë, prandaj ekziston Kisha e themeluar nga Hyji, për t’iu përballur me këso problemesh në mënyrë autoritare, përmes traditës apostolike. Pali thotë “prandaj, o vëllezër, jini të qëndrueshëm dhe mbajini porositë që i morët prej nesh qoftë me anë të fjalës qoftë me anë të Letrës sonë” (2 Sel 2,15). Pra Shkrimi, por edhe fjala apostolike e përçuar, që ne i themi traditë, janë përplotësuese.

Kështu dogma, është festimi kremtorë dhe shpallja normative e një të vërtete të fesë e cila është besuar me shekuj nga besimtarët. Në këtë rast, për marrjen e Zojës në qiell kemi dëshmi edhe para shpalljes së dogmës.

Le të fillojmë prej rrënjëve biblike. Në fillim Zoti krijoi njëherë Adamin e pastaj Even e përshkak të padëgjesës së tyre mëkati hyri në botë, e prej mëkatit vdekja (shih Rom 5,12). Prej këtu fillon lufta e moçme mes djallit dhe gruas: thotë Zoti “armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do të ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh themrën” (Zan 3,15). Megjithatë, në gjithë këtë rrëmujë, Zoti zgjedh disa persona të veçantë si Henoku, për të cilin thuhet se “jetoi udhës së Hyjit dhe u zhduk, sepse e mori Hyji” (Zan 5,24) ose më vonë Zoti me “një karrocë e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell” (2 Mbr 2,11). Po ashtu pjesën e librin e Këngës së këngëve “Ai vetë më futi në dhomë të verës, me flamur më mb’loi të dashurisë” (2,4) shumë e kanë përdorur për të shpjeguar marrjen e Zojës në qiell.

Për të shlyer mëkatin dhe për të shëlbuar njeriun Zoti vendosi që ta dërgojë Birin e vet në Botë (shih Gjn 3,16) për të lindur nga një virgjër e ruajtur e pamëkat. Dëgjesa e saj e përmbysi padëgjesën e Evës. Kështu Maria virgjër e mbështjellë prej hirit siç e thotë engjëlli Gabriel “Të falem, o Hirplotë – κεχαριτωμένη! Zoti me ty!” (Lk 1,28) bëhet e denjë për Fjalën e Zotit. Ky hir e ruajti të padangë Arkën e Besëlidhjes së re, përmes së cilës Fjala e Hyjit u mishërua dhe erdhi për shpëtimin e botës. Eva e re e cila vazhdon luftën zanafillore kundër djallit, kësaj radhe e qet në dritë Adamin e ri përmes të cilit njerëzimi u shpëtua. Thotë Shën Pali “më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm – Jezu Krishtit” (Rom 5,15; shih rr.19). Mëkati dhe vdekja të futur në botë nga njerëzit e parë, nuk mbizotëruan në Zojën e bekuar, kështu shumë menduan se Arka e Besëlidhjes së Re në Jezu Krishtin, Virgjëra Mari e pamëkat, nuk do të pësoj pasojën e mëkatit, vdekjen. Në Zojën plotësohet profetësia zanafillore, ku fara e gruas do t’ia shtypë kryet gjarprit. Krishti i ngjallur u ngjit në qiell dhe e përmbushi këtë profetësi, e njësoj edhe gruaja e cila e bashkëndau po të njëjtën armiqësi me djallin, pati të njëjtin fat me të Birin.

Edhe tradita apostolike e mbështet një botëkuptim të tillë. Nxënësi që Jezusi e donte e mori Marinë si nënë e vet (Gjn 19,26-27). Prandaj në Vap 1,14 e gjejmë Marinë së bashku me apostujt në dhomën e sipërme për Rrëshajë. Te Zbulesa e Gjonit 12,1 disa kanë parë në “gruan e mbështjellë me diellë” shenjën e pavdekësisë dhe marrjen e Marisë në qiell. Kjo sepse edhe mënyra e përshkrimit të saj me këngë profetike mesianike e përkrah këtë kuptim. Hirëplotia është e quajtur Nëna e Jezusit (Gjn 2,3), por edhe Nëna e Zotit tim (Lk 1,43). Injaci i Antiokisë (rreth 110-117 pas Krishtit) thotë se “Hyji ynë, Jezu Krishti, u ngjiz nga Maria me lejen e Hyjit”². Ajo është shpallur Hyjlindëse (Θεοτόκος, Theotokos) ose Nëna e Hyjit (Μήτηρ του Θεού, Mētēr tou Theou) në Koncilin e Efesit 431 pas Krishtit. Ishte e nevojshme, thotë Athanasi, të përkujtohej Maria për shkak të besnikërisë së saj dhe të marrëdhënies me Jezusin (letra drejtuar Epiktetit 4).

Efremi sirian³, autorë i vitit 350 pas Krishtit, e përshkruan në himnin e Krishtlindjeve galdimin e Marisë në qiell. Ndërsa në lutjen drejtuar Nënës së Zotit i kërkon, Nënës dhe mbretëreshës qiellore mbrojtje nga pritat e djallit (Himni 19 mbi Marinë; Lutja mbi Nënën e Zotit III).

Në vitin 370 pas Krishtit, Epifani nga Salami i Qipros⁴, duke korrigjuar herezinë e Kolyridianëve, të cilët e adhuronin Marinë si hyjneshë dhe i flijonin asaj, tregon se Maria s’ishte hyjni e as nuk duhej adhuruar si e tillë. Jezusi nuk e zgjodhi atë as në priftëri me shërbime liturgjike, por e zgjodhi si banesë të veten dhe ajo është “si Elija, virgjër prej kraharorit të nënës, e gjithmonë mbeti ashtu, dhe u mor lartë e s’e pau vdekjen”.

Në vitin 400 pas Kr. Timoteu i Jerusalemit, në homelinë e Simonit dhe Anës, na tregon se Virgjëra është e pavdekshme deri me sot, sepse Ai që banoi në të e çoi në lartësi.

Po ashtu Gjoni teolog, rreth vitit 400 pas Kr., në veprën e Dormitio Mariae, shkruan se s’ka nevojë të jetë e turpëruar, sepse trupi i saj i padangë u çua në parriz.

Në vitin 575 pas Kr. Gregori i Toursit në librin Tetë librat e mrekullive, 1.4 përshkruan se si Apostujt marrin trupin e Marisë, e vendosin në varr dhe presin që Jezusi të vijë për ta marrë. Jezusi vjen e jep urdhër që ajo të merret në parriz.

Në vitin 600 pas. Kr. Theoteknosi i Livisë, në predikimin e tij mbi ngjitjen e Zojës n’qiell, tregon se ishte e duhur që trupi i shenjtë i Marisë, që mbarti Hyjin, plot me hire e lavdi të mbetej për pak në tokë e të lartësohej në Lavdi, e me shpirtin e saj t’i jap lavdi Hyjit.

Në vitin 634 pas Kr. Modesti nga Jerusalemi⁵, na tregon se Nëna e Hyjit e mori jetën dhe pashkatërrueshmërinë e trupit nga vetë Krishti i cili e mori në qiell me vete.

Në vitin 683 pas Kr., Germani i Konstantinopojës përshkruan Marinë në trupin e saj virgjëror, krejt të pastër, krejt të dëlirë, tërësisht banesë e Hyjit. Si e tillë edhe pse ende njeri u shndërrua në jetë hyjnore të pashkatërrueshmërisë.

Në vitin 680 pas Kr., Gjoni i Danaskut, në Dormitio Mariae, e përshkruan si gjë të duhur që ajo që mbeti virgjër edhe pas lindjes të mbante trupin e paprishur edhe pas vdekjes. Është e duhur që ajo e cila mbajti Krijuesin të banonte në tabernakullin hyjnor. Është e duhur që Nëna e Hyjit të ketë atë që i takon të Birit saj e të nderohet nga çdo krijesë.

Shumica e degëve ortodokse të krishterimit e kremtojnë dormitio Mariae – fjetjen e Zojës dhe marrjen e saj në qiell me trup e shpirt.

Na kemi relikte të shumë shenjtërve, por asnjë vend nuk ka as nuk pretendon me pas relikte të Zojës. E pra Shën Pjetri e Shën Pali kishin mujt me i sjell në Romë kur kanë ardhë.

Edhe reformatorët e hershëm e pohojnë të njëjtën dogmë. Luteri thotë s’ka dyshim Zoja është në qiell⁶. Po ashtu edhe Heinrich Bullinger⁷, Zwingli⁸, se s’po flasim për shenjtërit tjerë katolik.

Nëse dëshirojmë, e kemi edhe tash në kohët moderne një arsye për ngjitjen e Zojës në qiell. Në mjekësi njihet një fenomen me emrin microchimerism⁹, ku ndërsa nëna e ka foshnjën në kraharor, i shkëmbejnë qelizat mes veti për nevoja të ndryshme, nëna ushqen fëmijën e fëmija ripërtërinë trupin apo ndihmon shërimin e sëmundjeve të nënës. Nëse trupi i ngjallur i Jezusit ka qeliza që i mbetën në Nënën e vet edhe ato me siguri që do t’i merr me veti në qiell, kjo më duke normale.

Marrja e Zojës në qiell është për fitoren e Krishtit, nuk është e shkëputur prej tij. Kur Zoti ynë e mposhti vdekjen, kalbësimin e varrin me ngjalljen e vet, ajo që mori pjesë në mishërimin e tij me siguri që do të marrë pjesë edhe në lavdinë e tij. Zoja nuk i ban konkurrencë Zotit, sepse Krishti u ngjit (ascendere) me trup, ndërsa Zoja u mor (assumere).

Prandaj të mos ndalemi duke iu lutur Zojës së lartësuar në qiell që të ndërmjetësojë për nevojat tona, sepse ngjitja e saj në qiellë është për më të madhin lavdi të Jezusit të ngjallur e ngjitur në të djathtën e Atit. Mohimi i lartësimit të Zojës është mohimi i ngjalljes e ngjitjes së Jezusit në qiell.

Referencat:

  1. MUNIFICENTISSIMUS DEUS
  2. Pope Clement I et al., The Apostolic Fathers, ed. Kirsopp Lake, vol. 1, The Loeb Classical Library (Cambridge MA; London: Harvard University Press, 1912–1913), 191–193.
  3. Select works of S. Ephrem the Syrian: translated out of the original Syriac, with notes and indices by J. B. Morris (Oxford 1847).
  4. Epiphanius Salamis, Panarion 79.
  5. Encomium in dormitionem Sanctissimae Dominae nostrae Deiparae semperque Virginis Mariae.
  6. Martin Luther, Weimar edition of 1522 Sermon on the Feast of the Assumption.
  7. De Origine Erroris 1568.
  8. 27 Qu, in Gottfried Wilhelm Locher, Zwingli’s Thought: New Perspectives (Leiden: Brill, 1981), 88.
  9. https://pmc.ncbi.nlm.nih.gov/articles/PMC6714269/
Don Kolë Dedaj
Famullitar Budisalc

Dom Kolë Dedaj është meshtar i Dioqezës Prizren-Prishtinë që nga viti 2017. Misioni i tij baritor është shoqëruar me angazhim akademik: prej vitit 2020 shërben si profesor i Biblës në Shkollën Filozofike-Teologjike “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër, duke kontribuar në formimin intelektual e shpirtëror të studentëve. Në vitin 2023 është emëruar zëvendëskancelar i Dioqezës, ku merr pjesë në administrimin dhe koordinimin e jetës kishtare. Deri më tani ka ushtruar shërbimin e famullitarit në famullinë “Shën Gjergjit martir” në Budisalc, për të vazhduar më tutje si misionar në Luzern.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *