Shën Toma i Akuinit: “Krishti pësoi çdo lloj vuajtjeje”

6 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

I dashur lexues,

Në këtë analizë të Shën Tomës së Akuinit, Doktor i Kishës, ne nuk shohim thjesht një ‘shlyerje llogarish’ mes Hyjit dhe njerëzimit, por shohim se si Arsyeja Hyjnore (Logosi) pranon të hyjë në skajet më të errëta të pa-arsyes njerëzore. Akuini na tregon me saktësi se Krishti nuk vuajti ‘shumë’, por vuajti ‘gjithçka’.

Kjo gjithëpërfshirje e Mundimeve vërteton se nuk ekziston asnjë humnerë e vetmisë apo e dhimbjes njerëzore ku Hyji nuk ka hedhur tashmë një urë. Për Shën Tomën, saktësia e pesë shqisave të munduara është prova se trupi i njeriut nuk është një burg i shpirtit, por një tempull që po shpengohet. Ky tekst na kujton se e Vërteta e krishtërimit nuk është një ide abstrakte, por një Ngjarje që ka prekur mishin, gjakun dhe çdo shqisë të njeriut, duke e kthyer dhimbjen totale në një akt dashurie totale.

Në një kulturë që shpesh kërkon rrugën më të shkurtë, Akuini na tregon se “një pikë gjak do të mjaftonte”, por Krishti zgjodhi “gjithçka”. Ky është modeli i dashurisë absolute që neve na shërben për të kuptuar se në marrëdhëniet tona, në angazhimin tonë shoqëror, nuk mjafton të bëjmë “minimumin e duhur”, por duhet të synojmë plotësinë e dhënies së vetes.

Lexim të këndshëm! 🙂


Meditimi i Shën Tomës së Akuinit

“Çdo lloj vuajtjeje.” Gjërat që pësojnë njerëzit mund të kuptohen në dy mënyra. Me fjalën “lloj” mund të nënkuptojmë një vuajtje të veçantë e individuale; në këtë sens, nuk kishte asnjë arsye pse Krishti duhej të pësonte çdo lloj vuajtjeje, sepse shumë lloje vuajtjesh janë të kundërta me njëra-tjetrën, si për shembull, të digjesh dhe të mbytesh. Këtu, natyrisht, po flasim për Zotin tonë që vuan nga shkaqe të jashtme, sepse të pësonte vuajtje të shkaktuara nga shkaqe të brendshme, siç është sëmundja trupore, nuk do t’i kishte hije Atij. Por, nëse me fjalën “lloj” nënkuptojmë gjininë (kategorinë), atëherë Zoti ynë vërtet pësoi çdo lloj vuajtjeje, siç mund ta vërtetojmë në tri mënyra:

1. Duke konsideruar njerëzit përmes të cilëve Ai pësoi. Sepse Ai pësoi diçka nga dora e paganëve dhe e judenjve; nga burrat e madje edhe nga gratë, siç tregon historia e shërbëtores që akuzoi Shën Pjetrin. Ai pësoi, gjithashtu, nga duart e sundimtarëve, të shërbëtorëve të tyre dhe të popullit, ashtu siç ishte profetizuar: “Pse u mbushën me mëri kombet dhe popujt thurën plane të kota? Mbretërit e tokës u ngritën dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të Tij” (Ps 2, 1-2). Ai pësoi, po ashtu, nga miqtë e Tij, njerëzit që njihte më mirë, sepse Pjetri e mohoi dhe Juda e tradhtoi.

2. Duke konsideruar gjërat përmes të cilave vuajtja është e mundur. Krishti pësoi te miqtë që e braktisën; pësoi në emrin e Tij të mirë përmes blasfemive të lëshuara kundër Tij. Ai pësoi në nderimin dhe lavdinë që i takonte, përmes talljeve dhe përbuzjes që iu bë. Ai pësoi në gjëra materiale, pasi u zhvesh madje edhe nga rrobat e Tij; pësoi në shpirt përmes trishtimit, lodhjes dhe frikës; pësoi në trup përmes plagëve dhe fshikullimit.

3. Duke konsideruar atë që Ai pësoi në gjymtyrët e Tij të ndryshme. Koka e Tij pësoi përmes kurorës me gjemba shpues; duart dhe këmbët përmes gozhdëve që i tejshpuan; fytyra nga goditjet dhe pështyma përdhosëse; dhe gjithë trupi i Tij përmes fshikullimit.

Ai pësoi në çdo shqisë të trupit të Tij. Prekja u mundua nga fshikullimi dhe gozhdimi; shija nga uthulla dhe vreri; nuhatja nga era e kufomave, ndërsa varej në kryq në atë vend të të vdekurve që quhet Kalvar. Dëgjimi i Tij u shqye nga zërat e tallësve dhe blasfemuesve, dhe Ai pa lotët e nënës së Tij dhe të dishepullit që Ai donte.

Nëse konsiderojmë vetëm sasinë e vuajtjes që kërkohej [për shlyerje], është e vërtetë se vetëm një vuajtje, madje më e vogla ndër të gjitha, do të mjaftonte për të shpërblyer gjininë njerëzore nga të gjitha mëkatet e saj. Por, nëse shikojmë përshtatshmërinë (convenientia) e çështjes, duhej që Krishti të pësonte në të gjitha llojet e vuajtjeve.

Vizioni i Shën Tomës së Akuinit – Santi di Tito, 1593.

Nën ndikimin e thellë të parimeve aristoteliane, Akuini operon përmes një dallimi rigoroz ontologjik midis “llojit” si vuajtje e veçantë individuale dhe “llojit” si kategori universale në kuptimin e gjinisë (genus). Kësisoj, ky meditim, i dëndur në rrafshin filozofik dhe teologjik, na zbulon se për Akuinin, Krishti pësoi në mënyrë të mirëfilltë çdo kategori të mundshme të vuajtjes. Nga ato që korrespondojnë me zanafillën shqisore të mëkatit njerëzor, te braktisja prej të afërmve, e deri te rrënimi i integritetit dhe dinjitetit përmes fyerjeve dhe brutalitetit ekstrem fizik, asnjë përmasë e mundimit njerëzor nuk mbeti pa u përshkuar prej Tij.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *