Amerika e Trumpit: Një vit më pas

12 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

A i beson bota më shumë apo më pak Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Kjo është pyetja që shfaqet një vit pas marrjes së detyrës së mandatit të dytë si president nga Donald Trump. Shfaqet sepse, edhe pse kanë kaluar vetëm 365 ditë, mes Venezuelës, Grenlandës, tensioneve me Evropën dhe NATO-n, tarifave, përplasjes në transmetim direkt televiziv me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe armëpushimit kompleks në Gaza, një gjë është e qartë: Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë mënyrën e tyre të të parit të botës dhe, si pasqyrim, mënyrën e tyre të marrëdhënies me botën.

Më e paparashikueshme, më e personalizuar, politika e jashtme amerikane sot bazohet në moton “America First” (Amerika e Para) e cila, një vit pasi u proklamua, po mësohet të njihet: America First nuk do të thotë izolacionizëm, por përkundrazi ripërcaktim i hapësirës strategjike amerikane. Hapësirë strategjike që mbi të gjitha ka një përkufizim gjeografik: ajo shtrihet në hemisferën perëndimore dhe rrjedhimisht në “oborrin e shtëpisë” amerikane, duke ripërcaktuar kështu doktrinën Monroe të vitit 1823 tani e mbiquajtur “Donroe Doctrine” e cila në atë kohë paralajmëronte Evropën të qëndronte jashtë “oborrit të shtëpisë” latino-amerikan. Strategjia e sigurisë kombëtare të SHBA-së e vitit 2025 ka rikujtuar shprehimisht doktrinën e hartuar nga sekretari i atëhershëm i Shtetit, John Quincy Adams, duke shtuar atë që është përkufizuar si “korolari Trump”: ndikimi amerikan mbi hemisferën perëndimore është drejtpërdrejt proporcional me kontrollin e burimeve natyrore dhe sigurinë kombëtare.

Duke pasur parasysh përkufizimin gjeografik, ja ku spikasin dy objektivat kryesorë. I pari, i drejtuar tërësisht ndaj Kinës, Rusisë dhe armiqve përkatës: hemisfera perëndimore duhet të mbetet «e lirë nga ndërhyrjet armiqësore ose nga pronësia e huaj e aseteve themelore», thotë dokumenti mbi sigurinë kombëtare i publikuar në nëntorin e kaluar. I dyti, me një thirrje të fortë ndaj Alexander Hamilton, sekretari i parë i Thesarit i SHBA-së në vitin 1789: «Shtetet e Bashkuara nuk duhet të varen kurrë nga asnjë fuqi e jashtme për komponentët thelbësorë nga lëndët e para deri te produktet e gatshme të nevojshme për mbrojtjen ose ekonominë e kombit». Taktika konfirmon strategjinë: ndryshimi i prioriteteve të administratës Trump konfirmohet nga fakti se sot plot 12 anije lufte, mes të cilave aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, më e avancuara në botë lundrojnë në ujërat e Karaibeve dhe vetëm gjashtë ndodhen në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, taktika dhe strategjia zbulojnë edhe një pyetje të dytë: si ndryshon raporti i Shteteve të Bashkuara me aleatët e tyre? Pikëpyetje kjo e drejtuar para së gjithash bllokut atlantik dhe vendeve evropiane, me të cilët Trump po ashpërson tonet së fundmi mbi çështjen e Grenlandës, por edhe vendeve aziatike si Koreja e Jugut, Filipinet, Japonia dhe Tajvani, të mësuar me një vëmendje të veçantë nga ana e Washingtonit bazuar në rolin qendror të rajonit Indo-Paqësor. Nëse SHBA-të përqendrohen më shumë mbi hemisferën e tyre, a i kanë këto vende mjetet diplomatike dhe strategjike për të munduar të mendojnë në mënyrë më autonome për hapësirën e tyre të ndikimit? Dhe çfarë do të thotë të ripërcaktosh hapësirën tënde të ndikimit, përballë ndryshimit të epokës që po jetojmë dhe një bote gjithnjë e më agresive? Mbi bazën e cilave objektiva dhe cilave mjete? Çfarë lloj raporti të promovohet me Washingtonin?

Logjika e re gjeopolitike e Shtëpisë së Bardhë nuk ka efekte anësore vetëm mbi aleatët. Përkundrazi, nëse fronti i brendshëm dhe ai i jashtëm kryqëzohen gjithnjë e më shumë, këtu shfaqet një tjetër pyetje: ky rregullim i ri në politikën e jashtme amerikane, shprehimisht i prirur jo drejt një rendi botëror të stilit SHBA por drejt përmbushjes së interesave kombëtare, a po u pëlqen qytetarëve amerikanë?

Viti 2026 do të jetë viti vendimtar për ta kuptuar sepse të gjithë sytë janë të fiksuar mbi zgjedhjet e midterm (mesmandatit). Sipas të përditshmes «The Wall Street Journal», 45% e votuesve miratojnë punën e presidentit, ndërsa 54% e kundërshtojnë atë, një diferencë prej nëntë pikësh, tre më shumë krahasuar me të njëjtin sondazh të korrikut. Gjërat nuk shkojnë më mirë për demokratët: 58% e votuesve kanë një opinion jo të favorshëm ndaj partisë aktualisht në opozitë, kundrejt 39% që kanë një opinion të favorshëm. 92% e atyre që kanë votuar Trumpin në vitin 2024 sot i japin një gjykim pozitiv mbi punën e tij, përfshirë 70% që e «miraton fuqimisht». Rreth gjysma e votuesve pohon megjithatë se ekonomia është përkeqësuar në vitin e fundit, kundrejt 35% që shohin një përmirësim, një diferencë në rritje konstante.

Vlen të ndalemi mbi këtë të dhënë të fundit. Ajo konfirmon një mospërputhje, tashmë tipike, midis treguesve ekonomikë tradicionalë: inflacioni dhe rritja ekonomike; relativisht pozitivë dhe një perceptimi publik të ekonomisë mjaft negativ. Në fakt, në frontin ekonomik viti i parë i Trump dorëzon një kuadër më pak të brishtë nga sa kritikët druheshin.

PBB-ja e SHBA-së në vitin 2025 është rritur rreth 2,5%, tregjet financiare mbeten të forta, bankat shënojnë fitime rekord dhe inflacioni, i kthyer midis 2,6 dhe 2,7% (larg 2% por nën 3), nuk ka marrë spiralen që tarifat mund të kishin shkaktuar. Kostot tarifore janë thithur në pjesë të madhe nga marzhet e fitimit të ndërmarrjeve, me një transferim të pjesshëm mbi çmimet e konsumit. Në sipërfaqe, ekonomia shfaqet pra nën kontroll dhe është përndryshe në pritje jo vetëm të efektit ekspansiv të Big Beautiful Bill, por edhe të “booster-ave” hipotetikë që Trump mund të lëshojë në prag të zgjedhjeve të nëntorit. Në sfond, dollari mbetet monedha e referencës globale dhe nuk regjistrohen largime nga Thesari. Edhe pse këtu duhet vënë menjëherë një shënim: rritja e arit me mbi 70%, tërheqja në rritje e argjendit dhe bitcoin-it si dhe rënia relative e rezervave globale në dollarë tregojnë se një pjesë e investitorëve po diversifikon progresivisht drejt aseteve të sigurta, jo për frikë nga një krizë e afërt por për t’u mbrojtur nga një erozion i mundshëm i ngadaltë i besimit te dollari si një e mirë publike globale.

Nën hiri, pra, gjendet prushi. Cikli ekonomik amerikan është gjithnjë e më shumë i financiarizuar dhe “capital-intensive”: inteligjenca artificiale, qendrat e të dhënave (data centers), çmimet e aseteve dhe kredia e bollshme mbështesin rritjen, por nuk e përkthejnë atë në punësim të gjerë. Përkundrazi, tregu i punës në SHBA po ngadalësohet në mënyrë të theksuar: në vitin 2025 janë krijuar rreth 584,000 vende pune, pak më pak se 50,000 në muaj, kundrejt 168,000 vendeve mujore të vitit 2024, të dhënat më jashtë recesioneve prej më shumë se njëzet vitesh. Shkalla e papunësisë, megjithëse e kthyer në nivelet para-covid, nuk shpërthen jo vetëm sepse oferta e punës është tkurrur drastikisht, por edhe për të paktën dy të dobëta fenomene sociale paralele. I pari është demografik: projeksionet e Kongresit tregojnë se, me shkallën aktuale të fertilitetit shumë nën nivelin e zëvendësimit (rreth 1,6 fëmijë për grua), rritja natyrore e popullsisë do t’i afrohet zeros brenda dekadave të ardhshme dhe mund të zerohet madje që në vitin 2030 nëse vdekjet do të tejkalojnë lindjet pa një emigracion domethënës. Fenomeni i dytë është pikërisht migrator: emigracioni në SHBA ka rënë nga rreth 2,3 milionë në pak më shumë se 400,000 persona, duke hequr deri në dy milionë punëtorë potencialë. Edhe premtimi i punësimit nga tarifat mbetet i paplotësuar: manifaktura stagnon ose zmbrapset, transporti dhe logjistika ngadalësohen, reshoring (kthimi i prodhimit në vend) nxit po investimet por “mos-punën”.

Shfaqet kështu kuadri i një ekonomie që rritet në sipërfaqe por që, në thelb, nuk arrin të injektojë besim dhe të përmbushë frikën e qytetarëve amerikanë se ndihen më pak të pasur dhe më pak të kamur krahasuar me më parë. Edhe sepse, ndonëse inflacioni është kthyer rreth 2,6–2,7% në 2025, pra nën kontroll por mbi objektivin e Fed, çmimet e konsumit mbeten të larta, me rritje veçanërisht të theksuara në sektorin e banesave dhe atë ushqimor. Pagat javore reale janë rritur vetëm me 0,8% nga dhjetori 2024 deri në dhjetor 2025 kur korrigjohet inflacioni dhe, përtej mesatareve, rritja e të ardhurave reale për shumë fasha të popullsisë ka mbetur e përmbajtur.

Ideja e të mos u ndjerit të përshtatshëm për të jetuar në kontekstin aktual ekonomik mund të shpërthejë fenomene antropologjike dhe rrjedhimisht sociologjike si përjashtimi, izolimi dhe dhuna. Në Shtetet e Bashkuara rreth 1 në 3 nga moshat e rritura, raporton se ndihet shpesh vetëm, rreth 32 për qind deklaron një mungesë domethënëse të lidhjes sociale domethënëse, ndërsa një kuotë konsistente e popullsisë së rritur (lëkundet, në bazë të sondazheve, midis 37 dhe 40 përqind) raporton nivele të moderuara ose të rënda vetmie. Këtu mund të rilidhemi jo vetëm me rënien demografike por edhe me krizën e familjes një fenomen mbi të cilin në SHBA po diskutohet gjithnjë e më shumë por edhe me gjestet e mundshme të dhunës.

Nëse nga njëra anë të dhënat tregojnë se të vdekurit nga armët e zjarrit dhe të shtënat në SHBA në vitin 2025 kanë rënë, nga ana tjetër numrat mbeten shumë të lartë, edhe për lehtësinë e mbajtjes së një arme: në vitin 2025 në Shtetet e Bashkuara qarkullonin mbi 390 milionë armë, më shumë se 120 për çdo 100 banorë, dhe statistikat paraprake të Gun Violence Archive tregojnë se janë regjistruar të paktën rreth 40,000 persona të goditur nga plumbat, me mbi 14,600 të vdekur dhe rreth 26,100 të plagosur. Viti i parë i administratës Trump ka qenë edhe viti i vrasjes së aktivistit politik Charlie Kirk, i një përdorimi më imponues të Gardës Kombëtare tashmë e dislokuar në qytetet kryesore amerikane dhe rrjedhimisht i një fronti të brendshëm gjithnjë e më të nxehtë. Që, në fund, çon në një lidhje por edhe në një integrim të pyetjes nga e cila u nisëm: a i besojnë Shtetet e Bashkuara më shumë apo më pak vetvetes krahasuar me më parë?

Burimi: L’Osservatore Romano

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *