Raporti mes arsyes dhe besimit nuk është thjesht temë qendrore e filozofisë së religjionit, por çështje nga e cila kanë derivuar pothuajse të gjitha pikëpamjet teologjike të mendimit perëndimor. Ky raport, që vjen qysh nga filozofia antike greke e deri në mendimin bashkëkohor, tenton të zbërthejë një nga dilemat njerëzore: si të njohim atë që tejkalon kuptimin tonë?
Besimi, në kontekstin filozofik, shqyrtohet si qëndrim, sepse kjo menyre e të kuptuarit të besimit është ai i cili gjithmonë ka nxitur debate mbi racionalizimin e besimit dhe raportin e këtij të fundit me arsyen. Ka autor që gjatë periudhave të ndryshme besimin e kanë konsideruar si virtyt të personit që e posedon atë, dhe kjo lë për të kuptuar që mosposedimi i besimit është një ves; e si e tillë, kjo është një gjendje për të cilën ne jemi moralisht përgjegjës dhe, duke qenë e tillë, atëherë është nën kontrollin tonë vullnetar. Këtu, autorët e librit “An Introduction to the Philosophy of Religion” shqyrtojnë problemin se sa mund të jetë besimi nën kontrollin tonë, meqenëse, sa do që tentojmë thonë ata ta bindim veten që jemi Shakespeare, nuk arrijmë të bëjmë një gjë të tillë; në këtë mënyrë, shpesh njerëzit përballen me problemin e besimit në Zot.
Besim do të thotë të besosh në rastet kur nuk ka njohuri të plota dhe kjo detyrimisht çon në pyetjen se a mund ta dimë të vërtetën e diçkaje të cilën e besojmë? Por, çfarë provash kërkon besimi fetar? Akuini pohonte se besimi është i bazuar në autoritet dhe në dëshmi; të aderosh në besim do të thotë t’i bindesh një autoriteti të caktuar, sepse në njëfarë mënyre autoriteti e zëvendëson mungesën e arsyes. Por besimi, përveç autoritetit dhe dëshmisë, përfshin këtu edhe përvojën fetare. Rasti i besimit fetar është shumë i ndryshëm nga besimet e tjera që mund të kemi, duke qenë se këtu luan rol edhe përvoja fetare. Njerëzit gjatë kohërave të ndryshme kanë pasur përvoja që i kanë marrë, me të drejtë ose pa të drejtë, si një lloj vetëdijeje të drejtpërdrejtë me Zotin; në këtë mënyrë, subjektit i duket që ka të bëjë me një realitet të jashtëm dhe shumë njerëz besimin e tyre fetar e kanë justifikuar përmes kësaj përvoje. Por kjo nuk ka ndodhur gjithmonë, sepse ka gjëra, sipas autorëve, që mund ta mposhtin vlerën dëshmuese të përvojës fetare. Megjithatë, theksohet që është e vështirë të gjesh argumente që e përjashtojnë tërësisht përvojën fetare dhe të përgënjeshtrosh tërësisht një besim të caktuar.
Nëse kërkojmë pikën e parë të ndarjes midis besimit dhe arsyes, ajo gjendet te Platoni. Në shkallët e njohjes, ai vendos një kufi të prerë:
- Doxa (imagjinata, besimi): Këtu ai vendos pasqyrimet dhe besimin e thjeshtë. Sipas Alegorisë së Shpellës, besimi në këtë nivel na mban vetëm përpara hijeve të objekteve, por jo përpara objekteve të vërteta.
- Episteme (Dija/Arsyeja): Këtu vendoset mendja dhe arsyetimi dialektik.

Për Platonin, dija nuk arrihet me shqisa (ne perceptojmë përmes tyre, por jo me to). Mendja është ajo që gjykon mbi ekzistencën e të butës apo të fortës; rrjedhimisht, vetëm mendja mund të arrijë tek ekzistenca e Absolutes. Kjo skemë platonike shërben më pas si bazë për krishterimin, i cili, gjatë formësimit të tij, u shkri me filozofinë greke për të krijuar një strukturë të qëndrueshme teologjike.
Një prej ndarjeve më subtile në filozofinë e religjionit është ndarja midis fenomenit social të religjionit dhe aktit ekzistencial të besimit. Religjioni, në formën e tij antike (veçanërisht atë romak), operonte si një ‘orthopraksi‘ një sistem ritualesh dhe kultesh që synonin ruajtjen e rendit kozmik dhe politik, pa kërkuar domosdoshmërisht një përfshirje subjektive të bindjes së brendshme. Ndryshimi paradigmatik ndodh me krishterimin, ku thelbi i ekzistencës zhvendoset te folja “Credo” (Unë besoj). Këtu, besimi nuk është thjesht një element i religjionit, por kushti i tij i mundësisë.
Joseph Ratzinger duke analizuar çështjen e besimit dhe arsyes, dekonstrukton mitin e “mesjetës besimtare”, duke prezantuar konceptin e besimtarit nominal. Ndonëse shpesh supozohet se ajo ishte një kohë besimi absolut, Ratzingeri vëren se për një numër të madh, besimi ishte shndërruar në një thjeshtë mënyrë jetese të trashëguar, duke e zbeh kështu aventurën emocionuese që ngërthen fjala “Credo”. Sipas Ratzinger-it, besimi (gjithmonë në kontekstin e besimit të krishterë) nuk ka të bëjë vetëm me gjërat e përjetshme, ashtu siç mendohet shpesh kur përmendet ai. Këto gjëra të përjetshme konsiderohen si jashtë botës dhe kohës njerëzore; përkundrazi, thotë ai, besimi i krishterë ka të bëjë më shumë me Zotin në histori, me Zotin si njeri. Në këtë mënyrë, ai e kupton veten si zbulesë dhe kapërcen hendekun midis të dukshmes dhe të padukshmes, të përjetshmes dhe të përkohshmes, duke bërë që Zotin ta takojmë si njeri.
Thelbi i tërë krishterimit lidhet me fjalën “Credo”, e cila ka kuptimin e të marrit të një qëndrimi mbi themelin e Fjalës së Zotit. Por shpesh kjo ka marrë kuptimin e shprehjes “nëse nuk besoni, nuk do të kuptoni”; ky përkthim, thotë Ratzinger-it, i ka dhënë besimit një kahje tjetër. Ai u intelektualizua në vend që të ruante kuptimin e marrjes së atij pozicioni; u vu në lidhje me të kuptuarit dhe intelektin, gjë që ka qenë e papërshtatshme për besimin, edhe pse u ruajt kuptimi qenësor i tij.
“Credo”, sipas tij, nuk është një dije e paplotë apo një opinion që më pas mund ose duhet të shndërrohet në dije praktike. Besimi konsiderohet si një formë njerëzore për të marrë një qëndrim; një formë që nuk reduktohet në dije dhe nuk matet me të. Madje, besimi do të dukej qesharak nëse do të përpiqej të etablohej në një mënyrë të tillë. Ratzinger-i shprehet se nuk ka shpëtim nga dilema e të qenit njeri; fjala “ndoshta” e vendos njeriun përballë problemit të Zotit. Është struktura themelore e njeriut që ta gjejë dimensionin përfundimtar të ekzistencës së tij vetëm në rivalitetin e pandalshëm midis besimit dhe dyshimit, sepse askush nuk mund t’i shpëtojë plotësisht as njërës, as tjetrës.
Kjo përpjekje për të mos e lënë besimin të mbetet i paarsyeshëm nisi që me Etërit e Kishës. Klementi i Aleksandrisë insistonte se dogmat duhet të pranohen edhe nga arsyeja, sepse e vërteta nuk mund të jetë iracionale. Nga takimi i besimit biblik (Jerusalemit) dhe filozofisë greke (Athinës) lindi teologjia katolike si përpjekje për të racionalizuar Qenien Absolute përmes kategorive filozofike. Kjo rrugë gjeti kulminacionin e saj te Toma Akuini, i cili ndërtoi doktrinën e “së vërtetës së dyfishtë”. Akuini argumentoi se, ndonëse ka të vërteta që e tejkalojnë kapacitetin njerëzor, arsyeja mund të arrijë në mënyrë autonome te të vërteta rreth pretendimeve fetare, edhe pa ndihmën e besimit. Për të, besimi mbetet një akt intelektual ku objekti është e vërteta, duke krijuar një përputhshmëri ku arsyeja nuk shihet më si skllave, por si partnere legjitime. Përmes kësaj sinteze, mendimi mesjetar ruajti autoritetin e zbulesës pa asgjësuar integritetin e mendimit racional.
Si përfundim, ndarja metodologjike midis arsyes dhe besimit shpjegohet qartë përmes analizës së Frederick Copleston-it: “Filozofia dhe shkencat e tjera njerëzore mbështeten thjesht dhe vetëm në dritën natyrore të arsyes: filozofi përdor parime që njihen nga arsyeja njerëzore. Teologu në anën tjetër, ani pse përdor arsyen e tij, pranon parimet e tij mbi autoritetin, mbi besimin; ai i pranon ato siç i janë zbuluar.”
Filozofi nuk ka nevojë për një premisë mbinatyrore; ai niset nga të dhënat e arsyes dhe përfundon në konkluzione po aq racionale. Teologu, ndonëse mund të shfrytëzojë argumentet logjike, i pranon parimet, të dhënat e tij mbi bazën e zbuleses. Këtu qëndron specifika e teologjisë skolastike: ajo nuk e kthen teologjinë në filozofi, por bëhet një praktikë e nisjes nga premisa të zbuluara për të mbërritur në një kuptueshmëri më të lartë përmes argumentimit racional. Siç vëren Copleston, edhe kur teologu tenton të analizojë mistere të tilla si Trinia, ai vazhdon të veprojë si teolog, pasi pika e tij e referimit mbetet dogma e shpallur dhe jo një konkluzion i pavarur i nxjerrë nga një silogjizëm filozofik. Ky dallim lejon që secila disiplinë të ruajë integritetin e vet metodologjik, duke përdorur filozofinë si një mjet për të ndriçuar dimensionet e misterit të zbuluar.
Referenca:
Platoni (2017). Republika. Tiranë: Plejad
Ratzinger, J. (2023). Hyrje në Krishterim. Prishtinë: Alphabet J&H
Murray, M. J., & Rea, M. C. (2008). An introduction to the philosophy of religion. Cambridge University Press.

Marigona Gegaj
është studente në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, ku po formohet akademikisht në fushën e mendimit filozofik dhe shoqëror. Interesat e saj përqendrohen në reflektimin kritik mbi njeriun, shoqërinë, vlerat dhe religjionin që formësojnë jetën publike dhe personale, duke e parë filozofinë si mënyrë për thellimin e vetëdijes dhe të dialogut intelektual.





