Kushtetuta nuk agjëron!

4 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është i qartë: Kosova është shtet laik dhe neutral në çështjet fetare. Ky parim është një detyrim për çdo institucion publik të mos promovojë fe të caktuara, e aq më pak të marrë vendime administrative të ndikuara nga dogmat apo idetë fetare.

Duke parë vendimin e fundit të DKA-së në Prishtinë për ndryshimin e orarit shkollor për “respekt të agjëruesve“, kjo duket si një sfidë direkte ndaj vetë neutralitetit të cilin e përcakton Kushtetuta. Madje, këtu duhet përmendur se DKA-ja nuk ka kompetencë të ndryshojë kohëzgjatjen e orëve, e as të pushimeve, pa pëlqimin paraprak të MASHT-it.

Në njoftimin e tyre, ata thonë se: “është vendosur që mësimi të fillojë nga ora 07:30, të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit si dhe të reduktohen pushimet e gjata“. Kjo do të thotë se shkurtohet “mespushimi” i cili zgjat 5 minuta deri në ardhjen e profesorit tjetër. A do të thotë kjo se profesori duhet të vrapojë nga klasa në klasë që të zërë minutazhin prej 2.5 minutash?!

Pushimi i gjatë është i domosdoshëm për t’u ushqyer dhe për të rifreskuar trurin nga informacionet që merr për orë me radhë. Pretendimi se “ruhet cilësia” ndërkohë që nxënësit i hiqet mundësia për të marrë frymë lirisht, është një e vërtetë që nuk funksionon teknikisht.

Ora mund edhe të zgjasë 45 minuta, por nëse truri i nxënësit është i “lidhur”, efektiviteti i asaj ore bie nën 50%. Prandaj, cili është përfitimi real?

Ne mund të argumentojmë nga pozicioni i laicizmit ose nga ai i të drejtave të njeriut, por a është e nevojshme që Kushtetuta të sfidohet kaq lehtësisht për hir të ca popullizmave dhe motiveve fetare? Ndoshta faji edhe nuk është i tëri te institucionet, por te mënyra se si e konceptojmë besimin.

Siç i urdhëronte Jezu Krishti njerëzit që në të vërtetë janë besimtarë: “Jepni Cezarit çka i takon Cezarit, e Hyjit çka i takon Hyjit”. Cezarit (lexo: shtetit) jepi respektimin e ligjit, orarit dhe rregullit publik ose edhe pagesën e tatimeve; ndërkaq agjërimin mos ia “shit” shtetit. 🙂

Nëse do të ndiqej parimi i Jezu Krishtit:

“Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni fare shpërblimi te Ati juaj që është në qiell… Edhe kur të agjëroni mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, që të mos e venë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë” (Mt 6, 1-18);

…atëherë agjërimi do mbetej një sakrificë personale e padukshme për sytë e administratës dhe shkolla do të mbetej ajo që Kushtetuta synon pra një hapësirë neutrale, laike dhe e barabartë për të gjithë.

TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *