Papa Leoni XIV i akordohet Medalja e Lirisë 2026: Një nderim për lirinë fetare dhe dinjitetin njerëzor

Papa ftoi popullin amerikan ta shohë këtë përvjetor jo thjesht si një festim historik, por si një rast për t'u rikthyer tek idealet mbi të cilat u themelua kombi: jeta, liria, drejtësia, paqja dhe dinjiteti i çdo njeriu.

3 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Më 3 korrik 2026, në prag të 250-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, u nderua me Medaljen e 38-të të Lirisë (Liberty Medal), një nga çmimet më prestigjioze civile amerikane, e dhënë nga National Constitution Center në Filadelfia. Medalja iu akordua për angazhimin e tij shumëvjeçar në mbrojtjen e lirisë fetare, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe dinjitetit të çdo personi njerëzor. 

Ky nderim merr një domethënie të veçantë jo vetëm sepse Papa Leoni XIV është Papa i parë amerikan në histori, por edhe sepse ceremonia u zhvillua pikërisht në qytetin ku u nënshkruan Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta amerikane, dokumente që vendosën themelet e mbrojtjes së lirive themelore. 

Në fjalimin e tij, të transmetuar drejtpërdrejt nga Vatikani, Papa ftoi popullin amerikan ta shohë këtë përvjetor jo thjesht si një festim historik, por si një rast për t’u rikthyer tek idealet mbi të cilat u themelua kombi: jeta, liria, drejtësia, paqja dhe dinjiteti i çdo njeriu. Ai theksoi se madhështia morale e një kombi nuk matet vetëm me fuqinë e tij ekonomike apo ushtarake, por me aftësinë për të mbrojtur më të pambrojturit dhe për të respektuar ndërgjegjen e çdo personi. 

Liria fetare: një e drejtë, jo një privilegj

Në traditën katolike, liria fetare buron nga vetë dinjiteti i personit njerëzor, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Hyjit. Kjo u shpreh qartë nga Koncili II i Vatikanit në deklaratën Dignitatis Humanae, e cila mëson se askush nuk duhet të detyrohet të veprojë kundër ndërgjegjes së tij në çështjet fetare.

Në këtë kuptim, Medalja e Lirisë është një njohje publike e rëndësisë universale të lirisë së ndërgjegjes dhe të së drejtës për të kërkuar të vërtetën.

Një mesazh për kohën tonë

Në një epokë të polarizimit politik, konflikteve kulturore dhe kufizimeve të lirisë fetare në shumë pjesë të botës, fjalët e Papa Leonit XIV tingëllojnë si një thirrje për t’u kthyer tek parimet që mbrojnë njeriun, pavarësisht përkatësisë së tij.

Liria përveç të qenit aftësia për të zgjedhur çfarë të duam, është mbi të gjitha mundësia për të zgjedhur të mirën. Dhe e vërteta nuk është armike e lirisë; përkundrazi, sipas traditës së krishterë, vetëm e vërteta e bën njeriun vërtet të lirë (Gjn 8,32).

Prandaj, nderimi i Papa Leonit XIV me Medaljen e Lirisë përfaqëson një kujtesë se mbrojtja e lirisë fetare, e dinjitetit njerëzor dhe e ndërgjegjes mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të qytetërimit bashkëkohor.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *