Përsekutimet ndaj të krishterëve në Nigeri nuk janë produkt i të tashmës, por rezultat i një të kaluare të tensionuar që vazhdon të riprodhohet në forma të reja. Konfliktet aktuale kanë rrënjë të thella në periudhën e pranishmërisë koloniale britanike, kur u krijua ndarja e veriut dhe jugut: veriu mysliman dhe jugu kryesisht i krishterë. Kjo logjikë e ndarjes “ne” dhe “ata” ka ushtruar ndikim të vazhdueshëm, duke ngritur tensione të pastra religjioze ndaj të cilave kemi qenë deshmitarë çdo ditë së fundmi.
Britanikët mbështetën misionarët e krishterë, sidomos Kishën Anglikane dhe Kishën Katolike Romake me qellimin për të përhapur fenë, arsimin dhe kulturën perëndimore. Këto zhvillime u përqendruan kryesisht në jug, i cili nuk kishte një autoritet fetar të unifikuar, ndryshe nga veriu i udhëhequr nga Sharia. Kësisoj, jugu u “pasurua” me institucione arsimore, shëndetësore e kulturore që ndiqnin parimet e krishtera, duke krijuar një ndarje të thellë kulturore, ekonomike dhe sociale me veriun që mbeti në strukturat tradicionale dhe rezistent ndaj çdo “fryme perëndimore”.
Në vitet ’80 shpërthyen revolta fetare kundër rrymave perëndimore që tashmë kishin depërtuar në Nigeri. Muhammad Yusuf themeloi atë që sot njihet si Boko Haram, i frymëzuar nga predikuesi Maitatsine, i cili ndalonte çdo libër përveç Kuranit. Ky qëndrim nuk ishte thjesht anti-perëndimor, por thellësisht metafiziko-ortodoks: midis njeriut dhe të vërtetës hyjnore nuk mund të ndërmjetësojë asgjë. Çdo gjë që nuk është “Kuran” konsiderohet idhujtari, forma adhurimi që pengojnë njohjen e vërtetë të Zotit. Bashkë, këto dy figura krijuan një botëkuptim të ri, sipas të cilit bota nuk është e hapur ndaj njeriut, por kuptimi i saj gjendet vetëm brenda teksteve të mbyllura me interpretime të paracaktuara.
Boko Haram nisi sulmet intensive në vitet 2009–2010. Lista e viktimave është mjaft e gjatë, por qëllimi i këtij artikulli nuk është të paraqesë statistika (të cilat mund të gjinden lehtë në Google), por të kuptojë rrënjët dhe natyrën e dhunës.
Dhuna si spektakël dhe mekanizëm pushteti
Michel Foucault, në librin Disiplinë dhe Ndëshkim, e nis analizën me ekzekutimin publik të vitit 1757 – dënimin e Damienit; përmes shqyrtimit të këtij ekzekutimi, që padyshim është i dhunshëm dhe mizor, ai synon të shpërfaqë mënyrën se si autoriteti i asaj kohe përpiqej të tregonte pushtetin mbi trupat e individëve, duke e bërë ekzekutimin një spektakël publik që të pranishmit mund ta shihnin dhe përjetonin drejtpërdrejt. Edhe pse format e ndëshkimit ndryshuan në epokën moderne, logjika e ushtrimit të pushtetit mbeti e ngjashme.
Nga kjo perspektivë, veprimi i Boko Haram prej vitit 2009 e këndej duket më i kuptueshëm: sulme të hapura, spektakolare, që synojnë të rrisin efektin e frikës në komunitet: bombardime, rrëmbime të grave dhe fëmijëve, sulme në kisha, grabitje të klerit katolik. Megjithatë, Foucault nuk e koncepton pushtetin si diçka që zotërohet; ai e sheh pushtetin si marrëdhënie, si qarkullim dhe praktikë. Në tekst, shembulli i ekzekutimit publik përdoret për të treguar se si spektakli i ndëshkimit funksionon si mekanizëm disiplinues, jo për ta banalizuar konceptin e Foucault. Pushteti i përmendur këtu është pushteti ndëshkimor, që ndërvepron me institucionet dhe aparatet shtetërore, duke i prodhuar efekte konkrete mbi komunitetin.
Kjo mënyrë e të vepruarit, e kthen Zotin në instrument të pushtetit, do të thotë Zoti bëhet mjet që arsyeton çdo qëllim, liderët e ndryshëm, grupet, institucionet “zotërojnë” të vërtetën, së këndejmi nuk ka hapësirë më për të kritikuar, dhe çdokush që hyn në rrugën e kritikës, ka një etiketë të gatshme: heretik!
Prandaj të krishterët janë figura e pastër e heretikëve në Nigeri, sepse janë kundërshtarë të instrumentalizimit të Zotit, rrjedhimisht shpallja se Zoti është Dashuri (1 Gjn 4,16) e kërcënon individin të vetëdijësohet mbi dinjitetin e tij, Zotin, dhe Tjetrin. Ky vetëdijësim e kërcënon logjikën e ekstremizmit sepse subjekti fillon të kthehet kah vetja dhe ta përceptojë vetveten dhe Tjetrin, kështu ai është i gatshëm të refuzojë hierarkinë, dhunën dhe nënshtrimin.
Kjo situatë nuk është e pranueshme për dikë që tenton të nënshtrojë dhe mbjellë frikë, prandaj edhe situata e Boko Haram dhe grupeve të tjera ekstremiste të afërta me identitetin sunni salafi, që përjashtojnë shiitët, sufistët dhe veçanërisht të krishterët, mishëron konceptin e Amin Maalouf për “identitetin vrastar” identifikimi i vetes vetëm si “sunni salafi” ka krijuar tashmë një dikotomi të pakapërcyeshme: i drejtë vs. i gabuar; i mirë vs. i keq; besimtar vs. jobesimtar.






