Pse kozmologjia pa filozofi është si një anije pa trup?

11 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Kjo ese lind nga pyetja nëse kozmologjia mund të qëndrojë vërtet më vete, pa reflektim filozofik. Duke u nisur nga kritikat e shpeshta ndaj filozofisë në fizikë, teksti ndalet te supozimet e heshtura që qëndrojnë në themel të studimit të Universit: mënyra se si e lidhim teorinë me realitetin, parimet mbi të cilat ndërtojmë modelet kozmologjike dhe kufijtë e asaj që mund të vëzhgojmë e të provojmë. Pa pretenduar të japë përgjigje përfundimtare, eseja përpiqet të tregojë se filozofia nuk është një shtesë e panevojshme, por një pjesë e brendshme e përpjekjes njerëzore për ta kuptuar Universin dhe vendin tonë brenda tij.


Çfarë po ndodh me ata që e urrejnë filozofinë në astrofizikë dhe kozmologji? Nga pohimi i Stephen Hawking se “filozofia ka vdekur”, deri te jeremiada e gjatë, kapitull pas kapitulli, e Steven Weinberg ‘Against Philosophy’ në Dreams of a Final Theory (1992), shumë fizikantë dhe astrofizikantë mendojnë se filozofia është e padobishme, ose të paktën e padobishme për shkencën. Në të njëjtën kohë, Hawking dhe bashkautori i tij Leonard Mlodinow paraqitën një qasje ndaj hetimit shkencor të quajtur “realizëm i varur nga modeli” në The Grand Design (2010), ndërsa libri i Weinberg-ut argumenton me pasion dhe në mënyrë thellësisht filozofike – kundër pozitivizmit logjik dhe metafizikës. Nëse filozofia është kaq e padobishme, pse Hawking dhe Weinberg po ashtu edhe Neil deGrasse Tyson, Lawrence Krauss dhe antifilozofë të tjerë janë përfshirë kaq shpesh në diskursin filozofik?

Pavarësisht asaj që mund të mendojnë ata që e urrejnë filozofinë, të gjitha fushat e shkencës përballen me pyetje që nuk mund të marrin përgjigje brenda vetë procesit shkencor. Sa herë që shkencëtarët shqyrtojnë mënyrën më të mirë për të testuar një teori, ose pyesin veten se si modelet shkencore lidhen me realitetin, ata po merren me filozofi. Por, në pozicionin e saj unik si studim i ekzistencës në tërësi, kozmologjia në veçanti është e mbushur me enigma dhe pozicione filozofike.

Në fakt, ekziston një besim filozofik që fshihet në zemër të kozmologjisë. Parimi kozmologjik pohon se, në shkallë të mëdha, Universi është homogjen (duket i njëjtë në të gjitha vendet) dhe izotropik (duket i njëjtë në të gjitha drejtimet). Për shembull, pamja nga një anije në mes të oqeanit do të ishte izotropike; por, kur toka shfaqet në horizont, pamja nuk është më e njëjtë në të gjitha drejtimet. Vetë sipërfaqja e oqeanit mund të jetë homogjene, të paktën derisa t’i afroheni bregut.

Parimi kozmologjik është themelor për të kuptuar se si evoluoi Universi, duke u zgjeruar nga një plazmë e nxehtë dhe uniforme dhe duke u ftohur për të formuar rrjetën e ndërlikuar kozmike që sot mund ta vëzhgojmë përmes teleskopëve tanë. Për të supozuar homogjenitet dhe izotropi kudo, së pari duhet të mesatarizohen dallime të vogla dhe të parëndësishme, si planetë të tërë apo edhe galaktika. Parimi kozmologjik është, pra, një parim statistikor: ai është i vlefshëm vetëm nëse zbatohet në shkallë mjaftueshëm të mëdha.

Por edhe atëherë, mund të mos jetë i vërtetë. Universi nuk ka domosdoshmërisht nevojë të jetë homogjen: teoria e gravitetit e Albert Einstein funksionon edhe në mungesë të homogjenitetit, madje vetë graviteti parashikon që strukturat të rriten me kalimin e kohës duke theksuar ndryshimet fillestare. (Nëse këto ndryshime fillestare burojnë nga “luhatjet kuantike” të grimcave virtuale që shfaqen dhe zhduken, apo nga ndonjë teori tjetër edhe më e çuditshme.. mbetet një çështje e pazgjidhur.)

Si pasojë, shkencëtarët mbeten në një gjendje pranimi hezitues. Parimi kozmologjik është themelor për mënyrën se si e përshkruajmë evolucionin e Universit, megjithatë deri më tani nuk kemi qenë në gjendje të dëshmojmë se ai është domosdoshmërisht i vërtetë. Përpjekjet për të matur nëse Universi është homogjen ose në çfarë shkalle bëhet homogjen kanë dhënë rezultate të përziera. Megjithatë, izotropia kozmologjike është vëzhguar realisht: rrezatimi kozmik i sfondit me mikrovalë, i emetuar nga kudo në Univers disa qindra mijëra vjet pas Big Bang-ut, është izotropik me një saktësi prej një pjese në 100,000. Në mënyrë analoge, anija jonë në oqean mund të vërejë ndryshime të vogla, si valë të trazuara, por pamja e përgjithshme mbetet kryesisht izotropike.

Megjithatë, është e mundur të kemi izotropi pa homogjenitet. Për një vëzhgues në qendër të një shpërndarjeje sferike të materies, gjithçka duket njësoj në të gjitha drejtimet, por një shpërndarje e tillë nuk ka pse të jetë homogjene. Pavarësisht kësaj, shumë kozmologë janë të kënaqur të besojnë se homogjeniteti ekziston në një shkallë të caktuar, pavarësisht nëse është matur apo jo – sepse, me ndihmën e një parimi joempirik, filozofik, homogjeniteti rrjedh logjikisht nga izotropia.

Ky parim njihet si parimi Kopernikan, i cili pohon se nuk ka vëzhgues të privilegjuar: ne nuk ndodhemi në një vend të veçantë në Univers, dhe qendra do të ishte pikërisht një vend i tillë i veçantë. Sipas këtij parimi, Universi duhet të jetë izotropik kudo, nga të gjitha pikat e vëzhgimit, jo vetëm nga e jona dhe, që kjo të jetë e vërtetë, Universi duhet të jetë gjithashtu homogjen. Nëse çdo anije sheh një pamje izotropike, nuk duhet të ketë tokë që t’i bëjë gjërat të duken ndryshe; rrjedhimisht, oqeani duhet të jetë i njëjtë në çdo vendndodhje.

Parimi i Kopernikut është pranuar aq gjerësisht në kozmologji, saqë shumë shkencëtarë e ngatërrojnë atë me parimin kozmologjik, ose thjesht e marrin si të mirëqenë, madje edhe në tekstet shkollore. Për të qenë të saktë, parimi kozmologjik mund të shihet si një version më i përgjithshëm i atij Kopernikan pasi, në një univers homogjen dhe izotropik, nuk ka vëzhgues të privilegjuar apo vende të veçanta askund. Megjithatë, parimi kozmologjik mund të testohet në mënyrë eksplicite, ndërsa parimi i Kopernikut miraton një besim mbi mënyrën se si është Universi, pa iu referuar drejtpërdrejt të dhënave empirike. Ai është gjithashtu një nocion qartazi modern; gjatë pjesës më të madhe të historisë njerëzore, njerëzit nuk e kishin problem të besonin se Toka ishte në qendër të gjithçkaje.

Rëndësia e këtyre pozicioneve në kozmologji është vetëm një nga mënyrat në të cilat kjo disiplinë mbështetet në argumente filozofike. Ashtu si astronomia e cila merret me studimin e objekteve qiellore; kozmologjia mund t’i testojë teoritë e saj vetëm përmes vëzhgimit, jo përmes eksperimentimit. Ne nuk mund të kryejmë eksperimente mbi Universin në tërësi, ashtu siç nuk mund të shpërthejmë një yll në laborator. (Edhe sikur të mundnim, dikush mund të merrte një qëndrim filozofik se nuk duhet ta bëjmë.) Por, ndërsa astronomët ndërtojnë teleskopë për të vëzhguar miliona galaktika apo miliarda yje, ekziston vetëm një Univers (ose, nëse duhet, vetëm një multivers). Për më tepër, ne jemi të kufizuar në një pikë vrojtimi dhe mund të vëzhgojmë vetëm një vëllim të kufizuar edhe pse jashtëzakonisht të madh të Universit. Këto kufizime nënkuptojnë se zgjedhjet filozofike do të luajnë gjithmonë një rol në ndërtimin dhe testimin e teorive kozmologjike.

Përtej çështjeve metodologjike, përmbajtja e vetë kozmologjisë ngre pyetje filozofike mbi natyrën e ekzistencës. Kozmologjia merret me fillimet, në kuptimin më themelor të mundshëm. A filloi Universi në singularitetin fillestar të Big Bang? A filloi edhe vetë koha? (Dhe a ka kuptim kjo pyetje?) Apo ndoshta singularitetet (pika të pafundësisë së lokalizuar), si vrimat e zeza tregojnë një problem me teoritë tona aktuale? Ndoshta duhet të preferojmë kozmologjitë ciklike, në të cilat Big Bang-u u parapri nga kolapsi i një universi të mëparshëm, prej të cilit lindi Universi ynë. Dhe, nëse nuk është e mundur të riprodhohen kushtet e Universit të hershëm, nëse këto energji të larta janë të paarritshme për çdo përshpejtues grimcash të imagjinueshëm që mund të ndërtojmë atëherë si mund t’i zgjidhim këto enigma?

Nuk është domosdoshmërisht detyra e kozmologut të meditojë apo t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, ashtu siç nuk është detyra e një filozofi të shkencës të formulojë një “teori të gjithçkaje”. Megjithatë, kozmologët mund të përfitojnë nga një bashkëpunim më i hapur me bashkëudhëtarët e tyre filozofikë. Me kaq shumë shkencëtarë të ngujuar në korniza si falsifikimi popperian, dhe ndërsa fizikantët e grimcave dhe kozmologët enden në arsyetime antropike të turbullta mbi multiverset, me siguri do të na duhej pak ndihmë. Numri në rritje i nismave në filozofinë e kozmologjisë mund të jetë një shenjë se perspektiva po përmirësohet, pavarësisht kundërshtarëve. Shembulli i parimit kozmologjik na kujton se kozmologjia është e mbushur me zgjedhje filozofike, pavarësisht nëse ne jemi të vetëdijshëm për to apo jo.

Autor: Bridget Falck

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *