Tinguj, fe dhe kulturë

5 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.
Siç thotë Kierkegaard: "Gjerat më të larta dhe më të bukura në jetë nuk janë për t’u dëgjuar, as për t’u lexuar, as për t’u parë; ato, nëse njeriu do, janë për t’u jetuar.". Ky proces i të jetuarit, lutje, nuk fillon nga detyrimi moral, por nga mahnitja.

Kisha Katolike e Kosovës po e riforcon lidhjen historike ndërmjet Kishës dhe muzikës klasike përmes intensifikimit të organizimeve të koncerteve në bashkëpunim me kore vendore, në kuadër të festës së Krishtlindjes. Këto aktivitete po zhvillohen në famulli si Prishtina, Klina, Bishtazhini dhe Pjetërshani.

Muzika klasike, për kishën Katolike, nuk është thjesht produkt artistik, por ka gjenë gjithmonë pasqyrë e raportit shpirtëror dhe kulturor, e formuar historikisht nga krishtërimi. Tradita klasike perëndimore ka lindur nga vetë muzika liturgjike, kujtojmë këtu kantatet gregoriane, të kodifikuara nga Papa Gregori I, ku tingulli u bë gjuhë e misterit. Edhe atëherë kur muzika artistike u çlirua nga shërbimi i drejtpërdrejtë ndaj Kishës, thelbi i saj mbeti i njëjtë: bukuria, harmonia, e përtejshmja, aspirimi drejt së shenjtës. Nuk është rastësi që veprat e Bach-ut, Beethoven-it apo Mahler-it na japin ndjesinë e një pranie metafizike që e prek dëgjuesin emocionalisht dhe shpirtërisht.

Në këtë kuptim, bukuria në jetën e Kishës nuk është dekor, por udhërrëfyes. Ajo i ndalon njerëzit, i nxjerr për një çast nga rutina dhe i fton të hyjnë në përsiatje përballë një jete që nuk mbaron me dukjen. Arti shndërron hapësirat e thjeshta në vendtakime ku jetohet thellësisht: aty ku zemra fillon të mendojë, të ndjejë dhe shpesh, sintetikisht të lutet. E kjo lutje asht të jetuarit e çastit. Siç thotë Kierkegaard: “Gjerat më të larta dhe më të bukura në jetë nuk janë për t’u dëgjuar, as për t’u lexuar, as për t’u parë; ato, nëse njeriu do, janë për t’u jetuar.“. Ky proces i të jetuarit, lutje, nuk fillon nga detyrimi moral, por nga mahnitja. Një pikturë, një ikonë, një psalm i kënduar mirë, mund të bëhen porta për në mister drejt hyjnores.

Në këtë frymë, edhe muzika në Kishë merr një dimension tjetër por përveç si shoqërim i liturgjisë, ajo bëhet vendi ku Zoti flet, ku fjalët nuk mjaftojnë më. Siç shohim edhe në Ungjill, Hyji nuk imponon, por fton; nuk shpjegon gjithçka, por lë hapësirë për përjetim. Muzika e bën pikërisht këtë, përgatit zemrën, e zbut, e hap për të dëgjuar një zë që shkon përtej logjikës së ftohtë. Një psalm i kënduar me shpirt mund të ringjallë shpresë, të sjellë pendesë, të ndezë gëzim, më shumë se një shpjegim apo predikim i gjatë.

Koncertet e Krishtlindjes, të organizuara këto vite në famullitë e Ipeshkvisë së Kosovës kanë lind nga bindja se feja është dhurata më e madhe që i bëhet lirisë sonë, e kjo liri praktikohet vetëm në të jetuar (lutje): gëzim, festë, bashkim. Krishtlindja është hyrja e Zotit në historinë tonë konkrete. Muzika, në këtë kontekst, bëhet urë midis altarit dhe jetës së përditshme. Mëson njeriun që të ndalet, të dëgjon, të mahnitet përsëri. Në një shoqëri të lodhur nga zhurmat dhe nga ritmi i ethshëm, koncerti në Kishë është ftesë për jetesë të misterit shpirtëror, paqe të brendshme dhe për rizbulim të kuptimit të festës.

Por muzika nuk vepron vetëm individualisht, ajo formon bashkësi. Kur njerëzit mblidhen për të dëgjuar, për të kënduar apo edhe për të heshtur së bashku, ndodh diçka që shkon përtej individit. Në këto takime lind një vetëdije e thjeshtë dhe e thellë: “unë jam ” por “nuk jam vetëm”. Shpesh, pas koncerteve, shihen fytyra që zbuten, sy që lotojnë, njerëz që afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Këto momente hapin rrugë për dialog, për pajtim, për kthim shpirtëror. Pikërisht këtu feja merr frymë, e tashmja përjetohet intensivisht.

Kjo përvojë ngre një pyetje të rëndësishme për të rinjtë me talent artistik. Talenti nuk është pronë private, është thirrje. Arti merr kuptim të plotë kur bëhet shërbim, kur shndërrohet në ngushëllim, në dritë, në udhëzim për dikë tjetër. Kur arti bashkohet me dashurinë për njeriun, ai nuk mbetet thjesht “performancë”. Bëhet dhuratë, dhe dhuratat e vërteta ndërtojnë zemra dhe komunitete.

Në këtë mënyrë, rikthimi i muzikës klasike në jetën e Kishës nuk është nostalgji për të shkuarën, por një mënyrë e re për të kujtuar se besimi jeton, flet dhe prek, pikërisht atëherë kur bukuria bëhet lutje dhe kur tingulli na çon përtej vetes, drejt Atij që është burimi i çdo harmonie.


Ansambli “HARMONIUS”, Pjetërshan, 13.12.2025.
Kori “Siparantum”, Klinë, 8.12.2025.
Kori i Katedrales “Shën Nënë Tereza”, 22.12.2025

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *