7 minuta duartrokitje për Papa Leone XIV: kur Parlamenti dëgjon atë që politika shpesh e harron

7 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.
Pope Leo XIV speaks at the Spanish Parliament during his apostolic journey in Madrid, Spain, June 8, 2026. REUTERS/Yara Nardi/Pool

Vizita e Papa Leone XIV në Spanjë përtej një ndalese diplomatike, ajo u kthye në një moment të rrallë ku politika, feja, ndërgjegjja dhe kriza morale e Perëndimit u takuan në të njëjtën sallë që ishte Parlamenti spanjoll.

Udhëtimi apostolik i Papës në Spanjë zhvillohet nga 6 deri më 12 qershor 2026, me ndalesa në Madrid, Barcelonë dhe Ishujt Kanarie. Në agjendë janë takime me autoritetet shtetërore, me Kishën lokale, me të rinjtë, me botën e kulturës, me të varfrit dhe me migrantët. Por pika më e fuqishme simbolike ishte fjalimi i 8 qershorit në Kongresin e Deputetëve, ku Papa iu drejtua anëtarëve të Parlamentit spanjoll.

Ky ishte një moment historik. Për herë të parë një Papë foli para Parlamentit të Spanjës. Në një vend ku sekularizimi ka ecur fort, ku debati publik shpesh e sheh fenë si diçka private ose të tejkaluar, prania e Papës në zemër të institucioneve politike nuk ishte vetëm protokoll. Ishte një provë. Jo për forcën politike të Kishës, por për aftësinë e politikës për të dëgjuar një zë shpirtëror që nuk vjen nga sondazhet, partitë apo interesat e ditës.

Pas fjalimit, Papa Leone XIV mori një ovacion në këmbë që zgjati shtatë minuta. Ky fakt është raportuar nga agjenci dhe media ndërkombëtare, përfshirë AP dhe Reuters. Ligjvënësit u ngritën në këmbë dhe në sallë u dëgjuan edhe thirrjet “Viva el Papa!”. Shtatë minuta duartrokitje në Parlament janë shenjë se edhe në një kohë të lodhur nga ideologjitë, fjala shpirtërore dhe morale e krishterë ka peshë të pa zavendësueshme.

Fjalimi i Papës ishte i qartë dhe i fortë i pa prekur nga sentimentalizmi. Foli për një botë që, sipas tij, po kalon një “krizë të thellë shpirtërore dhe kulturore”. Kjo krizë përtej të qenit politike po shfaqet në dhunë, në polarizim, në mosbesim dhe në humbjen e kuptimit të dinjitetit njerëzor.

Për këtë arsye, duket që Papa e vendosi në qendër paqen. Por jo paqen si slogan diplomatik. Ai tha se “paqja nuk është vetëm aspiratë politike, por nevojë morale”. Kjo fjali ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj një politike që shpesh e mat sigurinë vetëm me armë, buxhete ushtarake dhe aleanca strategjike.

Papa paralajmëroi se armët mund të japin vetëm iluzionin e qetësisë. “Armët mund të imponojnë heshtje të përkohshme”, tha ai, por nuk mund të ndërtojnë një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme. Në një Europë që po flet gjithnjë e më shumë për riarmatim, ky paralajmërim ishte i rëndësishëm. Siguria e vërtetë lind nga drejtësia, dialogu dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare.

Një tjetër pikë e fortë e fjalimit ishte inteligjenca artificiale në luftë. Papa kërkoi “mbikëqyrje etike rigoroze” mbi sistemet automatike të armëve, në mënyrë që vendimet mbi jetën dhe vdekjen të mos i lihen makinave. Në një epokë ku teknologjia ecën më shpejt se ndërgjegjja morale, ky paralajmërim nuk është luks filozofik. Është urgjencë njerëzore.

Papa foli edhe për migrantët. Ai e trajtoi emigrimin si dramë njerëzore. Sipas tij, tragjedia e migrimit sfidon ndërgjegjen e kombeve dhe themelin etik të rendit ndërkombëtar. Ai kërkoi rrugë të sigurta dhe ligjore, pritje me dinjitet dhe integrim real. Por njëkohësisht theksoi edhe të drejtën e njeriut për të mos u detyruar të largohet nga vendi i vet për shkak të luftës, varfërisë, pasigurisë apo krizës klimatike. Të presësh atë që ikën është detyrë morale. Por të krijosh një botë ku njeriu nuk detyrohet të ikë nga shtëpia e vet është detyrë edhe më e thellë politike.

Një nga pjesët më të forta të fjalimit ishte mbrojtja e jetës njerëzore. Papa tha qartë se “çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet nga ngjizja deri në vdekjen natyrore”. Në një parlament ku temat e abortit dhe eutanazisë janë të ndjeshme, kjo fjali pati peshë të veçantë.

Ai shtoi se kur kjo bindje errësohet, “më të dobëtit bëhen viktimat e para”. Këtu qëndron edhe dallimi midis një ligji që thjesht miratohet dhe një ligji që është vërtet i drejtë. Ligji nuk është i madh vetëm sepse ka kaluar në parlament. Ligji është i madh kur arrin të qëndrojë përballë dinjitetit të njeriut pa u turpëruar.

Papa foli edhe për familjen dhe arsimin. Ai mbrojti të drejtën parësore të prindërve në edukimin e fëmijëve dhe e paraqiti familjen si realitetin e parë njerëzor ku mësohet dashuria, kujdesi, përgjegjësia dhe bashkëjetesa. Në një kohë kur individi shpesh izolohet në dëshirën e vet, Papa rikujtoi se shoqëria nuk ndërtohet mbi ego të shkëputura, por mbi marrëdhënie që edukojnë ndërgjegjen.

Prandaj ovacioni shtatëminutësh ka rëndësi. Jo sepse duartrokitjet e Parlamentit e bëjnë të vërtetë fjalën e Papës. E vërteta nuk varet nga duartrokitjet. Por ato shtatë minuta treguan diçka që politika shpesh përpiqet ta fshehë: edhe kur shoqëritë shpallen sekulare, ato nuk pushojnë së kërkuari një fjalë që ngrihet mbi interesin, propagandën dhe frikën.

Në Madrid, Papa Leone XIV shkoi për t’i kujtuar shtetit se njeriu nuk është pronë e tij.

Dhe kur Parlamenti u ngrit në këmbë, për shtatë minuta, ndoshta nuk po duartrokitej vetëm një Papë. Po duartrokitej Krishti, jeta e virtyteve të Krishtera që është nevoja e harruar për një ndërgjegje më të lartë se pushteti.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *