Në çdo shoqni ku fjala “demokraci” përdoret si flamur e jo si themel, rreziku i rrëshqitjes drejt kaosit politik nuk vjen prej mungesës së institucioneve apo ligjeve, por prej mungesës së diçkaje shumë ma të thellë, vlerave antropologjike. Pa to, çdo njeri rri peng i instinkteve, i manipulimeve, i ideologjive të rreme, e mbi të gjitha, i nji politike që nuk lind prej ndërgjegjes publike, por prej interesave rastësore të vogla të grupeve.
Në Kosovë, kjo mungesë po ndjehet në çdo hap, nga politika, tek institucionet fetare, te mediat, te arsimimi dhe deri te vetë mënyra se si individi e sheh veten. Dhe kur individi nuk ka ndërgjegje antropologjike, nuk krijohet dot njeriu i lirë, krijohet veç njeriu i përdorshëm dhe e gjitha kjo kurorëzohet me nji krizë moderne.
…tokë pa kryp
Nji popull që nuk ushqehet me vlera, jo thjesht morale, por vlera që rrjedhin nga reflektimi filozofik mbi antropologjinë, pra vlera që burojnë prej asaj çka njeriu asht në vetvete, humb çdo aftësi me e ndërtu të mirën e përbashkët. Demokracia nuk mbahet në kambë prej fletëve të votimit, por prej nji etike të brendshme që e shtyn njeriun me kërku drejtësi, me i dhanë tjetrit vend, me mbrojtë të dobëtin, me mos u shitë për interes.
Nëse s’ke vlera, vota jote nuk ka peshë, jo sepse s’vlen ti si njeri por që ti manipulohesh me lehtësi. Nëse s’ke ndërgjegje, politika jote s’ka kufij synon totalitarizmin. Nëse s’ke identitet, çdo ideologji të blen me nji kauzë false apo slogan.
E qytetarët e Kosovës janë sot në nji rrugëtim të rrezikshëm, vend i ri, me institucione të brishta, i bombarduar nga ideologji të jashtme, nga fetarizimi i shpejtë i shtresave të varfra, nga politizimi dhe patriotizimi i fesë, e nga humbja dhe manipulimi i boshtit historik shqiptar. Demokracia, në këtë terren, nuk ka si me lulëzu pa e ndërtu njeriun.
Kjo asht arsyeja pse filozofia e Karol Wojtyła-s (Papa Gjon Pali II), që thekson se liria politike nuk ekziston pa lirinë e brendshme, merr nji domethënie të veçantë për Kosovën… nuk mund të ketë shtet të lirë pa njerëz të lirë. Por liria e brendshme kërkon edukim të ndërgjegjes. E ndërgjegja nuk edukohet as në TikTok, as në ligjërata fetare 5-minutëshe, as në retorikën boshe politike.
Ajo formohet duke e pa njeriun si vlerë, jo si numër, jo si votë, jo si “followers”, jo si besimtar që duhet kontrollu.
…tokë pa shije
Në Kosovë, politika e ka humbë qokun. Ajo nuk kalon nëpër politika strategjike por kalon nëpër kauza sporadike. Dhe kur politika nuk gjen moralin e vet në antropologji, në dinjitetin njerëzor, në vlerën e personit, ajo shndërrohet në lojë egosh, pushteti dhe identitetesh false me nji magnetofon në dorë, në shpikje të kauzës së radhës dhe armikut të brendshëm.
Kjo shihet kjartë te partitë që e përdorin kombin si mall, te aktivistët që e përdorin fenë si shantazh emocional, dhe te disa klerikë që nuk e dallojnë ma kufirin mes shpirtit e politikës. Kosova sot ka:
- politikë pa qëllim,
- kauza pa moral,
- besimtarë pa orientim,
- të rinj pa ideal,
- intelektual pa guxim,
- nji popull të lodhun, të zhgënjyem, të pambrojtur, të irritum të gatshëm me u polarizu.
Dhe populli i pambrojtur asht terreni i preferuem i çdo ideologjie ekstreme, që vjen me flamur kombi, me fjalë “Zoti”, ose me kauza modë të ditës.
Prej kësaj lind fenomeni i shkatrrimit të nji kombi apo civilizimi.
Nji bashkësi e mirëfilltë nuk krijohet prej gjeografisë, por prej vlerave të përbashkëta. Nëse këto mungojnë, shoqnia cop’zohet në parti kundër partie, besim kundër besimit, rajon kundër rajoni, dhe individ kundër individi.
Në vend që të kemi popull me qëllim, sot gjejmë tufë individësh që s’e dinë as ku po shkojnë, as pse po jetojnë, as çka po mbrojnë. Politika nuk u jep drejtim, veç sa u ushqen emocionin.
…preh e ekstremizmave
Kur individi nuk e ndërton veten mbi vlera antropologjike, ai mbetet bosh. E boshësia nuk rri bosh.
Ajo mbushet me të parën ideologji që i del para, që i jep shpresë, çado të jetë ajo shpresë. Kështu linden tre ekstremizmat që po e dëmtojnë Kosovën:
1. Ekstremizmi fetar
Pas luftës, në mungesë të institucioneve të forta kulturore e morale, disa nga imamët e importit Arabik filluan ta demtojnë fenë Islame tradicionale të Kosovës me interpretime rigjide të teksteve fetare, të cilët sot prodhojnë influencë më shumë se shumë profesorë universitar. Ky lloj fetarizimi nuk krijon besim, por varësi… nuk krijon shpirt, por trembje apo frikë… nuk ndërton ndërgjegje, por bindje të verbër.
Feja e vërtetë e ngre njeriun, nuk e poshtëron e nuk e çon në grykë të gërmisë ekzistenciale. E disa sot e përdorin fenë për me poshtëru, veç që ta kontrollojnë njeriun!
2. Ekstremizmi nacionalist
Kombi pa vlera antropologjike bahet komb pa kriter. Nacionalizmi shëndërrohet në tatuazh, jo në përgjegjësi për ndërtim; në sharje të tjetrit, jo në ndërtim të vetes. Kjo formë nacionalizmi krijon armiq imagjinarë dhe harron se identiteti shqiptar s’ka qenë kurrë armik i lirisë, por i dogmave.
Por sot disa duan t’i zëvendësojnë dogmat e vjetra me dogma të reja, me gjuhë tjetër.
3. Ekstremizmi politik
Kur individi nuk ka orientim etiko-moral, bie pre e liderëve që i ushqejnë emocionin nacionalist, viktimizimin që arrijnë deri në identifikimin e liderit si “baba”, ose premtime boshe të “ndryshimit të madh”. Por populli që kërkon shpëtimtar politik, në të vërtetë kërkon dikë që t’i mendojë gjërat për të.
Liria nuk lind nga udhëheqësi, lind nga ndërgjegja e formuar.
…krypa që jep shije
Zgjidhja nuk vjen prej partive, as prej reformave teknike, as prej retorikës mediatike. Kosova ka nevojë për kthesë antropologjike, rikthim te dinjiteti i njeriut, te ndërgjegja, te vlerat që e bëjnë njeriun njeri.
Kjo kërkon:
- edukim etiko-moral në shkolla, jo vetëm edukatë qytetare sipërfaqësore;
- media që formojnë dhe in-formojnë, jo që trullosin;
- klerikë që shpallin të vërtetën, jo që e adaptojnë fenë për popullaritet;
- politikë që mbrojnë të mirën e përbashkët, jo interesin e grupit;
- nji elitë kulturore që e merr seriozisht misionin e vet.
Pa këto, demokracia e kosovës nuk ka asnjë shans për shpëtim.
Demokracia nuk vdes nga armiku i jashtëm, por nga boshllëku i brendshëm
Në thelb të gjithçkaje që po ndodh sot në Kosovë, polarizimi, radikalizimi fetar, rritja e nacionalizmave të cekët, papjekuria politike, qëndron nji e vërtetë e vetme… njeriu nuk është formuar.
E kur njeriu nuk formohet, ai nuk mund të jetë as qytetar, as besimtar, as prijës, as pjesë e komunitetit. Ai bëhet pre e secilës ideologji, secilit profet të rremë, secilit flamur të sajuar, secilit influencer që flet me zë të naltë.
Demokracia nuk shkatërrohet nga diktatori, shkatërrohet nga miliona njerëz të pafshëm që ia dorëzojnë ndërgjegjen dikujt tjetër.
Shpresë ka, por jo pa u kthye fillimisht te ajo që e kemi humbë, tek antropologjia e njeriut si vlerë.
Pa këtë, gjithçka tjetër asht fasadë.

Engjell Gjugja
është publicist dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova, me veprimtari publike në hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Ai është i angazhuar në publicistikë filozofike, teologjike dhe kulturore, ku trajton në mënyrë kritike çështje që lidhen me fenë, demokracinë, kujtesën historike.





