Fëmija në grazhd dhe dashuria që shpëton: një lexim teologjik i Krishtlindjes

7 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Natyra jonë, e sëmurë, kërkonte që të shërohej; e rënë, kërkonte që të ngrihej; e vdekur, kërkonte që të ngjallej. Kishim humbur zotërimin e së mirës, e cila ishte e nevojshme të na kthehej. Të zhytur në errësirë, lipsej të na kthehej drita; të humbur, prisnim një shpëtimtar; robër, prisnim dikë që të na ndihmonte; skllevër, prisnim një çlirimtar. Të gjitha këto arsye a mos ishin të parëndësishme? A nuk ishin të tilla që mallëngjenin Hyjin deri në atë pikë sa ta bënin që të zbriste deri te natyra jonë njerëzore për ta takuar, meqë njerëzimi gjendej në kushte kaq të mjerueshme dhe të palumtura? – Shën Gregori nga Nisa, Oratio catechetica.

Në këtë Krishtlindje nga e cila na ndajnë vetëm pak ditë, është e rëndësishme t’i drejtohemi lexuesit dhe të reflektojmë mbi disa elemente që karakterizojnë Krishtlindjen e cila në kohën moderne ani pse tundohet t’i nënshtrohet komercializimit dhe konsumerizmit, ende shihet si një nga ngjarjët më “tronditëse” të historisë si njerëzore ashtu edhe teologjike. Pse njerëzore? Sepse çfarë lloj Zoti zgjedh të lindë në grazhd?; Dhe pse teologjike? Sepse, për mendjen e njeriut ende është e pakapshme ajo që quhet “mishërimi i Fjalës”.

Fjalët e Shën Gregorit nga Nisa, na paraqesin natyrën njerëzore dhe natyrën e përvuajtur të Zotit i cili dëshiron ta nxjerrë atë nga errësira, por njëkohësisht na rikujton imazhin e gabuar të njeriut për Zotin që e gjejmë edhe tek Besëlidhja e Vjetër. Populli i Izraelit, i quajtur si “populli i zgjedhur” ishte i bindur për ardhjen e Mesisë sepse profetët vazhdimisht kishin profetizuar mbi ardhjen e Tij. Por izraelitet nuk kishin arritur të kuptonin se Zoti që do të vijë, t’i shpëtonte nga robëria, t’i çlironte nga skllavëria, nuk do të vinte me një ushtri pas vetës, nuk do të vinte me shpatë në dorë e të luftonte. Përkundrazi, ky Zot zgjedhi të përvujtërohet deri në atë pikë, sa të lindte në grazhd. Izraelitët të preokupuar nga ligji nuk arrinin ta vështronin Jezusin Zot, madje as nuk arrinin ta vështronin njeriun si “imazh të Zotit” sepse si paganët, si religjionet e tjera, projektojnë imazhin e Zotit nga përspektiva e vetë njerëzore duke e konsideruar atë si një sundimtar të fuqishëm që qëndron në qiell, një Hyjni e largët që i gjykon të mirët dhe të këqijtë mizorisht. Këtë e përmbys Jezu Krishti, i cili zgjedh të marrë natyrë njerëzore, “Fjala u bë njeri, që kështu ne ta njihnim dashurinë e Hyjit: “Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të Tij (1 Gjn 4,9)””- Katekizmi i Kishës Katolike.

Kështu, Zoti u bë pjesë e historisë njerëzore, në madhështinë e tij, ai zgjedh të bëhet i vogël; në drejtësinë e tij, ai i nënshtrohet padrejtësisë sonë. Vëllezër e motra, kjo është mrekullia e Krishtlindjes: jo një përzierje emocionesh të buta dhe kënaqësie tokësore, por butësia e paparë e një Zoti që shpëton botën duke u Mishëruar” – Papa Françesku

Ky Zot i cili në madhështinë e tij zgjedh të bëhet i vogël – zgjedh një vend të varfër për të lindur. Ai nuk vjen me madhështi por vjen në heshtje, pa zhurmë, pa pushtet.

Lindja e Jezusit ne grazhd sfidon logjiken tonë të nënshtruar ndaj pushteteve tokësore dhe materializmit, ani pse ai “mbreti i shuguruar me vaj” zgjedh të vijë si i dobët dhe i varfër, zgjedh parimin e dashurisë absolute që nuk i nënshtrohet asaj logjike. Grazhdi kështu bëhët shenja e parë e sakrificës dhe dashurisë së Zotit Jezus ndaj neve. Lindja e Tij në këtë hapësirë të papërshtatshme tregon se ai vjen në botë jo përmes madhështisë dhe pushtetit, por bëhet pjesë e realitetit të dobët dhe të kufizuar të njerëzve. Grazhdi është fillimi i rrugës së dashurisë absolute, e cila do të kulmojë me kryqëzimin e Tij në kryq, ku Jezusi jep vetveten për shpëtimin tonë, grazhdi është parajalmëruesi i parë i misionit të Jezusit, grazhdi është shenja e parë e dashurisë së pastër hyjnore që vjen nga përulësia dhe vetë-dhënia.

Jezusi është hapësira ku takohen e përjetshmja dhe e përkohshmja. Edhe Holderlin-i vjen me një kristologji spekulative larg kornizave dogmatike ku Figurën e Kirishtit e sheh si parim ndërmjetësimi ku dashuria e përjetshme kërkon realizimin e saj në botën njerëzore. Kjo dashuri e përjetshme kuptohet si njesi e pakushtëzuar ose si Absoluti, e cila synon mishërimin në formën e jetës historike; ani pse kjo histori e shënuar nga ndarja (Entzweiung) dhe vuajtja, e bën çdo realizim të Absolutit në mënyrë strukturore të pamundur. Së këndejmi, Krishti përfaqëson jo pajtimin e kryer apo të përfunduar, por paradoksin në mes të përplasjes së përjetshmes dhe të kufizuarës. Kjo mund të kuptohet si pamundësia e pajtimit total ndërmjet Absolutit dhe botës, ku Krishti vjen si figurë e këtij ndërmjetësimi tragjik. Hyjnorja atëherë nuk e shfuqizon vuajtjen, por e merr atë mbi vete si kusht të domosdoshëm të shfaqjës së vet historike.

Në historinë e dashurisë të rrëfyer nga Bibla, ai (Zoti) vjen drejt nesh, ai kërkon të fitojë zemrat tona, deri në Darkën e Fundit, deri në shpimin e zemrës së tij në Kryq, deri te shfaqjet e tij pas Ngjalljes dhe deri te veprat e mëdha me të cilat, nëpërmjet aktivitetit të Apostujve, ai e udhëhoqi Kishën e sapolindur në rrugën e saj.

Papa Benedikti XVI “Deus Caritas Est”

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *