Denoncimi i Papës Leonit ndaj persekutimit të të krishterëve

Në fjalimin e 9 janarit 2026, Papa Leo XIV deklaroi se mbi 380 milionë të krishterë vuajnë sot persekutim për shkak të besimit, duke paralajmëruar se liria fetare po reduktohet në privilegj dhe jo në të drejtë themelore të njeriut.

5 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Më 9 janar 2026, gjatë audiencës tradicionale me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa Leoni XIV mbajti një fjalim të gjatë dhe programatik, ku një vend qendror iu kushtua persekutimit të të krishterëve dhe krizës globale të lirisë fetare. Në këtë adresim zyrtar, Ati i Shenjtë e trajtoi çështjen jo si problem sektorial, por si një dështim serioz i rendit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

Papa theksoi se persekutimi i të krishterëve mbetet një nga krizat më të përhapura të të drejtave të njeriut sot. Duke iu referuar të dhënave më të fundit, ai deklaroi qartë:

“Nuk mund të anashkalohet fakti se persekutimi i të krishterëve mbetet një nga krizat më të përhapura të të drejtave të njeriut sot, duke prekur mbi 380 milionë besimtarë në mbarë botën, të cilët përballen me nivele të larta ose ekstreme diskriminimi, dhune dhe shtypjeje për shkak të besimit të tyre.”

Sipas Papës, ky fenomen prek rreth një në shtatë të krishterë në nivel global dhe është përkeqësuar gjatë vitit 2025 si pasojë e konflikteve të armatosura, regjimeve autoritare dhe ekstremizmit fetar. Ai vuri në dukje se, në shumë vende, liria fetare nuk trajtohet më si e drejtë themelore, por si një tolerancë e përkohshme:

“E gjithë kjo tregon se, në shumë kontekste, liria fetare konsiderohet më tepër si një ‘privilegj’ apo koncesion, sesa si një e drejtë themelore e njeriut.”

Në fjalimin e tij, Papa Leoni XIV përmendi në mënyrë eksplicite disa nga zonat më të goditura nga dhuna kundër të krishterëve:

“Dëshiroj të kujtoj veçanërisht viktimat e dhunës me motiv fetar në Bangladesh, në rajonin e Sahelit dhe në Nigeri, si edhe viktimat e sulmit të rëndë terrorist ndaj famullisë së Shën Elisë në Damask. Po ashtu, nuk harroj viktimat e dhunës xhihadiste në Cabo Delgado, Mozambik.”

Arkivolet përgatiten për varrim gjatë një shërbimi mortor për 17 besimtarë dhe dy priftërinj.

Këto referenca konkrete synojnë, sipas Papës, të shmangin reduktimin e persekutimit në statistika abstrakte dhe të rikujtojnë se bëhet fjalë për jetë njerëzish, komunitete konkrete dhe vende adhurimi të shkatërruara

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe formave më të fshehta të diskriminimit ndaj të krishterëve në shoqëritë perëndimore, ku ata përbëjnë shumicën demografike:

“Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë format më të buta, por reale, të diskriminimit ndaj të krishterëve, që po përhapen edhe në vende ku ata janë shumicë, si në Evropë apo në Amerikë.”

Papa sqaroi se këto kufizime shfaqen veçanërisht kur të krishterët mbrojnë publikisht mësimet e Ungjillit lidhur me dinjitetin e jetës, familjen apo ndërgjegjen morale:

“Në këto kontekste, ata ndonjëherë kufizohen në aftësinë e tyre për të shpallur të vërtetat e Ungjillit për arsye politike ose ideologjike, sidomos kur mbrojnë dinjitetin e më të dobëtëve, të palindurve, refugjatëve dhe migrantëve, apo kur promovojnë familjen.”

Duke iu referuar mësimit të Papës Benedikti XVI, Papa Leoni XIV ritheksoi se liria fetare është themeli i të gjitha lirive të tjera:

“Siç ka kujtuar Benedikti XVI, liria fetare është e para nga të gjitha të drejtat e njeriut, sepse shpreh realitetin më themelor të personit njerëzor.”

Ai paralajmëroi se kufizimi i kësaj lirie çon në një “qark të shkurtër” të vetë sistemit të të drejtave të njeriut, ku disa të drejta promovohen duke sakrifikuar të tjerat:

“Po shohim një ‘qark të shkurtër’ të të drejtave të njeriut, ku liria e shprehjes, liria e ndërgjegjes, liria fetare dhe madje edhe e drejta për jetën kufizohen në emër të të ashtuquajturave të drejta të reja.”

Në përfundim të kësaj pjese të fjalimit, Papa Leoni XIV i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të garantojë liri të plotë fetare dhe të adhurimit për të gjithë qytetarët, pa dallim feje, dhe të mos e trajtojë këtë liri si çështje dytësore në raport me interesat politike apo ideologjike.

Ky denoncim zyrtar i Selisë së Shenjtë e vendos persekutimin e të krishterëve në qendër të debatit mbi të drejtat e njeriut dhe sfidon shtetet, institucionet ndërkombëtare dhe opinionin publik të rishqyrtojnë seriozisht raportin midis lirisë, së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *