Në Beograd, më 27–28 janar 2026, u mbajt Asambleja e 43-të plenare e Konferenca Ipeshkvnore Ndërkombëtare e Shën Cirilit dhe Metodit, një strukturë kishtare rajonale me peshë të veçantë institucionale dhe diplomatike.

Në këtë asamble morën pjesë ipeshkvij nga disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore, përfshirë Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë.
Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të konferencave ipeshkvnore të Hungarisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe Rumanisë, si dhe përfaqësues diplomatikë të Selisë së Shenjtë për rajonin, përfshij këtu delegatin e ri Apostolik për Kosovën, Imzot Luigi Bianco, çka e konfirmon peshën ndërkombëtare të këtij forumi.
Një nga vendimet më të rëndësishme të asamblesë ishte zgjedhja e Imzot Dodë Gjergjit si President i ri i Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shën Cirilit dhe Metodit, me fillim mandati më 1 qershor 2026.
Krahas tij, u zgjodhën Imzot Fabijan Svalina si zëvendëskryetar dhe Imzot Mirko Štefković si sekretar i përgjithshëm. Ky është një zhvillim me rëndësi të veçantë jo vetëm kishtare, por edhe politike për Kosovën.
Nga këndvështrimi i Via Veritatis, zgjedhja e një ipeshkvi nga Kosova në krye të një strukture ndërkombëtare kishtare përbën një fitore simbolike dhe strategjike për shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në një rajon ku Kosova vazhdon të përballet me mohime politike dhe diplomatike, ky pozicion rrit dukshmërinë e saj në nivele të larta institucionale, veçanërisht në raport me Selinë e Shenjtë dhe rrjetet diplomatike që lidhen me të.
Ky mandat i ri krijon mundësi të reja për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës si realitet politik dhe shoqëror i konsoliduar, duke e vendosur atë jo më vetëm si temë periferike ballkanike, por si aktor me përfaqësim dhe zë në tryeza rajonale dhe ndërkombëtare.
Në terma konkretë, kjo përforcon pozitën e Republikës së Kosovës në dialogun ndërfetar, në diplomacinë kulturore dhe në ndërtimin e imazhit të saj si vend i bashkëjetesës dhe stabilitetit.
Po ashtu, fakti që kjo zgjedhje vjen nga një proces i brendshëm institucional, pa presion politik dhe mbi bazën e besimit dhe autoritetit personal, i jep kësaj ngjarjeje një legjitimitet moral dhe diplomatik që shpesh mungon në arenën politike ballkanike. Për Republikën e Kosovës, kjo është një dëshmi se përfaqësimi dhe ndikimi ndërkombëtar nuk ndërtohen vetëm përmes kanaleve shtetërore, por edhe përmes institucioneve me kredibilitet historik dhe moral.
Në përfundim, zgjedhja e Imzot Dodë Gjergjit si president i Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shën Cirilit dhe Metodit shënon një moment të rëndësishëm për Kishën Katolike në Kosovë dhe për vetë Republikën e Kosovës në planin ndërkombëtar, duke hapur një kapitull të ri ndikimi, përfaqësimi dhe përgjegjësie në një rajon ende të brishtë politikisht.
Konferenca Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shën Cirilit dhe Metodit (KIN) është një strukturë ndërkombëtare që përfshin ipeshkvij dhe klerikë nga dioqezat dhe konferencat ipeshkvnore të vendeve të ndryshme, kryesisht të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin:
- Mons. Dodë Gjergji – Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinës.
- Mons. Rrok Gjonlleshaj – Arqipeshkëv i Tivarit, Zëvendëskryetar i KIN.
- Mons. Djura Džudžar – Ipeshkëv i Eparkisë së Shën Nikollës në Ruski Krstur.
- Mons. Kiro Stojanov – Ipeshkëv i Shkupit dhe Ipeshkv i Eparkisë së Ngjitjes së Virgjëreshës Mari në Qiell Strumicë-Shkup.
- Mons. Fabijan Svalina – Ipeshkëv i Sremit.
- Mons. Fazekas Ferenc – Ipeshkëv i Suboticës.
- Mons. Mirko Štefković – Ipeshkëv i Zrenjaninit.
- Mons. Mladen Vukšić OFM – Ipeshkëv i Kotorrit.
Të pranishëm në asamble ishin gjithashtu:
- Mons. Székely János, Peshkop i Dioqezës së Szombathely, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Hungarisë;
- Mons. Petar Palić, Peshkop i Mostar-Duvno dhe Administrator Apostolik i Trebinjë-Mrkanit, Zëvendëskryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës.
- Në emër të Konferencës Ipeshkvnore të Kroacisë mori pjesë Mons. Ivan Ćurić, Peshkop Ndihmës i Gjakovës (CRO) – Osijekut.
- Mons. Cornel Damian, Peshkop Ndihmës i Bukureshtit.






