I dashur lexues,
ky artikull i botuar fillimisht në Aeon vjen në një kohë kur Inteligjenca Artificiale po hyn në çdo intimitet të krijimtarisë, kësisoj autori shtron një pyetje që na ngacmon të gjithëve: a mundet një algoritëm, sado i përsosur, të na befasojë vërtet?
Përmes analizës së Testit të famshëm të Turingut dhe historisë së shkrimit kreativ, artikulli zbërthen se si makinat po shndërrohen në “makina klishesh”, të afta të imitojnë formën, por të pafuqishme për të përjetuar “luleshtrydhet me ajkë” apo dhimbjen e humbjes.
Në epokën e algoritmeve që na “dëgjojnë” dëshirat para se t’i shqiptojmë, autori na kthen te një koncept që makina nuk do ta zotërojë kurrë: befasia.
Lexim të këndshëm 🙂
Kompjuterët nuk mund të befasojnë
Ndërsa klishetë e pafundme të Inteligjencës Artificiale vazhdojnë të cenojnë artin njerëzor, unikaliteti i vërtetë i krijimtarisë sonë po bëhet gjithnjë e më i qartë.
Krijimtaria letrare dikur shihej si një domen ekskluzivisht njerëzor. Nuk kishte rëndësi nëse shkruaje bukur apo dobët; ajo që peshonte ishte konsensusi i heshtur se të shkruarit mbi përvojën njerëzore ia vlente çdo mund, çdo qiri të djegur e çdo filxhan kafeje të pirë natën. Ky konsiderohej një akt thelbësisht njerëzor aq sa poezia u bë pjesë kyçe e testit origjinal të pionierit Alan Turing, i cili kërkonte të përcaktonte nëse një përgjigje pas paravanit vinte nga një njeri apo nga një “mashtrues” mekanik.
Sot, Testi i Turingut shpesh thjeshtohet si një vijë ndarëse mes dy botëve: njeriut dhe makinës. Po e kaloi makina këtë vijë, ajo mund të marshojë drejt nesh, të na vrojtojë e të vendosë ç’do të bëjë me ne. Por, fillimisht, duhet t’ia dalë.
Në punimin e tij të vitit 1950, “Computing Machinery and Intelligence”, Turing shtroi pyetjen: “A mund të mendojnë makinat?”. Siç e kemi zakon ne njerëzit, ai e riformuloi pyetjen duke krijuar “lojën e imitimit” një lojë sallonesh e kohëve të vjetra, shumë para internetit apo televizionit. Në versionin origjinal, një person duhet të gjejë gjininë e dy individëve (një burrë X dhe një grua Y) që ndodhen në një dhomë tjetër, duke u bazuar vetëm në përgjigjet e tyre të shkruara. X përpiqet të të gënjejë, Y përpiqet të të tregojë të vërtetën.
Në këtë kuadër, pyetja e parë e Turingut nuk është edhe aq e çuditshme: “A mund të më thotë X sa të gjatë i ka flokët?”. Më pas, me një mirësjellje tipike, ai kërkon: “Ju lutem, më shkruani një sonet për Urën e Forthit”. Që në pyetjen e dytë, kufiri mes mendimit njerëzor dhe atij artificial po kërkon strehë te arti dhe letërsia. Versioni i Turingut për “makinën mashtruese” përgjigjet: “Mos llogaritni tek unë për këtë; kurrë s’kam ditur të thur poezi”. Për ta imagjinuar këtë përgjigje, truri kompleks i Turingut po luante një lojë të dyfishtë: një makinë që shtiret si burrë (i cili më parë shtirej si grua). E ndërlikuar, po; sepse po të ishte testi i thjeshtë, do ta kalonte edhe një fërtitëse ajri (air-fryer).
Turing nuk thotë se makinat s’mund të shkruajnë poezi. Në logjikën e tij, ai thjesht llogarit se në vitin 1950, njerëzit e zakonshëm nuk shkruanin poezi, një fakt i sensit të përbashkët që një makinë që kërkon të imitojë njeriun duhet ta dijë. Sot, vitet 2026 që ai tentonte të parashikonte, kanë sjellë modelet e mëdha gjuhësore si ChatGPT apo Claude. Ato e shkruajnë sonetin për Urën e Forthit në sekonda. Unë vetë e pyeta Claude 4 dhe ai m’i serviri 14 rreshta me një metrikë gati perfekte.
Nëse kjo llogaritet si “mendim”, Turing e parandjen se vija e frontit do të mbrohet nga arti. Ai pati një debat me neuroshkencëtarin Sir Geoffrey Jefferson, i cili besonte se: “Makinat nuk mund të jenë të barabarta me trurin derisa të shkruajnë një sonet për shkak të emocioneve të ndjera, dhe jo nga rënia e rastësishme e simboleve”. Për Jefferson-in, thjesht automatizimi i lëvizjeve të “majmunëve të pafundmë” mbi tastierë nuk kishte vlerë.
Por sot, është vështirë ta kemi vetëbesimin e Jefferson-it. Përparimet e Inteligjencës Artificiale godasin drejtpërdrejt vanitetin tonë artistik. Ne duam të besojmë se artisti njerëzor mbron frymën tonë unike, por IA-ja, ashtu si dikur fotografia që trembi piktorët, kërcënon të na “vjedhë shpirtin”.
Duke pushtuar territorin e asaj që bëjmë dhe krijojmë, arti i makinës po shkel në tokë të shenjtë. Ne jemi mësuar të mendojmë se artistët janë të veçantë dhe të paimitueshëm. Pyetja është: a janë vërtet?
Punimi i Turingut mbi “Lojën e Imitimit” u botua 14 vjet pasi u mblodh “Writers’ Workshop” (Punëtoria e Shkrimtarëve) i parë në Universitetin e Iowa-s, në vitin 1936. Turing, me formimin e tij matematikor në King’s College, Cambridge, mund të mos e kishte ditur se elemente të “mësimit makinerik” (machine learning) kishin evoluar tashmë përtej Atlantikut, në fushën e shkrimit kreativ, e cila në dukje nuk kishte asnjë lidhje me të. Para Iowa-s ishte Muza; pas Iowa-s, u shfaq një metodë për montimin e përmbajtjes letrare jo shumë e ndryshme nga funksionimi i modeleve të sotme të gjuhës (LLM).
Së pari, përcaktohet se si duket një shkrim efektiv. Pastaj, zhvillohet një proces që i udhëheq shkrimtarët aspirues drejt një imitimi të rezultatit të dëshiruar. Premisa e testuar gjerësisht nga Iowa dhe nga çdo program masteri (MFA) në shkrim kreativ që atëherë është se një grup rregullash të mësueshme mund të gjenerojnë tekst që, si minimum, i ngjan një produkti letrar të kalueshëm.
Rallëherë mund të gjesh një skenarist premtues që nuk është i njohur me “Strukturën me tri akte” të Syd Field apo me “Udhëtimin e Heroit” të Christopher Vogler: këto janë “kode mashtrimi” (cheat codes) që premtojnë sekuencën optimale për aktet, skenat, dramën dhe dialogun.
Në të njëjtën mënyrë siç një LLM është dizajnuar për të “menduar”, këto shabllone janë një formë e inxhinierisë së kundërt (reverse engineering): fillimisht studiohet se si mekanika e filmave si Jaws apo Witness i bëri ato vepra të suksesshme, dhe pastaj identifikohen komponentët e transferueshëm për t’i rimontuar me qëllim që të arrihet një sukses i ngjashëm artistik më vonë.
Për një programues kompjuterik, inxhinieria e kundërt si një mekanizëm i mësimit makinerik njihet si back-propagation. Në librin A Brief History of Intelligence (2023), Max S. Bennett tregon se si kjo metodologji ka ndihmuar tashmë në zhvillimin e njohjes së imazhit, përpunimin e gjuhës natyrore, njohjen e të folurit dhe makinat autonome. Koduesit mbikëqyrës punojnë për të izoluar përgjigjen e kërkuar paraprakisht, e pastaj kthehen mbrapsht për të rregulluar të dhënat hyrëse derisa rrjeti nervor artificial të mbërrijë te zgjidhja e paracaktuar.
Sikur të shkruarit të ishte kaq i thjeshtë. Sipas shifrave nga Data USA, deri në 4,000 studentë diplomohen çdo vit në masterat për shkrim kreativ në SHBA. Askush nuk pret që një numër i tillë “Romanesh të Mëdha Amerikane” të shfaqet pas gjithë këtij studimi, pavarësisht faktit se shumë karriera shpresëdhënëse në shkrim nisin me atë mentalitetin e “prompt-it” (udhëzimit) që nxit ChatGPT: Dua të shkruaj një bestseller si ai që më la pa mend verën e kaluar. Ose, për ata më guximtarët: Dua diçka të re, por të kapshme, një hibrid mes romanit dhe memoarit me kredibilitet letrar dhe vrull të fortë narrativ, si një gërshetim mes Lee Child dhe Annie Ernaux. Faleminderit. Po pres. Por jo me shumë durim.
Është e qartë se kur rezultati përfundimtar krahasohet me qëllimin origjinal, metoda e prapë-përhapjes rezulton e gabueshme si për kurset e shkrimit kreativ, ashtu edhe për modelet LLM. Për t’u kthyer te Jefferson, siç citohet nga Turing, vepra e përfunduar minohet kur frymëzohet nga “mendimet dhe emocionet” e gabuara qoftë kjo ambicia e verbër te studentët e shkrimit, apo bindja e verbër te kompjuterët.
Kërkohet diçka më shumë, dhe ky përbërës magjik e misterioz është debatuar në faqet e shtypura në anglisht që nga viti 1580, kur Sir Philip Sidney kërkoi esencën e shkrimit kreativ shembullor në veprën e tij An Apology for Poetry.
Kur shkrimi funksiononte, përfundoi ai, ai mundej njëkohësisht edhe të mësonte, edhe të falte kënaqësi (prodesse et delectare). Ai ofronte një udhëzues për të jetuar mirë, në një formë më të qasshme se teologjia, historia apo filozofia. Shkrimi kreativ ishte diçka e veçantë.

Aq e veçantë është kjo prirje, saqë, në fakt, askush nuk ka arritur ende t’i zbërthejë gjetjet e departamenteve të letërsisë pra, atë që e bën letërsinë të funksionojë në detaje aq imtësore sa të mund të riformulohen si udhëzime të zbatueshme nga një model LLM. Apo nga një student i shkrimit kreativ. As përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim nga format e tjera të artit nuk janë veçanërisht inkurajuese.
ArtEmis është një bazë të dhënash në shkallë të gjerë, e krijuar për të regjistruar dhe, më pas, parashikuar reagimet emocionale ndaj veprave të artit pamor. Ky projekt lidh shënimet emocionale të më shumë se 6,500 pjesëmarrësve me shpjegimet tekstuale të asaj që ata shohin; përmes këtyre të dhënave, ArtEmis shpreson të mundësojë krijimin (përmes back-propagation) të veprave të artit që provokojnë reagime emocionale ekuivalente.
Logjika këtu duket se është kjo: nëse një makinë mund të krijojë një imazh vizual që gjeneron një grup të kontrolluar ndjesish, atëherë arti është krijuar me sukses. Kjo tingëllon e besueshme, përveç faktit se reagimet emocionale njerëzore janë botërisht të njohura si kapriçoze. Procedura e ArtEmis ka tashmë një precedent analog në Hollywood, por njerëzit duhet të kujtojnë: sikur “grupet e fokusit” të funksiononin me besueshmëri në art, kinematë do të ishin plot me hite të padiskutueshme.
Vlen të përmendet se greva e vitit 2023 e Shoqatës së Shkrimtarëve të Amerikës (WGA) fitoi mbrojtje të rëndësishme kundër përdorimit të IA-së gjeneruese në skenaristë, duke ndaluar specifikisht zëvendësimin e shkrimtarëve njerëzorë nga inteligjenca artificiale. Kjo nuk ka rritur dukshëm prodhimin e filmave të mëdhenj artistikë. Shkrimtarët njerëzorë vazhdojnë të bëjnë filma “ashtu-ashtu”. Pa asnjë ndërhyrje nga inteligjenca artificiale, ne vazhdojmë të pikturojmë pëlhura mediokre dhe të shkruajmë romane që harrohen shpejt.
Arti i dobët është diçka që qeniet njerëzore dashurojnë ta bëjnë, dhe madje në masa të mëdha. Është pjesë e asaj që jemi dhe, kur na braktis frymëzimi, ne u besojmë të njëjtave metoda që kemi programuar te modelet LLM.
Siç parashikoi Turing, “kompjuterët digjitalë… në fakt mund të imitojnë veprimet e një kompjuterit njerëzor shumë nga afër“, dhe për krijimin e produkteve artistike të dështuara, ne i kemi mësuar inteligjencës artificiale të gjitha truket tona.
Shkrimi kreativ që nuk arrin synimin qoftë ai me origjinë nga një papafingo shkrimtari apo nga një çip i Nvidia-s “shkruan” duke përzgjedhur njësi gjuhësore që zakonisht përshtaten me njëra-tjetrën, ashtu siç njihen nga materialet e botuara në domenin publik.
Kombinimet e njohura të fjalëve montohen në fjali pothuajse bindëse, një përdorim i lodhur i gjuhës që dikur quhej klishe. Modelet LLM janë makina klishesh, të stërvitura mbi një dobësi rezistente njerëzore: gjenerimin e përmbajtjes maksimale me përpjekje minimale.
Kjo shpjegon titullin e qershorit 2025 në revistën kryesore të industrisë botuese britanike, The Bookseller: “IA ‘ka gjasa’ të prodhojë një bestseller deri në vitin 2030”. Titulli i referohej një fjalimi në konferencë nga Philip Stone i Nielsen, një kompani që grumbullon të dhënat e shitjes së librave në MB.
Unë pres që ai të ketë të drejtë për atë bestseller, sepse modelet LLM do të mposhtin fillimisht letërsinë e zhanrit procedurat policore, trillerët me spiunë, romancat, duke ri-përpunuar formula të identifikueshme me tërheqje popullore të provuar.
E etur për të kënaqur (“Përshëndetje Rich, si jeni sot?”), inteligjenca artificiale ka gjithashtu avantazhin, të cilin çuditërisht pak shkrimtarë njerëzorë e ndajnë, që të jetë në gjendje të prodhojë produkte derivative pa asnjë lloj turpi.
Për fatin e mirë të të gjithë të tjerëve, kapaciteti i pafund i një inteligjence artificiale për të ofruar narrativa të lidhura me rregulla dhe të drejtuara drejt zgjidhjes, ka një përfitim të papritur: IA është mjeti që do të vërtetojë se jo i gjithë shkrimi ka të njëjtën vlerë.
Shkrimi ka qenë ngurrues për të imagjinuar mënyra të reja leximi, pavarësisht horizontit që u hap nga teknologjitë e reja. Për t’i shpëtuar “frenit të dorës” të klishesë, lexuesit jetojnë me shpresën për asociacione organike, kërcime spekulative dhe konkluzione befasuese.
Ndërsa për një IA, e cila ushqehet me përgjigjen përpara pyetjes, “befasia” mbetet një koncept i pakapshëm. Ky kundërshtim ndaj mendimit të makinës u ngrit që në vitin 1842 nga Ada Lovelace, lidhur me një nga kompjuterët më të hershëm, Makina Analitike e Charles Babbage (për kontekst historik, mbledhja e parë e shkrimit kreativ në Iowa, ndonëse joformale, u bë në 1897).
“Makina Analitike nuk ka asnjë pretendim për të krijuar asgjë,” vërejti Lovelace. “Ajo mund të bëjë çfarëdo që ne dimë se si ta urdhërojmë të kryejë.” Përdorimi i pjerrësisë (italics) nga ana e saj thekson kontrastin me mendimin njerëzor ku origjinaliteti, të paktën mes artistëve, është një vlerë e shenjtë.

Artet pamore, më shumë se letërsia, e kanë mbajtur gjallë imperativin modernist për ta “bërë të re” (make it new). Çmimi Turner, për shembull, i cili u ndahet ekspozitave më të fuqishme të artit bashkëkohor në Britani, përshkohet nga ndjenja se, nëse diçka nuk është e re, ajo nuk është art.
Për artistët pamorë, kureshtja formale është pjesë e detyrës; ata eksplorojnë mënyra të reja të krijimit për të ftuar mënyra të reja të të parit. Shkrimi, nga ana tjetër, shpërblen me kënaqësi komoditetin e formave të njohura, gjë që justifikon të paktën në Britani ekzistencën e një çmimi të veçantë si Goldsmiths Prize për fiksionin që “zgjeron mundësitë e formës së romanit”. Sepse shumica e romaneve të tjerë fitues nuk po e bëjnë këtë.
Letërsia ka qenë ngurruese për të imagjinuar mënyra të reja leximi, pavarësisht horizonteve që u hapën nga teknologjitë e reja. Kalimi i librave në masë te Kindle dhe Audible është pak më shumë se një “transport digjital” i mallit, dhe kjo e bën letërsinë, në vetëkënaqësinë e saj, të ndjeshme ndaj ri-përpunimeve efikase të materialeve të njohura nga ana e IA-së, duke rritur gjasat për atë bestsellerin e pashmangshëm të gjeneruar nga algoritmet.
Shkrimtarët, ose më saktë botuesit e tyre, duket se kanë humbur çdo ndjenjë urgjence rreth rëndësisë së vështirësisë, apo kureshtjen për përfitimet e mahnitshme që mund të ofrojë një vepër guximtare formale. Është e rrallë sot të shohësh një propozim libri që i dërgohet një botuesi kryesor e që guxon të premtojë një vepër që “nuk i ngjan asnjë libri tjetër”.
Lovelace, duke menduar se si mendojnë makinat, e identifikoi menjëherë rëndësinë e origjinalitetit. Ose siç thotë një poezi e Marianne Moore:
këto gjëra janë të rëndësishme jo sepse mbi to mund të vendoset një interpretim me tingull të lartë, por sepse ato janë të dobishme; …
Origjinaliteti, në arte si në shkencë, e lejon projektin njerëzor të ecë përpara. Çdo zbulim që është i ri dhe i vërtetë, zgjeron fushëveprimin e realitetit. Në këtë kontekst, arti që vetëm shtiret si origjinal nuk do të na dërgojë në ndonjë vend shumë interesant.
Testi i Turingut është, në thelb, një test gënjeshtre. A mundet një makinë, duke adoptuar një strategji të njohshme njerëzore, të shtiret si diçka që nuk është? Kalimi i Testit të Turingut kërkon një akt mashtrimi, duke e lënë pyetësin njerëzor të mashtruar të ndjeshëm ndaj frikërave primitive rreth imitimit dhe imposturës.
Arti supozohet ta shohë të vërtetën përtej këtij lloj mashtrimi, dhe krijimet origjinale që ia vlen të mbrohen janë në një kategori aq të jashtëzakonshme për shkak të intensitetit dhe autenticitetit të “mendimeve dhe emocioneve të ndjera” të Jefferson-it saqë ato ekzistojnë në një kohë të tashme të përhershme. Ajo që bën Toni Morrison është e pabesueshme.
Ndërsa ajo që bën një inteligjencë artificiale është probabilistike. Llogaritja e një modeli LLM për sekuencën më të mundshme të fjalëve është mënyra më pak e mundshme për të krijuar një shkrim të madh. Kushdo që punon në një nivel më të angazhuar emocionalisht sesa probabiliteti statistikor, duke krijuar vërtet diçka të re, ka një shans më të mirë për të rezonuar me lexuesit, pavarësisht se si shprehet ajo afërsi. “Nëse letërsia është një përleshje rruge mes të guximshmëve dhe të rëndomtëve,,” shkroi Greg Baxter në memoarin e tij A Preparation for Death (2010), “unë sjell bandën më të ashpër që njoh: vrasësit e pastër, të çmendurit.” “Gangsterët” letrarë të Baxter-it nuk gjunjëzohen para fjalës tjetër më të mundshme. Baxter vlerëson “vrasësit e tij të pastër, të çmendurit”, ndërsa kompjuterët, siç parashikoheshin nga Turing, marrin udhëzime që duhet të “binden saktë dhe në rendin e duhur”.
Unë nuk dyshoj se modelet LLM mund të urdhërohen të imitojnë transgresionin (tejkalimin e kufijve), por bindja ndaj atij udhëzimi i bën ato qesharake, false dhe armike të artit, edhe pse në format e tyre të avancuara bashkëkohore ato duken më të pajisura për t’iu përgjigjur sfidave të Turingut mbi letërsinë angleze.
Në vitin 2026, për shembull, ChatGPT dhe Claude e zgjidhin lehtësisht sfidën e Testit të Turingut të vitit 1950 për të shpjeguar zgjedhjet krijuese të Shakespeare në Sonetin 18. Pse një “ditë vere” dhe jo një “ditë pranvere”? E lehtë (thjesht pyetini, ata e dinë përgjigjen).
Modelet LLM tani i zgjidhin shkëlqyeshëm shumicën e pyetjeve origjinale të Turingut, dhe nëse ato nuk mund të shkruajnë një sonet si Shakespeare, as unë nuk mundem. Kjo nuk do të thotë se unë nuk mund të mendoj, dhe Turing bën të njëjtin lëshim të arsyeshëm edhe për kompjuterët.
Edhe atyre u lejohen kufizimet e tyre, dhe qëndrimi i tij ndaj inteligjencës së makinës ndjek logjikën e papagallit të Denis Diderot: nëse iluzioni i të kuptuarit është mjaftueshëm bindës, ai kualifikohet si mirëkuptim. Makinat po shtiren derisa t’ia dalin (faking it until they make it).
Ose sipas fjalëve të Turingut: “Zoti i ka dhënë një shpirt të pavdekshëm çdo burri dhe gruaje, por jo asnjë kafshe tjetër apo makine. Prandaj asnjë kafshë apo makinë nuk mund të mendojë. Unë jam i paaftë të pranoj ndonjë pjesë të kësaj.”
Turing e thërret Zotin për hir të viteve 1950, por ai e hodhi poshtë idenë se njerëzimi është “domosdoshmërisht superior” ndaj pjesës tjetër të krijimit, qoftë ai i bërë nga njeriu apo ndryshe. Ai rreshtohet me filozofët materialistë si Demokriti dhe Thomas Hobbes, duke e parë mendjen çfarëdo që ajo mund të jetë si të vendosur tërësisht në strukturën fizike të trurit.
Një IA është një strukturë fizike, gjë që e shtyn Turingun të gjykojë se çfarëdo që një IA nuk mund të bëjë dot, ajo thjesht nuk mund ta bëjë ende.
Në këtë rast, si duhet të reagojnë shkrimtarët dhe artistët ndaj kësaj situate siç qëndron sot? Ne mund të ngjisim etiketa në kopertinat e romaneve ku shkruhet “E shkruar nga njeriu”, siç u provua së fundmi nga botuesi britanik Faber and Faber. Artistët pamorë kanë etiketa që thonë “Krijuar me inteligjencë njerëzore” ose “Jo nga IA”, dhe mbase hashtag-et mund ta mbajnë inteligjencën artificiale në distancë derisa të vijë një talent gjeneracional për të shpëtuar nderin njerëzor në një shpërthim stili dhe përmbajtjeje vërtet origjinale. “Merre këtë, IA. Shih se sa shumë punë të duhet për të na arritur.”
Më proaktivisht, ndërkohë, pjesa tjetër prej nesh mund t’i rezistojë depërtimit të IA-së duke mbrojtur dhe inkurajuar ambicien njerëzore për të bërë art, pa ndihmë, qoftë ai i suksesshëm apo jo. Arti është një afirmim i ekzistencës njerëzore, transmetimi dhe marrja e mesazheve mbi takimin dhe lidhjen.
Një jetë e brendshme mund të prekë një tjetër dhe, për rezultate më të mira, të ushqejë një proces krijues që asnjë model LLM nuk mund ta imitojë. Marcel Duchamp e quajti artin “këtë lidhje që mungon, jo lidhjet që ekzistojnë” një depërtim që vjen në shekullin e 21-të si një përgënjeshtrim i drejtpërdrejtë i modelit krijues imitues të LLM-ve, të cilat mbeten të bllokuara në sythe feedback-u dhe duke përsëritur sekuenca ekzistuese.
ChatGPT nuk mund ta krijojë atë “shkarkesë elektrike” mes jetëve të brendshme, e cila në të shkruar është më së shumti e qasshme në kujtesë. Ajo që dikush mban mend është vetëm e tij, një depo e padigjitalizuar e përvojës autentike njerëzore.
Kur Turingu ishte i zhytur thellë në mendime, sipas biografit të tij Andrew Hodges, ai kishte zakon të kruante flokët e tij të ndarë anash dhe të lëshonte një zhurmë karakteristike me buzë. Brenda kokës së tij, rreth kohës kur po konceptonte Testin e Turingut, ai dëgjonte zëra skeptikë që i thoshin se një kompjuter nuk do të mund të ishte kurrë “i sjellshëm, i thjeshtë, i bukur apo miqësor”.
Trutë e makinave të tij të ardhshme nuk do të kishin “iniciativë, sens humori, nuk do të dallonin të drejtën nga e gabuara, nuk do të bënin gabime, nuk do të dashuroheshin dhe nuk do të shijonin luleshtrydhet me ajkë”, e kështu me radhë. Turingu po bënte krahasime me përvojën e tij të jetuar. Ajo që inteligjenca artificiale nuk mund të bënte, ishte libri i kujtimeve.
Duke marrë këtë ide si pikënisje, kohët e fundit kam lançuar “Makinën Universale të Turingut”, një propozim njerëzor për një mënyrë të re të shkrimit dhe leximit.
Makina Universale e Turingut është një rrjetë online e zgjerueshme prej 8 me 8 katrorësh, si një tabelë shahu, ku shkrimtarët ftohen të pretendojnë një katror për vete dhe ta mbushin secilin prej tyre me 1,000 fjalë kujtimesh.
Lexuesi mund të lëvizë rastësisht mes kujtimeve dhe zërave, duke luajtur një rol po aq aktiv në hapësirën që identifikoi Duchamp: “arti është hapësira boshe”. Dy herë në vit, unë planifikoj të shtoj katrorë të rinj mbi ata që janë tashmë online, duke rritur vazhdimisht përmasat e këtij libri kolektiv eksperimental kujtimesh, duke amplifikuar diversitetin e ekzistencës njerëzore dhe duke krijuar një enciklopedi subjektive të përvojës së vërtetë jetësore.
Formati i Makinës Universale të Turingut është dizajnuar për të inkurajuar shkrimin si një mënyrë mendimi, që është pikërisht ajo që artet si të parit, të dëgjuarit, të shkruarit, të lexuarit, kanë ofruar gjithmonë.
Një kujtim që e di se po kujtohet, është një nga format më të vështira dhe më të mprehta të mendimit që ne mund të bëjmë; dhe kjo është arsyeja pse, për qëllimet e testit të tij, Turingu nuk mund t’i mbante duart larg letërsisë. Inteligjenca Artificiale nuk mund ta imitojë ende shkrimin si një mënyrë mendimi, as leximin, as kujtesën; dhe asgjë nuk të ndihmon të mësosh të shkruash duke lexuar çdo gjë. Ashtu siç librat e kujtimeve nuk përmirësohen nga një kujtesë absolute e çdo detaji.
Për të parë mrekullinë e përzgjedhjes artistike njerëzore në veprim, merrni parasysh romanin e shkrimtarit eksperimental francez Georges Perec, La Disparition (1969), ose Zhdukja. Ky është libri që nuk përmban asnjë herë të vetme shkronjën “e”, një lloj kufizimi sistematik që një model LLM mund ta replikonte në një çast.
Ajo që truri i kompjuterit nuk mund të bëjë, është të shtojë përvojën jetësore të Perec-it. Shkronja “e” në frëngjisht shqiptohet si “eux”, që do të thotë “ata”. Babai i Perec-it vdiq duke luftuar në luftë. Nëna e tij u deportua nga Parisi në Aushvic nga nazistët. Të dy ata mungojnë në jetën e djalit të tyre dhe në romanin e tij, i cili pastaj bëhet e kundërta e një zhdukjeje, duke tërhequr vëmendjen te mungesa e tyre deformuese në një akt triumfues të rizotërimit artistik.
Drej përfundimit të punimit “Makineria Kompjuterike dhe Inteligjenca”, Turingu papritur përmend se “provat statistikore, të paktën për telepatinë, janë dërrmuese” dhe “nëse telepatia pranohet, do të jetë e nevojshme ta shtrëngojmë testin tonë”.
Komunikimi mes shkrimtarit dhe lexuesit, artistit dhe audiencës, është gjëja më e afërt që kemi me telepatinë: transmetimi dhe marrja e informacionit midis mendjeve.
Turingu pranon se makinat e tij do të luftojnë për t’u barazuar me këtë finesë njerëzore, dhe ndonëse jo të gjithë e zbulojnë telepatinë përmes artit, kushdo që ka një përvojë individuale me luleshtrydhet me ajkë mund ta provojë. Vetë përpjekja ia vlen dhe inkurajohet nga projekte si i imi: Makina Universale e Turingut mirëpret kontribues njerëzorë, pa pasur nevojë për asnjë test.
Ose, më saktë, të bësh punën e rikrijimit të kujtesës përmes shkrimit të mendosh në këtë mënyrë unike njerëzore është në vetvete një akt rezistence.
Kjo e riformulon testin e Turingut në favor të rolit që luante në lojën e tij origjinale të imitimit personi Y, i cili synon të thotë të vërtetën dhe nuk kërkon të mashtrojë. X nuk mund të ketë kujtime në emrin tënd; nuk mund të shtiret dot deri në fund, dhe njohja e vetvetes mbetet tani, si gjithmonë, një pohim i sovranitetit tonë kognitiv. Duke dëshmuar qenien e tij në shkrim, Y bëhet bindshëm njerëzor. Y fiton. Kufiri midis mendimit njerëzor dhe atij të makinës mbetet i paprekur, i rifortifikuar nga një “unë” që nuk mundet dhe nuk do t’i delegohet kurrë dikujt tjetër.
Autor: Richard Beard
Burimi: Aeon






