I dashur lexues,
Ky shkrim paraqet portretet e disa grave për të cilat shpesh nuk flitet; gra që guxuan të shkonin kundër ideologjive të kohës së tyre dhe u rreshtuan krah punëtorëve. Për to, puna nuk ishte thjesht mënyrë e të mbijetuarit, por shenjë e dinjitetit njerëzor, duke e ndërthurur jetën e tyre të përditshme madje edhe atë shpirtërore me mundin e krahut.
Ndonëse vepruan në sfera të ndryshme dhe me pikëpamje unike, është interesante se si të gjitha i bashkonte jo vetëm pikëpamja për punën, por edhe Ungjilli. Përbrendësimi i parimeve të krishtera i shtyu ato të mos qëndronin spektatore, por të bëheshin protagoniste të ndryshimeve të mëdha sociale.
Lexim të këndshëm! 🙂
Disa nga këto gra përdorën trupat e tyre si instrumente lufte dhe dëshmie, ndërsa të tjera zgjodhën të sjellin ndryshime duke kërkuar pozita pushteti që tradicionalisht u rezervoheshin burrave. Të gjitha janë të lidhura nga një fije e vetme lidhëse, një fije që përshkon krishtërimin e shekullit XX dhe që mbetet ende aktual për ne sot. Konkretisht, puna është një hapësirë vendimtare e dinjitetit njerëzor.
Më 1 maj 1933, Union Square në New York ishte mbushur me punëtorë që protestonin për të drejtat e tyre. Një grua po shpërndante gazetën Catholic Worker (Punëtori Katolik), një botim i ri që trajtonte gjendjen e punëtorëve të varfër dhe të shfrytëzuar nga perspektiva e Mësimit Social Katolik. Kjo grua po themelonte një lëvizje që do të linte një shenjë të pashlyeshme si në Kishë, ashtu edhe në shoqërinë amerikane. Emri i saj ishte Dorothy Day dhe më 24 shtator 2015, Papa Françesku, gjatë mbajtjes së fjalimit të parë papal në histori drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara, e përfshiu atë në mesin e katër amerikanëve “të mëdhenj”, krahas Abraham Lincoln, Martin Luther King dhe Thomas Merton.
Dorothy Day ishte shumë gjëra: gazetare, aktiviste, anarkiste, ateiste dhe pacifiste. Ajo u burgos shtatë herë; kishte kryer një abort, kishte tentuar vetëvrasjen, ishte divorcuar dhe zgjodhi të ishte një nënë e vetme. Në vitin 1933, së bashku me Peter Maurin filozof-fshatar francez, ajo themeloi Lëvizjen e Punëtorit Katolik, e cila krijoi një rrjet strehimoresh bazuar në një parim të unifikuar: “Të jetojmë në përputhje me drejtësinë dhe bamirësinë e Jezu Krishtit“. Këto nuk ishin vetëm vende ndihme, por edhe hapësira për organizim politik, për të kritikuar kapitalizmin dhe për rezistencë jo të dhunshme, mes radhëve të supës dhe radhëve të protestës për të drejtat e punëtorëve. Dorothy Day lindi në një familje borgjeze dhe zgjodhi të jetonte në një nga këto komunitete, në plazhin e Staten Island, duke veshur vetëm rroba të përdorura që lëvizja u shpërndante nevojtarëve.
Në vitin 1927, kur lindi vajzën e saj, Day u konvertua në katolike, sepse “Kisha Katolike është Kisha e të varfërve, pavarësisht se çfarë thuhet për pasurinë e priftërinjve dhe ipeshkvinjëve të saj”. Megjithatë, ajo ishte shpesh në konflikt me autoritetet fetare, duke i kritikuar ato me Ungjillin në dorë: “Në të vërtetë po ju them: gjithçka bëtë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25:40).Krishti e tha këtë; sot ka të krishterë që e fyejnë Krishtin te njeriu zezak, te meksikani i varfër, tek italiani – po, vërtet – dhe te hebreu”. Çështja e saj për lumnim (beatifikim) ka qenë e hapur për më shumë se 25 vjet.

Në fillim të viteve 1930, në Le Puy të Francës, një grua e re shkaktoi skandal duke dhuruar rrogën e saj të mësueses për punëtorët në grevë. Emri i saj ishte Simone Weil. Ajo ishte pak më shumë se njëzet vjeç dhe kishte vendosur të jetonte vetëm me ekuivalentin e ndihmës për papunësinë për veten e saj. Ajo ishte vazhdimisht e sëmurë dhe vuante nga dhimbje kronike. Megjithatë, ajo zgjodhi ta vendoste trupin e saj të brishtë (i cili do të mbijetonte vetëm 34 vjet) në shërbim të luftës kundër padrejtësisë shoqërore. Simone, e cila ishte një nga mendjet më gjeniale të kohës së saj, punoi në fabrikat metalurgjike të Parisit, ku lëndoi vazhdimisht duart e saj. Kur kthehej në shtëpi, ajo shënonte: “Migrenë dërrmuese, punë e bërë pothuajse vazhdimisht me lot në sy”. Vetëm pagat nuk mjaftojnë, sepse pa përkujdesje, drejtësi dhe pjesëmarrje, puna mbetet shtypje. “Atje poshtë u vulosa përgjithmonë me shenjën e skllavërisë”, shkroi ajo.
Më pas në Marsejë, ndërsa punonte si punëtore bujqësore, ajo jetonte në një shtëpi të vogël të rrënuar dhe flinte në tokë. Çdo mëngjes ajo recitonte lutjen “Ati Ynë” në greqisht, sepse “papritmas u sigurova se krishterimi është, par excellence, feja e skllevërve, se skllevërit nuk mund të mos i bashkohen asaj, dhe unë bashkë me ta”. Në vitin 1937, ndërsa udhëtonte nëpër Itali me gjithë sëmundjen e saj, ajo u gjunjëzua në kapelën e Porziuncola-s në Asizi, duke u ndjerë “e tërhequr nga një forcë e papërmbajtshme”. Megjithatë, ajo nuk do të hynte kurrë zyrtarisht në Kishë dhe nuk do të pagëzohej. Ajo kishte rezerva për doktrinën kishtare dhe nuk mund të pranonte anatemat (mallkimet) kundër heretikëve dhe disidentëve.

Madeleine Delbrêl, e cila ishte poete, intelektuale dhe një grua laike e kushtuar (çështja e së cilës për lumnim po vazhdon), zgjodhi të dëshmojë Ungjillin duke u zhytur mes të margjinalizuarve në periferitë urbane të Parisit. Në moshën 17-vjeçare, ajo u deklarua ateiste dhe shkroi: “Zoti ka vdekur… rroftë vdekja”. Konvertimi i saj erdhi pasi një i ri, të cilin ajo e kishte dashuruar, e la atë për t’u bashkuar me Urdhrin Dominikan.
Në vitin 1933, ajo u shpërngul në Ivry-sur-Seine, një periferi parisiane e klasës punëtore me një administratë komunale komuniste. Në një kontekst ateist të shënuar nga varfëria e rëndë, ajo themeloi një komunitet të vogël grash laike (L’équipe) që ndanin qëllimin e imitimit të jetës së Krishtit, të formësuar nga thjeshtësia, varfëria dhe dëshira për virtyt (pastërtia). Madeleine punoi si punonjëse sociale për komunën, bashkëpunoi me sindikatat dhe kolegët që ishin marksistë, ateistë apo agnostikë; ajo njohu tek ata një përkushtim ndaj drejtësisë dhe mbështetjes reciproke. “Rruga” u bë për të një vend shenjtërie.

E lumja Armida Barelli, e cila ishte një grua laike e kushtuar dhe terciare françeskane (urdhri i tretë për laikët e kushtuar), mishëroi në jetën e saj konceptin e emancipimit dhe vlerësimin e punës dhe autonomisë së gruas. Edhe ajo lindi në një familje borgjeze në fund të shek.XIX dhe u edukua për t’u bërë bashkëshorte dhe nënë. Megjithatë, takimi i saj me Atë Agostino Gemelli-n, një mjek i konvertuar, ia ndryshoi jetën, pasi ai i propozoi një formë të re të punës apostolike si mënyrën më të mirë për të ndjekur vullnetin e Zotit.
Në vitin 1918, ajo u bë presidente e Rinisë femërore të Veprimit Katolik. Me të, shumë gra të reja zbuluan mundësinë e daljes jashtë jetës shtëpiake dhe heshtjes. Ato studiuan, fituan pavarësi, folën në publik, udhëtuan dhe morën përgjegjësi në shumë fusha të jetës shoqërore dhe kishtare. Ato i rezistuan armiqësisë së regjimit fashist. Armida ishte “motra e madhe”, gardiane e një forme krejtësisht të re motërie (sisterhood) që tejkalonte klasën shoqërore, kulturën dhe origjinën. Në vitin 1921, së bashku me Agostino Gemellin, ajo themeloi Universitetin Katolik të Zemrës së Shenjtë në Milano. Në vitin 1946, si nënkryetare e Veprimit Katolik, ajo ishte në ballë të betejës për të drejtën e votës së grave.

Më 7 dhjetor 1944, në kapelen e kolegjit të Etërve Kapuçinë në Cognola të Trentos, Chiara Lubich bëri betimin e dëlirësisë. Kjo shënoi fillimin e Lëvizjes së Fokolarëve. Chiaras shpejt iu bashkua një grup i vogël shoqesh. Së bashku, ato hodhën hapat e parë në një projekt “Vllazërimi”, i cili përfshinte ndarjen e të mirave materiale dhe shpirtërore, ndërsa ndanin dashurinë reciproke dhe ndihmonin më të varfërit. Dyzet vjet më vonë, Gjon Pali II njohu te Chiara praninë e një karizme, një “radikalizëm të dashurisë” dhe dekretoi që lëvizja e Fokolarëve duhet të udhëhiqet gjithmonë nga një grua.
Në vitin 1991, në Sao Paulo të Brazilit, Lubich gjeti shtysën vendimtare për të zbatuar projektin e Ekonomisë së Bashkimit (Economy of Communion). Ishte mjerimi i favelave (lagje tejet të mbingarkuara dhe të varfëra) që i tha asaj se ishte koha për të krijuar një ide të re të ndërmarrjes: një sipërmarrës “vëllazëror”, një “krijues tortash të reja dhe jo thjesht një dhurues i copave të tortës për të varfërit”, dikush që “kërkon të varfërit dhe të margjinalizuarit për t’i përfshirë ata në sistemin prodhues”. Chiara Lubich nuk zgjodhi rrugën e konfliktit për të sjellë ndryshim; ajo e solli çështjen e punës brenda ndërmarrjes. Kjo nuk ishte filantropi, por një model ekonomik alternativ. Ndarja e fitimit dhe personalizmi është një vizion i punës që nuk reduktohet në një mall, i cili bëhet i praktikueshëm në shkallë globale përmes poleve prodhuese të qytezave të Lëvizjes.

Në jetën e Adelaide Coari-t, konflikti ishte gjithmonë aty. Moderniste, sindikaliste, mësuese dhe gazetare, ajo ishte një figurë kryesore në betejat e para të feminizmit katolik italian dhe pagoi çmimin e izolimit nga sektorët më konservatorë të Kishës. Në vitin 1907, në Milano, në kongresin e grave të Lëvizjes Kristian-Demokrate, ajo prezantoi “programin e saj minimal feminist”. Ky përfshinte: të drejtën e votës për gratë, mbrojtjen dhe vlerësimin e punës së gruas, barazinë në paga, shkolla të posaçme për vajzat fshatare dhe të klasës punëtore, si dhe zgjerimin e të drejtave për gratë e martuara dhe nënat e vetme.
Në vitin 1908, revista që ajo drejtonte, Pensiero e Azione [Mendimi dhe Veprimi], u mbyll nga autoritetet kishtare sepse konsiderohej moderniste, pasi promovonte sindikalizimin e grave dhe kërkonte të pajtonte besimin me kërkesat e mendimit laik modern. Adelaide Coari, e cila luftoi gjithashtu për ripërtëritjen e Kishës dhe rolin parësor të gruas në jetën laike të Kishës, dëshmoi se doktrina katolike sociale nuk kishte të bënte vetëm me ndërmjetësimin, por edhe me luftën, mbajtjen e qëndrimit dhe krijimin e fërkimeve me institucionet.

Ndryshimi i gjërave nga brenda institucioneve ishte rruga e zgjedhur nga Tina Anselmi, gruaja e parë italiane që mbajti një post ministror. Fillimisht, ajo ishte Ministre e Punës nga viti 1976 deri në 1978 dhe më pas Ministre e Shëndetësisë për një vit tjetër. Ajo ishte përgjegjëse për ligjin e miratuar nga Parlamenti në vitin 1977 mbi “Barazinë në paga për burrat dhe gratë në punësim”. Po ashtu, ligji i vitit 1978 që themeloi Shërbimin Shëndetësor Kombëtar mban nënshkrimin e saj dhe përfaqëson një revolucion të vërtetë social që garantoi kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët.
E lindur në Castelfranco Veneto, në provincën e Trevizos, si vajzë e re Tina studionte në tavernën e gjyshes së saj për të qëndruar ngrohtë pranë zjarrit. Në librin e botuar para pak muajsh nga Prometheus, Tina Anselmi. Gruaja e reformave sociale, Alba Lazzaretto e përshkruan atë si vijon: “Një katolike, një partizane, një grua e luftës dhe e angazhimit politik të jetuar si ‘shërbim’;
Tina Anselmi ka mbetur në kujtesën e italianëve si simbol i guximit dhe ndershmërisë. Ajo zbuloi shumë nga ‘sëmundjet e fshehura’ të Republikës dhe kërkoi të vërtetën pa e kthyer kurrë shikimin në anën tjetër. ‘Për të ndryshuar botën, duhet të jesh e pranishme’, thoshte ajo, dhe ishte në vijën e parë duke luftuar stereotipet dhe paragjykimet ndaj grave dhe duke kundërshtuar interesat e ngushta. Ajo promovoi novacione të rëndësishme sociale (…) Ajo nuk e braktisi kurrë partinë e saj, edhe kur kandidoi në një zonë të vështirë zgjedhore (pasi kishte kryesuar, mes kërcënimeve dhe talljeve, Komisionin Parlamentar të Hetimit për Lozhën [Mafonike] P2), nga ku humbi në zgjedhjet e vitit 1992. Shumë njerëz e ndjenë humbjen e saj si një humbje për demokracinë”.
Edhe nëse barazia e vërtetë gjinore në paga, e rrënjosur në ligjin e saj, nuk është arritur ende plotësisht në praktikë, ai tekst gjithsesi vendosi të zezën mbi të bardhë, ndalimin e “çdo diskriminimi bazuar në gjini sa i përket mundësisë për punësim, pavarësisht nga mënyra e angazhimit dhe pavarësisht sektorit apo degës së aktivitetit, në të gjitha nivelet e hierarkisë profesionale”. Për më tepër, për herë të parë, punëtoreve gra iu njoh zyrtarisht “e drejta për të njëjtin shpërblim si punëtorët burra”.

Burimi: L’Osservatore Romano
Autor: Federica Re David






