Pas polemikave mes Leonit XIV dhe presidentit Donald Trump, zëvendëspresidenti JD Vance, ka marrë përsipër rolin e “Prefektit të Doktrinës së Besimit”.
Me një ton serioz, e njëkohësisht komik, Vance e këshilloi Papën “të ketë kujdes” kur flet për teologjinë. Deklaratat e Papës se Jezusi nuk është në anën e atyre që hedhin bomba, sipas Vance janë të gabuara sepse sipas logjikës së tij, Zoti ka qenë gjithmonë në anën e bombardimeve amerikane!
Kështu, Vance duket që harron se Papa nuk flet në emër të një shteti i cili ka batalione ushtarake, ai flet në emër të atij që, përballë pushteteve tokësore dhe dhunës teokratike të asaj kohe, zgjodhi kryqin dhe jo shpatën.
Gabimi i Vance përveçse është gabim politik, është edhe një keqlexim i thellë biblik. Sepse që në fillim vërehet se ai e ngatërron figurën e Jezusit me atë të “Zotit të Ushtrive” (Sabaoth) të Besëlidhjes së Vjetër.
Ai duke përmendur luftërat e kaluara si dëshmi që Zoti merr anë në beteja është e njëjta pikëpamje e Zotit që ndihmonte izraelitët në luftërat për shpëtimin e tyre.
Rasti më i mirë për t’u përmendur që të qartësohet kjo çështje është momenti i arrestimit të Jezusit në Gjetseman:
Kur qe, njëri prej atyre që ishin me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjithë ata që kapën për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin.” (Mt 26, 51-53)
Pra, Jezusi nuk tha “lufto sepse kauza jonë është e drejtë”, ai nuk ka negociuar me dhunën edhe kur ajo është dukur e drejtë në sytë e apostujve, prandaj gjykimet tona njerëzore të tilla si ajo e Vance janë absurde nga pikëpamja teologjike, sepse Zoti nuk bën kompromise me të keqen – kjo është vetëm një devijim sepse ne e mendojmë zotin në mënyrë antropomorfike dhe kësisoj i mveshim cilësi që ne i kemi në natyrën tonë njerëzore.
Papa Leoni XIV, nuk është ai që e mbron Iranin, nuk e ka duartrokitur një regjim i cili përveçse ka vrarë mijëra protestues të pafajshëm në rrugët e Teheranit, ka terrorizuar edhe mijëra gra e vajza për vite me radhë dhe ka shkelur çdo të drejtë thelbësore të njeriut.
Papa e mbron dinjitetin e çdo njeriu pavarësisht nëse ai njeri vdes nga një raketë amerikane apo nga dhuna e një diktature fetare.
Në këto polemika të rrezikshme gjeopolitike, Vance dhe Trump po tentojnë të bëjnë atë që kishin bërë para mijëra vitesh izraelitët: nacionalizimin e Hyjit.
Sidoqoftë, është për t’u vlerësuar qëndrimi i Leonit XIV, i cili nuk interesohet për kalkulime politike dhe interesa elektorale e personale; duket që Papa, duke mos qëndruar neutral në këtë çështje, e bën të qartë se një zot i cili pajtohet me bombardime dhe është pro-hakmarrjes, duhet të kërkohet jashtë mureve të Vatikanit dhe faqeve të Ungjillit!






