Dita e 41-të Botërore e Rinisë: Rinia e Dioqezës Prizren-Prishtinë në bashkësi me Kishën universale

10 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Edhe pse Dita Botërore e Rinisë njihet më së shumti për tubimet e mëdha ndërkombëtare, ajo lindi fillimisht si një iniciativë lokale në nivel dioqezan.

Gjithçka nisi në vitet 1984 dhe 1985, kur qindra mijëra të rinj tejkaluan çdo parashikim duke u mbledhur në Romë me ftesë të Shën Gjon Palit II. Duke parë këtë entuziazëm, Papa e shpalli zyrtarisht themelimin e Ditës Botërore të Rinisë në dhjetor të vitit 1985.

Takimi i parë zyrtar u mbajt më 23 mars 1986, ku të gjitha dioqezat e botës mblodhën të rinjtë e tyre në nivel lokal. Qëllimi kryesor i Papës ishte që çdo i ri, edhe ai që nuk mund të udhëtonte jashtë vendit, të kishte mundësinë të takonte ipeshkvin dhe bashkëmoshatarët e tij. Kjo qasje siguroi që feja e të rinjve të rrënjosej në komunitetin e tyre të përditshëm dhe të mos mbetej thjesht një emocion i çastit.

Për më shumë se tre dekada, këto takime dioqezane u festuan çdo vit në të Dielën e Larit.

Në vitin 2020, Papa Françesku e zhvendosi këtë festim në Solemnitetin e Krishtit Mbret, për t’i dhënë rinisë një ditë të dedikuar plotësisht jashtë ritmit të Javës së Shenjtë.

Sot, kjo traditë vazhdon të jetë zemra e gjallë e Kishës lokale, duke i bërë të rinjtë protagonistë të vërtetë të bashkësisë së tyre.

Mesazhi i Leonit XIV për Takimin Rinor Dioqezan të këtij viti

Me moton ungjillore “Merrni zemër! Unë e kam mundur botën” (Gjn 16, 33), Papa Leoni XIV u ka drejtuar të rinjve të mbarë botës mesazhin e tij për Ditën Botërore të Rinisë, e cila kremtohet në nivel dioqezan më 22 nëntor 2026, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, duke shërbyer njëheri si etapë përgatitore drejt shtegtimit ndërkombëtar në Seul, në gusht të vitit 2027.

Duke u nisur nga skena ungjillore e dishepujve në barkë gjatë natës, kur era forcohet dhe dallgët ngrihen (krh. Gjn 6, 20), Papa prek me saktësi ankthin e të rinjve për të ardhmen, presionin e pashmangshëm për të qenë të përsosur, si dhe lodhjen nga krahasimi i vazhdueshëm me imazhet e kuruara dhe të fabrikuara në rrjetet sociale.

Ati i Shenjtë ndalet te një e vërtetë e dhimbshme e kohës sonë: ndjesinë e vetmisë që teknologjia nuk mund ta shërojë kurrë, pasi ajo vetëm e imiton empatinë, por është e paaftë të ofrojë afërsi autentike njerëzore.

Përballë këtij realiteti të mbushur me pasiguri, Papa argumenton se guximi i krishterë nuk buron kurrsesi nga forca vetjake e karakterit dhe as nga iluzioni modern se njeriu mund të bëhet shpëtimtar i vetvetes.

Një mentalitet i tillë, që kërkon vetëpërsosje pa Zotin, përfundon duke e lënë njeriun të vetmuar përballë kufizimeve të tij. Guximi i vërtetë buron vetëm nga prania e Krishtit, i cili ecën mbi ujërat e trazuara të jetës sonë madje edhe para se ne ta kërkojmë Atë.

Fitorja e Krishtit mbi “botën e errësirës” (krh. Ef 6, 12) – e kuptuar jo si universi i krijuar dhe i dashur nga Hyji, por si ai mister i së keqes dhe i rezistencës ndaj Zotit që fshihet edhe brenda zemrës njerëzore – nuk u arrit përmes një triumfi dominues apo imponimi të dhunshëm. Ajo është fitorja e dashurisë që zbraz veten (kenosis), duke marrë formën e shërbëtorit dhe duke u flijuar në kryq (krh. Fil 2, 6-8).

Pikërisht këtu, Papa i fton të rinjtë të zbulojnë atë që ai e quan “guximi i përulësisë”: gatishmërinë për të pranuar kufizimet e veta, për të hequr maskat e përsosmërisë së rreme, për t’i hapur dyert e zemrës të mbyllura nga plagët apo zhgënjimet dhe për t’u bërë paqebërës në një botë të copëtuar nga tensionet dhe cinizmi.

Dioqeza Prizren-Prishtinë, pjesë e Kishës Universale

Në këtë rrugëtim të Kishës universale përfshihet plotësisht edhe Dioqeza Prizren-Prishtinë.

Çdo vit, Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë të shtunën para Solemnitetit të Krishtit Mbret (21 nëntor) bëhet vendi ku mblidhen qindra të rinj nga të katër dekanatet e Prishtinës, i Prizrenit, i Pejës dhe i Gjakovës – bashkë me të gjitha famullitë e tyre.

Ky tubim, sidomos këtë vit, nuk është thjesht një ngjarje kalendarike, por kurorëzim i një trajektoreje të qartë teologjike që Dioqeza ka ndërtuar vitet e fundit përmes tri virtyteve teologale.

Në vitin 2024, takimi u përqendrua te virtyti i fesë, i mishëruar në dëshminë e dy martirëve të saposhpallur të lumë atëherë, Atë Luigj Paliqit dhe Dom Gjon Gazullit, me moton “Ju më jeni dëshmitarë, shërbëtorët e mi që unë ju zgjodha”, duke e shpalosur fenë jo si ide abstrakte, por si dëshmi e plotë deri në dhurimin e jetës.

Vitin e kaluar, nën dritën e Jubileut të Shpresës të shpallur nga Papa Françesku, fokusi u vendos te virtyti i shpresës me moton sinodale “Krishti jeton. Ai është shpresa jonë”, si spirancë ekzistenciale që çan errësirën e pasigurive të kohës. Pjesë e takimit rinor dioqezan, ishin edhe grupi i të rinjëve nga Kosova të cilit kishin marrë pjesë në Jubileun e Rinisë në Romë me Papa Leonin XIV.

Si plotësim i natyrshëm i kësaj arkitekture shpirtërore, këtë vit në qendër të rrugëtimit dioqezan pritet të vendoset virtyti i dashurisë.

Kështu ka njoftuar Përgjegjësi i Baritorës për Rininë, Don Alfred Sokoli, i cili së bashku me Këshillin Rinor për këtë vit kanë përzgjedhur moton “Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi, unë të dua!” (Is 43,4). Përmes të cilës Kisha Katolike i rikujton edhe të rinjëve kosovar se në ecjen e tyre, secili është i çmueshëm në sytë e Tij.

Në këndvështrimin e krishterë, dashuria nuk reduktohet kurrë në një emocion kalimtar, në një gjendje shpirtërore të ndryshueshme apo thjesht në simpati njerëzore. Ajo është vetë qenia e Hyjit, sipas pohimit themelor të Shën Gjon Ungjilltar: “Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, 8). Kjo do të thotë se dashuria nuk është thjesht një atribut ndër shumë të tjerë të Hyjit, por identiteti i Tij më intim.

Teologjia e krishterë e shpreh këtë përmes konceptit të Agape-s – dashurisë hyjnore, të pakushtëzuar, e cila shkon përtej çdo llogarie njerëzore të interesit apo reciprocitetit (amor aedificans).

Agape është një dhurim total i vetvetes që nuk kërkon asgjë për vete, por krijon jetë aty ku kishte vetëm vdekje. Kjo dashuri gjendet në mënyrë të pëkryer te kenosis – zbrazja e Birit të Hyjit, i cili, siç shkruan bukur Shën Pali, megjithse ishte në natyrën hyjnore, u bë njeri dhe u dorëzua deri në vdekjen në kryq për hir të njerëzimit.

Për Shën Tomën e Akuinit dhe traditën e madhe skolastike, dashuria është actus caritatis – veprimi më i lartë i vullnetit, përmes të cilit njeriu bashkohet me vetë Hyjin, duke dashur fqinjin jo sepse është i përsosur, por sepse dashuria hyjnore e ka përqafuar atë i pari.

Në këtë horizont të gjerë kishtar, çdo i ri anembanë botës – e po ashtu edhe në dioqezat më të vogla si e jona ftohet të marrë pjesë në këto takime që e nxjerrin besimin nga izolimi individual dhe e vendosin në bashkësi.

Përmes tyre, të rinjtë kanë mundësinë të takojnë bashkëmoshatarë që bartin të njëjtat dyshime, pyetje ekzistenciale dhe sfida të kohës, por njëkohësisht ndajnë të njëjtën dashuri për Hyjin dhe për njëri-tjetrin; sepse, në fund të fundit, është vetë Krishti – Ai që na bashkon rreth tryezës së Tij eukaristike.

Këto takime zakonisht fillojnë me adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament dhe me mundësinë për sakramentin e Rrëfimit, kulmojnë me kremtimin e Eukaristisë të udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës, dhe vijojnë më pas me aktivitetet kulturore e artistike, ku shprehet gjallëria dhe krijimtaria e një brezi të thirrur të dëshmojë të Vërtetën.

Të mbështetur në dashurinë e Krishtit – të cilën teologjia e krishterë e njeh si fitoren mbi botën e errësirës – të rinjtë ftohen “të marrin zemër” dhe të veprojnë si faktorë transformues brenda realitetit ku jetojnë.

Për Dioqezën Prizren-Prishtinë, e shtrirë në famulli e realitete të ndryshme, ky tubim ka një rëndësi themelore sepse forcon unitetin e brendshëm dhe dëshmon se rinia e saj është pjesë organike e Kishës universale por poashtu është thelbësore që Kisha të kultivojë artin sinodal të dëgjimit të zërit autentik të të rinjve, pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre.


https://www.vatican.va/content/leo-xiv/en/messages/youth/documents/20261022-messaggio-xli-gmg.html

Posteri zyrtar i Takimit Rinor Dioqezan për vitin 2026

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *