Benedikti XVI: Quaerere Deum – Kërkimi i të Vërtetës dhe Rrënjët e Kulturës Perëndimore

32 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

I dashur lexues,

Më 12 shtator 2008, në sallën historike të Collège des Bernardins në Paris, Papa Benedikti XVI iu drejtua botës intelektuale dhe kulturore evropiane me një nga ligjëratat e tij më të thella filozofike. Përmes një rikthimi te zanafilla e monasticizmit perëndimor, Benedikti ngre një çeshtje themelore për kohën tonë: si lindi kultura, letërsia dhe shkenca e Perëndimit jo si një projekt i thjeshtë politik apo utilitar, por si fryt i Quaerere Deum – kërkimit të Zotit dhe të së Vërtetës absolute. Përballë një bote moderne që rrezikon ta reduktojë lirinë në mungesë detyrimi dhe arsyen në pozitivizëm, ky fjalim shërben si një thirrje kritike për të rivlerësuar lidhjen e pashkputshme mes besimit, Logos-it dhe përgjegjësisë njerëzore.

Lexim të këndshëm! 🙂


Dëshiroj të flas me ju këtë mbrëmje mbi zanafillën e teologjisë perëndimore dhe rrënjët e kulturës evropiane. E fillova duke kujtuar se vendi në të cilin jemi mbledhur është në një farë mënyre emblematik. Në fakt, është një vend i lidhur ngushtë me kulturën monastike, për aq sa murgjit e rinj vinin të jetonin këtu për të kuptuar më thellë thirrjen e tyre dhe për të qenë më besnikë ndaj misionit të tyre. Ne ndodhemi në një vend që shoqërohet me kulturën e murgjëve.

A ka ende kjo diçka për të na thënë sot, apo thjesht po ndeshemi me botën e së kaluarës? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të shqyrtojmë për një çast vetë natyrën e monasticizmit perëndimor. Për çfarë bëhej fjalë? Nga perspektiva e ndikimit historik të monasticizmit, mund të themi se, mes trazirave të mëdha kulturore që erdhën si pasojë e dyndjeve të popujve dhe konfigurimeve të reja politike që po lindnin, manastiret ishin vendet ku mbijetuan thesaret e kulturës së lashtë dhe ku, në të njëjtën kohë, një kulturë e re mori formë ngadalë prej asaj të vjetrës. Por si ndodhi kjo? Çfarë i motivoi burrat të bashkoheshin në këto vende? Çfarë donin ata? Si jetonin ata?

Së pari dhe mbi të gjitha, duhet pranuar hapur e pa dorëza se qëllimi i tyre nuk ishte krijimi i një kulture, e madje as ruajtja e ndonjë kulture të së kaluarës. Motivi i tyre ishte shumë më themelor. Qëllimi i tyre ishte: quaerere Deum – kërkimi i Zotit.

Mes ngatërresës së kohërave, në të cilat asgjë nuk dukej e përhershme, ata donin të bënin atë që ishte thelbësore, të bënin një përpjekje për të gjetur atë që është përjetësisht e vlefshme dhe e qëndrueshme, vetë jetën. Ata ishin në kërkim të Zotit. Ata donin të kalonin nga e joesencialja tek esencialja, tek e vetmja gjë që është vërtet e rëndësishme dhe e besueshme. Nganjëherë thuhet se ata ishin të orientuar “eskatologjikisht”. Por kjo nuk duhet kuptuar në një kuptim kohor, sikur të ishin duke parë drejt fundit të botës apo drejt vdekjes së tyre, por në një kuptim ekzistencial: ata po kërkonin të përfundimtaren pas asaj që ishte e përkohshme.

Quaerere Deum: meqenëse ishin të krishterë, kjo nuk ishte një ekspeditë në një shkretëtirë pa shtigje, një kërkim që i çonte në errësirë totale. Vetë Zoti kishte siguruar shenja orientuese, madje kishte shënuar një shteg të cilin ata duhet ta gjenin dhe ta ndiqnin. Ky shteg ishte fjala e tij, e cila u ishte zbuluar njerëzve në librat e Shkrimit të Shenjtë. Kështu, me domosdoshmëri të brendshme, kërkimi i Zotit kërkon një kulturë të fjalës, ose – siç u shpreh Jean Leclercq: eskatologjia dhe gramatika lidhen ngushtë me njëra-tjetrën në monasticizmin perëndimor (krh. L’amour des lettres et le désir de Dieu).

Malli për Zotin, désir de Dieu, përfshin amour des lettres, dashurinë për letrat, eksplorimin e të gjitha dimensioneve të tij. Për shkak se në fjalën biblike Zoti vjen drejt nesh dhe ne drejt tij, ne duhet të mësojmë të depërtojmë në sekretin e gjuhës, ta kuptojmë atë në ndërtimin e saj dhe në mënyrën e shprehjes së saj. Kështu, pikërisht përmes kërkimit të Zotit, shkencat shekullore marrin rëndësinë e tyre, shkenca që na tregojnë shtegun drejt gjuhës. Meqenëse kërkimi i Zotit kërkonte kulturën e fjalës, ishte e përshtatshme që manastiri të kishte një bibliotekë, e cila tregonte shtigjet drejt fjalës. Ishte gjithashtu e përshtatshme të kishte një shkollë, në të cilën këto shtigje mund të hapeshin. Benedikti e quan manastirin një dominici servitii schola. Manastiri i shërben eruditio-s, formimit dhe edukimit të njeriut – një formim që ka si qëllim të fundit që njeriu të mësojë se si t’i shërbejë Zotit. Por ai përfshin gjithashtu formimin e arsyes – edukimin – përmes të cilit njeriu mëson të perceptojë, në mes të fjalëve, vetë Fjalën.

Megjithatë, për të pasur një vizion të plotë të kulturës së fjalës, e cila i përket thelbësisht kërkimit të Zotit, duhet të hedhim një hap më tej. Fjala që hap shtegun e atij kërkimi, dhe që duhet të identifikohet me këtë shteg, është një fjalë e përbashkët. Është e vërtetë, ajo depërton në zemrën e çdo individi (krh. Vep. 2:37). Gregori i Madh e përshkruan këtë si një dhimbje të mprehtë therrëse, e cila çan shpirtin tonë në gjumë dhe na zgjon, duke na bërë të vëmendshëm ndaj realitetit thelbësor, ndaj Zotit (krh. Leclercq, f. 35).

Por në këtë proces, ajo na bën të vëmendshëm edhe ndaj njëri-tjetrit. Fjala nuk çon drejt një shtegu thjesht individual zhytjeje mistike, por drejt bashkësisë shtegtare të fesë. Dhe kështu kjo fjalë nuk duhet vetëm të meditohet, por edhe të lexohet saktësisht. Ashtu si në shkollat rabinike, po kështu edhe me murgjit, leximi nga ana e individit është njëkohësisht një veprimtari korporative, e përbashkët. “Por nëse legere dhe lectio përdoren pa ndonjë shënim shpjegues, atëherë ato kryesisht përcaktojnë një veprimtari e cila, ngjashëm me këngën dhe shkrimin, angazhon të gjithë trupin dhe gjithë shpirtin”, thotë Jean Leclercq mbi këtë temë (po aty, f. 21).

Dhe përsëri, kërkohet një hap tjetër. Ne vetë futemi në bisedë me Zotin përmes fjalës së Zotit. Zoti që flet në Bibël na mëson se si të flasim vetë me Të. Veçanërisht në librin e Psalmeve, Ai na jep fjalët me të cilat mund t’i drejtohemi Atij, me të cilat mund të sjellim jetën tonë, me të gjitha pikat e saj më të larta dhe më të ulëta, në bisedë me Të, në mënyrë që vetë jeta të bëhet në këtë mënyrë një lëvizje drejt Tij. Psalmet pëalsojnë gjithashtu udhëzime të shpeshta se si duhet të këndohen dhe të shoqërohen me instrumente. Për lutjen që buron nga fjalja e Zotit, të folurit nuk mjaftueshëm: kërkohet muzika. Dy këngë nga liturgjia e krishterë vijnë nga tekste biblike në të cilat ato vendosen në buzët e engjëjve: Gloria, e cila këndohet nga engjëjt në lindjen e Jezusit, dhe Sanctus, e cila sipas Isaia 6 është thirrja e serafimve që qëndrojnë drejtpërdrejt para Zotit. Adhurimi i krishterë është rrjedhimisht një ftesë për të kënduar me engjëjt, dhe kështu për ta çuar fjalën drejt destinacionit të saj më të lartë. Përsëri, Jean Leclercq thotë për këtë temë: “Murgjit deshën të gjenin melodi që përkthejnë në muzikë pranimin nga ana e njeriut të shpenguar të mistereve që ai feston. Pak kapitulat e mbijetuara nga Cluny tregojnë kështu simbolet kristologjike të mënyrave individuale” (krh. po aty, f. 229).

Për Benediktin, fjalët e Psalmului: coram angelis psallam Tibi, Domine – në prani të engjëjve, do të këndoj lavdinë Tnde (krh. 138:1) – janë rregulla vendimtare që rregullojnë lutjen dhe këngën e murgjëve. Kjo shpreh ndërgjegjësimin se në lutjen e përbashkët njeriu këndon në prani të të gjithë oborrit qiellor, dhe për rrjedhojë matet sipas standardeve më të larta: se njeriu lutet dhe këndon në një mënyrë të tillë që të harmonizohet me muzikën e shpirtrave fisnikë që konsideroheshin krijuesit e harmonisë së kozmosit, muzikës së sferave.

Nga kjo perspektivë mund të kuptohet serioziteti i një vërejtjeje të Shën Bernardit të Clairvaux, i cili përdori një shprehje nga tradita platonike e trashëguar nga Augustini, për të dhënë gjykimin e tij mbi këndimin e dobët të murgjëve, i cili për të ishte dukshëm shumë larg të qenit një incident i një rëndësie vetëm dytësore. Ai e përshkruan konfuzionin që vjen nga një këndim i ekzekutuar dobët si një rënie në “zonën e pangjashmërisë” – regio dissimilitudinis. Augustini e kishte huazuar këtë frazë nga filozofia platonike, për të përcaktuar gjendjen e tij para kthesës (krh. Rrëfimet, VII, 10.16): njeriu, i cili është krijuar në ngjasimin e Zotit, bie në braktisjen e tij prej Zotit në “zonën e pangjashmërisë” – në një largësi nga Zoti, në të cilën ai nuk e pasqyron më Atë, dhe kështu është bërë i pangjashëm (i huaj) jo vetëm ndaj Zotit, por ndaj vetvetes, ndaj asaj që do të thotë të jesh vërtet njeri.

Bernardi sigurisht që po e thekson fort kur përdor këtë frazë, e cila tregon rënien e njeriut larg nga vetvetja, për të përshkruar këndimin e keq të murgjëve. Por kjo tregon se sa seriozisht e shihte ai këtë çështje. Kjo tregon se kultura e të kënduarit është gjithashtu kultura e qenies, dhe se murgjit duhet të luten dhe të këndojnë në një mënyrë që i përgjigjet madhështisë së fjalës që u është dorëzuar atyre, me pretendimin e saj për bukurinë e vërtetë.

Ky kërkim i brendshëm i të folurit me Zotin dhe të kënduarit për Të me fjalë që Vetë Ai i ka dhuruar, është ajo që lindi traditën e madhe të muzikës perëndimore. Kjo nuk ishte një formë e “krijimtarisë” private, në të cilën individi i lë një kujtim vetvetes dhe e bën vetë-përfaqësimin kriterin e tij thelbësor. Përkundrazi, bëhet fjalë për njohjen me vigjilencë me “veset e zemrës” të ligjeve të brendshme të muzikës së krijimit, arketipeve të muzikës që Krijuesi i ndërtoi në botën e Tij dhe te njerëzit, dhe kështu zbulimin e muzikës që është e denjë për Zotin, dhe në të njëjtën kohë vërtet e denjë për njeriun, muzikë vlera e së cilës kumbon në pastërti.

Për të kuptuar deri diku kulturën e fjalës, e cila u zhvillua thellë brenda monasticizmit perëndimor nga kërkimi i Zotit, duhet të prekim të paktën shkurtimisht karakteristikën e veçantë të librit, apo më mirë të librave, në të cilët murgjit u ndeshën me këtë fjalë. Bibla, e konsideruar nga një perspektivë thjesht historike dhe letrare, nuk është thjesht një libër, por një përmbledhje tekstesh letrare që u redaktuan gjatë një periudhe prej më shumë se një mijë vjetësh, dhe në të cilën uniteti i brendshëm i librave individualë nuk duket menjëherë qartë. Përkundrazi, ka tensione të dukshme mes tyre. Kështu është tashmë brenda Biblës së Izraelit, të cilën ne të krishterët e quajmë Besëlidhja e Vjetër. Ajo korrigjohet vetëm kur ne si të krishterë lidhim shkrimet e Besëlidhjes së Re si, sikurse të thuash, një çelës hermeneutik me Biblën e Izraelit, dhe kështu e kuptojmë këtë të fundit si udhëtimin drejt Krishtit.

Me të drejtë, Besëlidhja e Re zakonisht e emërton Biblën jo si “Shkrimi”, por si “Shkrimet”, të cilat, kur merren së bashku, natyrisht më pas konsiderohen si e vetmja fjalë e Zotit drejtuar nesh. Por përdorimi i kësaj trajte të shumësit bën krejtësisht të qartë se fjala e Zotit vjen tek ne vetëm përmes fjalës njerëzore dhe përmes fjalëve njerëzore, se Zoti na flet vetëm përmes natyrës njerëzore të agjentëve njerëzorë, përmes fjalëve të tyre dhe historisë së tyre. Kjo do të thotë gjithashtu se elementi hyjnor në fjalë dhe në fjalët nuk është i vetëkuptueshëm. Për ta thënë këtë në një mënyrë moderne: uniteti i librave biblikë dhe karakteri hyjnor i fjalëve të tyre nuk mund të kapet me metoda thjesht historike. Elementi historik shihet në shumësinë dhe në natyrën njerëzore. Nga kjo perspektivë mund të kuptohet formulimi i një çifti vargjesh mesjetare që në shikim të parë duket mjaft shqetësues: littera gesta docet – quid credas allegoria… (krh. Augustini i Dakiës, Rotulus pugillaris, I). Shkronja tregon faktet; ajo që duhet të besosh tregohet nga alegoria, domethënë nga ekzegjeza kristologjike dhe pneumatologjike.

Mund ta themi edhe më thjesht: Shkrimi kërkon ekzegjezë, dhe ai kërkon kontekstin e bashkësisë në të cilën lindi dhe në të cilën jetohet. Këtu gjendet uniteti i tij, dhe pikërisht këtu hapet kuptimi i tij bashkues. Për ta thënë edhe ndryshe: ka dimensione kuptimore në fjalë dhe në fjalë që dalin në dritë vetëm brenda bashkësisë së gjallë të kësaj fjale që gjeneron histori. Përmes realizimit në rritje të shtresave të ndryshme të kuptimit, fjala nuk zhvlerësohet, por përkundrazi shfaqet në madhështinë dhe dinjitetin e saj të plotë.

Prandaj, Katekizmi i Kishës Katolike mund të thotë me të drejtë se krishterimi nuk përfaqëson thjesht një fe të librit në kuptimin klasik (krh. par. 108). Ai percepton në fjalë Fjalën, vetë Logos-in, i cili përhap misterin e tij përmes kësaj shumësie dhe realitetit të një historie njerëzore. Kjo strukturë e veçantë e Biblës i lëshon një sfidë vazhdimisht të re çdo brezi. Ajo përjashton nga natyra e saj gjithçka që sot njihet si fundamentalizëm. Në fakt, fjala e Zotit nuk mund të barazohet kurrë thjesht me shkronjën e tekstit. Për të arritur tek ajo përfshihet një tejkalim dhe një proces të kuptuari, i udhëhequr nga lëvizja e brendshme e së tërës, dhe për rrjedhojë ajo gjithashtu duhet të bëhet një proces jetese. Vetëm brenda unitetit dinamik të së tërës, librat e shumtë janë një libër i vetëm. Fjala e Zotit dhe veprimi i Tij në botë zbulohen vetëm në fjalën dhe historinë e qenieve njerëzore.

E gjithë drama e kësaj teme ndriçohet në shkrimet e Shën Palit. Atë që nënkuptohet nga tejkalimi i shkronjës dhe të kuptuarit e saj vetëm nga perspektiva e së tërës, ai e shprehu me forcë në këtë mënyrë: “Shkronja vret, por Shpirti jep jetë” (2 Kor 3:6). Dhe ai vazhdon: “Aty ku është Shpirti… atje është liria” (krh. 2 Kor 3:17). Por njeriu mund të kuptojë madhështinë dhe gjerësinë e këtij vizioni të fjalës biblike vetëm nëse dëgjon me vëmendje Palin dhe më pas zbulon se ky Shpirt çlirimtar ka një emër, dhe rrjedhimisht se liria ka një kriter të brendshëm: “Zoti është Shpirti. Aty ku është Shpirti… atje është liria” (2 Kor 3:17). Shpirti çlirimtar nuk është thjesht ideja e vetë ekzegjetit, vizioni i vetë ekzegjetit. Shpirti është Krishti, dhe Krishti është Zoti që na tregon rrugën. Me fjalën e Shpirtit dhe të lirisë, hapet një horizont i mëtejshëm, por në të njëjtën kohë i vendoset një kufi i qartë arbitraritetit dhe subjektivitetit, i cili lidh pa ekuivok si individin ashtu edhe bashkësinë dhe sjell një detyrim të ri, më të lartë se ai i shkronjës: domethënë, detyrimin e depërtimit (insight) dhe të dashurisë.

Ky tension midis detyrimit dhe lirisë, i cili shtrihet shumë përtej problemit letrar të ekzegjezës shkrimore, ka përcaktuar gjithashtu mendimin dhe veprimin e monasticizmit dhe ka lënë gjurmë të thella në kulturën perëndimore. Ky tension paraqitet sërish si një sfidë për brezin tonë ndërsa përballemi me dy pole: nga një anë, arbitrariteti subjektiv, dhe nga ana tjetër, fanatizmi fundamentalist. Do të ishte një fatkeqësi nëse kultura e sotme evropiane do ta konceptonte lirinë vetëm si mungesë detyrimi, gjë që në mënyrë të pashmangshme do t’i bënte lojën fanatizmit dhe arbitraritetit. Mungesa e detyrimit dhe arbitrariteti nuk nënkuptojnë liri, por shkatërrimin e saj.

Deri këtu në shqyrtimin tonë të “shkollës së shërbimit të Zotit”, siç e përshkruan Benedikti monasticizmin, ne kemi shqyrtuar vetëm orientimin e tij drejt fjalës – drejt ora. Në të vërtetë, kjo është pika e nisjes që vendos drejtimin për të gjithë jetën monastike. Por shqyrtimi ynë do të mbetej i paplotë nëse nuk do të hidhnim të paktën një vështrim të shkurtër te përbërësi i dytë i monasticizmit, i treguar nga labora.

Në botën greke, puna manuale konsiderohej diçka për skllevërit. Vetëm njeriu i urtë, ai që është vërtet i lirë, i përkushtohet gjërave të shpirtit; ai e shikon punën manuale disi poshtë vetes, dhe ia lë atë njerëzve që nuk janë të përshtatshëm për këtë ekzistencë më të lartë në botën e shpirtit. Tradita hebraike ishte krejtësisht ndryshe: të gjithë rabinët e mëdhenj ushtronin në të njëjtën kohë ndonjë formë zanati dore. Pali, i cili si rabin dhe më pas si predikues i Ungjillit në botën pagane ishte gjithashtu punues çadrash dhe fitonte jetesën me punën e duarve të veta, nuk bën përjashtim këtu, por qëndron brenda traditës së përbashkët të rabinatit. Monasticizmi e mori këtë traditë; puna manuale është një element konstitutiv i murgjëve të krishterë.

Në Rregullën e tij, Shën Benedikti nuk flet specifikisht për shkollat, megjithëse në praktikë ai presupozon mësimdhënien dhe nxënien, siç e kemi parë. Megjithatë, në një kapitull të Rregullës së tij, ai flet shprehimisht për punën (krh. Kap. 48). Dhe kështu bën edhe Augustini, i cili i kushtoi një libër të vetin punës monastike. Të krishterët, të cilët në këtë mënyrë vazhduan në traditën e vendosur më parë nga judaizmi, duhet të jenë ndier edhe më të justifikuar nga thënia e Jezusit në Ungjillin e Shën Gjonit, në mbrojtje të veprimtarisë së Tij të shtunën: “Ati im punon edhe tani, dhe unë po punoj” (5:17).

Bota greko-romake nuk kishte një Zot krijues; sipas vizionit të saj, hyjnia më e lartë nuk mundte, sikurse të thuhej, të ndotë duart në punën e krijimit të lëndës. “Bërja” e botës ishte vepër e Demiurgut, një hyjnie më të ulët. Zoti i krishterë është ndryshe: Ai, i vetmi, i vërtetë dhe i vetëm Zot, është gjithashtu Krijuesi. Zoti po punon; Ai vazhdon të punojë në dhe mbi historinë njerëzore. Në Krishtin, Ai hyn personalisht në punën e mundimshme të historisë. “Ati im punon edhe tani, dhe unë po punoj.” Vetë Zoti është Krijuesi i botës, dhe krijimi nuk ka mbaruar ende. Zoti punon, ergázetai! Kështu puna njerëzore shihej tani si një formë e veçantë e ngjasimit të njeriut me Zotin, si një mënyrë në të cilën njeriu mund dhe ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtarinë e Zotit si krijues i botës. Monasticizmi përfshin jo vetëm një kulturë të fjalës, por edhe një kulturë të punës, pa të cilën ngritja e Evropës, etosi i saj dhe ndikimi i saj në botë do të ishin të paimagjinueshme. Natyrisht, ky etos duhet të përfshinte idenë se puna njerëzore dhe formësimi i historisë kuptohen si pjesëmarrje në punën e Krijuesit, dhe duhet të vlerësohen në ato terma. Aty ku mungon ky vlerësim, ku njeriu i atribuon vetes statusin e krijuesit të ngjashëm me perëndinë, formësimi i tij i botës mund të shndërrohet shpejt në shkatërrim të botës.

Ne u nisëm nga premisa se qëndrimi themelor i murgjëve përballë kolapsit të rendit të vjetër dhe sigurive të tij ishte quaerere Deum – nisja në kërkim të Zotit. Këtë mund ta përshkruanim si qëndrimin e vërtetë filozofik: shikimi përtej asaj që është e parafundit, dhe nisja në kërkim të asaj që është përfundimtare dhe e vërtetë. Duke u bërë murg, një njeri nisej në një shteg të gjerë dhe fisnik, por ai e kishte gjetur tashmë drejtimin që i nevojitej: fjalën e Biblës, në të cilën ai dëgjonte Vetë Zotin duke folur. Tani ai duhet të përpiqej ta kuptonte Atë, për të qenë në gjendje t’i afrohej Atij. Kështu që udhëtimi monastik është me të vërtetë një udhëtim në botën e brendshme të fjalës së marrë, madje edhe nëse përfshihet një distancë e pafundme.

Brenda kërkimit të murgjërve tashmë përmban, në disa aspekte, një gjetje. Prandaj, nëse ky kërkim duhet të jetë i mundur fare, duhet të ketë një nxitje fillestare, e cila jo vetëm zgjon vullnetin për të kërkuar, por gjithashtu bën të mundur të besosh se rruga është fshehur brenda kësaj fjale, ose më mirë: se në këtë fjalë, Vetë Zoti është nisur drejt njerëzve, dhe rrjedhimisht njerëzit mund të vijnë tek Zoti përmes saj. Për ta thënë ndryshe: duhet të ketë shpallje, e cila i flet njeriut dhe kështu krijon bindje, e cila nga ana e saj mund të bëhet jetë. Nëse duhet të hapet një shteg në zemrën e fjalës biblike si fjala e Zotit, kjo fjalë duhet para së gjithash të shpallet jashtë. Formulimi klasik i nevojës së brendshme të fesë së krishterë për ta bërë veten të komunikueshme për të tjerët, është një frazë nga Letra e Parë e Pjetrit, e cila në teologjinë mesjetare konsiderohej si baza biblike për punën e teologëve: “Keni gjithmonë gati përgjigjen tuaj për njerëzit që ju kërkojnë arsyen (logos) për shpresën që keni të gjithë” (3:15). (Logos-i, arsyeja për shpresën duhet të bëhet apo-logía; ajo duhet të bëhet një përgjigje).

Në fakt, të krishterët e Kishës që po lindte nuk e shihnin shpalljen e tyre misionare si propagandë, e dizajnuar për të rritur grupin e tyre specifik, por si një domosdoshmëri të brendshme, pasuese e natyrës së fesë së tyre: Zoti në të cilin besonin ata ishte Zoti i të gjithë njerëzve, i vetmi, i vërtetë Zot, i cili ishte zbuluar në historinë e Izraelit dhe në fund në Birit e Tij, duke siguruar kështu përgjigjen që ishte e shqetësimit të secilit dhe për të cilën të gjithë njerëzit, në zemrat e tyre më të thella, po presin. Universaliteti i Zotit, dhe i arsyes së hapur ndaj Tij, është ajo që u dha atyre motivimin – madje edhe detyrimin – për të shpallur mesazhin. Ata e shihnin fenë e tyre si pjesë, jo e zakonit kulturor që ndryshon nga një popull në tjetrin, por e fushës së së vërtetës, e cila i shqetëson të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë.

Struktura themelore e shpalljes së krishterë “jashtë” – drejt njerëzimit që kërkon dhe pyet – shihet në fjalimin e Shën Palit në Areopag. Duhet të kujtojmë se Areopagu nuk ishte një formë akademie ku mendjet më të shquara mblidheshin për diskutimin e çështjeve të larta, por një gjykatë drejtësie, e cila ishte kompetente në çështjet e fesë dhe duhej t’i ishte kundërvënë importimit të feve të huaja.

Pikërisht kështu i qortohet Palit: “ai duket se është një predikues i hyjnive të huaja” (Vep. 17:18). Për kësaj, Pali përgjigjet: Unë kam gjetur një altar tuajin me këtë mbishkrim: ‘një zoti të panjohur’. Atë që për pasojë ju adhuroni si të panjohur, këtë unë jua shpall juve (17:23). Pali nuk po shpall hyjni të panjohura. Ai po shpall Atë që njerëzit nuk e njohin e megjithatë e njohin – të panjohurin e njohur; atë që janë duke kërkuar, të cilin në fund të fundit e njohin tashmë, dhe i cili megjithatë mbetet i panjohur dhe i panjohshëm.

Shtresa më e thellë e të menduarit dhe e ndjenjës njerëzore disi e di se Ai duhet të ekzistojë, se në fillim të të gjitha gjërave, nuk duhet të ketë irracionalitet, por Arsyen krijuese – jo rastësi të verbër, por liri. Megjithatë, edhe pse të gjithë njerëzit e dinë disi këtë, siç thotë shprehimisht Pali në Letrën drejtuar Romakëve (1:21), kjo njohuri mbetet joreale: një Zot që është thjesht i imagjinuar dhe i shpikur nuk është aspak Zot. Nëse Ai nuk e zbulon veten, ne nuk mund të fitojmë qasje tek Ai. Uria e shpalljes së krishterë është se tani ajo mund t’u thotë të gjithë popujve: Ai e ka zbuluar veten. Ai personalisht. Dhe tani rruga drejt Tij është e hapur. Uria e shpalljes së krishterë nuk konsiston në një mendim, por në një vepër: Zoti e ka zbuluar veten. Megjithatë kjo nuk është një vepër e verbër, por një vepër që vetë është Logos – prania e arsyes së përjetshme në mishin tonë. Verbum caro factum est (Gjn 1:14): pikërisht kështu, mes asaj që është bërë (factum) tani ka Logos, Logos është ndërmjet nesh. Krijimi (factum) është racional. Natyrisht, përulësia e arsyes është gjithmonë e nevojshme, për ta pranuar atë: përulësia e njeriut, e cila i përgjigjet përulësisë së Zotit.

Situata jonë e tanishme ndryshon në shumë aspekte nga ajo me të cilën Pali u ndesh në Athinë, megjithatë pavarësisht ndryshimit, të dyja situatat kanë gjithashtu shumë të përbashkëta. Qytetet tona nuk janë më të mbushura me altare dhe me imazhe të hyjnive të shumëfishta. Zoti është bërë me të vërtetë për shumë veta i panjohuri i madh. Por ashtu si në të kaluarën, kur pas imazheve të shumta të Zotit pyetja lidhur me Zotin e panjohur ishte e fshehur dhe e pranishme, po kështu edhe mungesa aktuale e Zotit rrethohet në heshtje nga pyetja lidhur me Atë. Quaerere Deum – të kërkosh Zotin dhe ta lejosh veten të gjendesh prej Tij, kjo sot nuk është aspak më pak e nevojshme se në kohët e kaluara. Një kulturë thjesht pozitiviste që u përpoq të dëbonte pyetjen lidhur me Zotin në fushën subjektive, si joshkencore, do të ishte kapitullimi i arsyes, heqja dorë nga mundësitë e saj më të larta, dhe rrjedhimisht një fatkeqësi për njerëzimin, me pasoja shumë të rënda. Ajo që i dha bazë kulturës së Evropës – kërkimi i Zotit dhe gatishmëria për ta dëgjuar Atë – mbetet sot baza e çdo kulture të vërtetë. Faleminderit.

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *