Në historinë njerëzore, pushteti ka pasur përherë nevojë për solemnitet dhe një adhurim në heshtje. Këtë solemnitet, njëherë në vit e zhvesh Düsseldorfi përmes dy elementeve: letrës dhe ngjitësit.
Rrugët e Düsseldorf-it gjatë Rosenmontag vërshohen nga Motivwagen (karrocat tematike), njerëz me maska, aktivitete e parada të ndryshme, por një gjë e dallon Düsseldorfin nga qytetet e tjera, aty satira përtej mjetit humoristik, kthehet në një gijotinë estetike e cila pret kokën e idhujve të rremë!
Në shek. XIX kur Rheinland ra nën sundimin ushtarak të Prusisë, qytetarët e Düsseldorfit, të paaftë të kundërshtonin me forcë dhe armë, kuptuan se vetëm përmes të qeshurës mund të rezistonin; në këtë atmosferë shtypjeje që prusianët iu bënin popullsisë vendase katolike dhe liberale, karnavalet pushuan së qeni thjesht festë pagane e dëbimit të dimrit.
Kësisoj, ata filluan të imitonin uniformat ushtarake të prusianëve përmes parodive, këto uniforma i bënin lule-lule, marshimet i kthyen në vallëzime qesharake… këtu është zanafilla e satirës përtej mjetit humoristik.
Këtë qasje ata e mbajtën edhe pas Luftës së Dytë Botërore si nevojë për të pastruar mbetjet që kishin mbetur nga totalitarizmi.
Motivwagen të vitit 2025, janë të konceptuara nga Jacques Tilly. Ai nuk është që veç ndërton , por përzgjedh temat, u jep kontekst historik dhe politik dhe kujdeset për çdo detaj artistik e konceptual.
Tilly nuk krijon figura të bukura, përkundrazi përdor grotesken që me nxjerrë në dritë kalbjen e brendshme të pushtetit.
Motivwagen të Putinit me duart e përgjakura (PUT IN – jail) ose ajo bashkë me Trump që lidhin “paktin hitler-stalin 2.0”, autori tenton të bëjë një zhveshje ontologjike të figurave të pushtetit.
Duke i paraqitë ata në pozicione poshtëruese, ose Elon Musk si foshnje të përkëdhelur, satira e shkatërron imazhin e pathyeshmërisë.
Viti 2025:
Në Motivwagen e parë që po shihni, Presidenti i SHBA-së lidh me Putinin një “Pakt Hitler-Stalin 2.0”, duke shtypur kështu Ukrainën.
Pakti Hitler-Stalin i vitit 1939 hapi rrugën për pushtimin dhe ndarjen e Polonisë nga Gjermania Naziste dhe Bashkimi Sovjetik.
Tilly, për shpjegim iu referua skandalit në Shtëpinë e Bardhë, kur Trump mbuloi me akuza të forta presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe kërcënoi se do ta linte Ukrainën në baltë.


Foto: Moritz Mueller / IMAGO

Foto: Federico Gambarini
Ndërkohë që këtë vit, kur qytetarët po vërshonin me kostume në rrugët e qytetit, artistit Jacques Tilly tashmë iu kishte hapur procesi gjyqësor nga autoritetet ruse për ‘shpifje ndaj organeve shtetërore’ dhe ‘diskreditim të ushtrisë ruse’.
Shkak i kësaj u bënë figurat e viteve të kaluara ku arti satirik i Tillyt e përqesh haptazi politikën e Putin dhe Trump. Cila është tema më e përfolur këtë Rosenmontag? Padyshim një vepër tjetër e Jacques Tilly:

Përmes shpatës, Putini përpiqet të asgjësojë fizikisht kritikën, por reagimi i kllounit dëshmon se satira është një forcë “imune” që ushqehet pikërisht nga përpjekja për ta shtypur atë. Filozofikisht, kjo skenë mishëron konceptin e parrhesia (guximit për të thënë të vërtetën përballë tiranit) dhe teorinë e Bakhtinit mbi karnavalizimin, ku rendi përmbyset: tirani mund të shpojë trupin, por skeptri i kllounit vret “shenjtërinë” e pushtetit, duke e shndërruar agresorin në një figurë qesharake dhe të pafuqishme përballë të vërtetës që nuk pranon të heshtë.
Motivwagen tjera që u diskutuan të hënën në Rosenmontag, ishin edhe çështjet lidhur me Epstein, Afganistanin, Iranin, Evropën madje edhe mbi Inteligjencën Artificiale.

Duket se, Tilly tenton të paraqesë sistemin e drejtësisë i cili ka dy standarde: një për të pasurit, dhe një për “të tjerët”.


Në këtë konkurs makabër, fituesja e vetme e regjimit është ajo që është më e mbuluara dhe më e shtypura. Figura e paraqitur nga artisti, e humbur nën një burkë pa trajtë, nuk ka më identitet, fytyrë apo trup; ajo është shndërruar në një objekt pa asnjë shenjë njerëzore.
Përmes detajeve, si duart e lidhura pas shpine, zinxhirët dhe pozicioni i përhershëm në gjunjë, artisti vizualizon portretin e një gruaje në poshtërimin e saj të pafundmë.

Kësisoj, regjimi po ushqehet me vdekje dhe është e determinuar që ai të kalbet nga krimet e veta!

Ai ka vizualizuar dy fëmijë të kërrusur, me sytë e hapur drejt ekranit, të kthyer shpinë-për-shpinë duke tentuar të shpjegojë se komunikimi njerëzor tashmë ka marrë fund dhe se fëmijëria e fëmijëve tashmë është në botën digjitale.
Ky është portreti i një bote në krizë!
Kjo ekspozitë në Dusseldorf, prej grave të lidhura në Afganistan apo regjimeve gjakatare në Iran na kujton se pushteti kur humb busullën humane ushqehet vetëm me asgjësimin e Tjetrit.
Ky degjenerim nuk njeh kufij gjeografikë, elitat perëndimore janë shpërfaqur realisht me rastin Epstein, siç do thoshte Tilly se pushteti absolut nuk mund të shërbejë si mburojë për kalbjen morale, mesazhet e tij janë aktakuzë kundër indiferencës globale e cila. përveç varësisë nga teknologjia, është sëmundje e heshtur e shekullit XXI.

Marigona Gegaj
është studente në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, ku po formohet akademikisht në fushën e mendimit filozofik dhe shoqëror. Interesat e saj përqendrohen në reflektimin kritik mbi njeriun, shoqërinë, vlerat dhe religjionin që formësojnë jetën publike dhe personale, duke e parë filozofinë si mënyrë për thellimin e vetëdijes dhe të dialogut intelektual.





