Kardinali Pizzaballa: Për të arritur paqen, duhet të dëgjojmë dhimbjen e të tjerëve

15 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Duke folur për Vatican News, Patriarku Latin i Jerusalemit shpreh shpresën se plani i Shteteve të Bashkuara do të çojë drejt zgjidhjeve që ofrojnë “perspektiva më të qarta” dhe lehtësim për popullsinë palestineze të Gazës.
Nga Andrea Tornielli dhe Francesca Sabatinelli

Gaza vazhdon të jetë nën bombardime izraelite. Është thelbësore të kalohet drejt fazës së dytë të planit të Shteteve të Bashkuara, e cila do të çonte në një proces politik me synim arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete.

Pas miratimit të rezolutës nga Këshilli i Sigurimit, Kombet e Bashkuara janë zotuar të ecin përpara dhe të “përkthejnë vrullin diplomatik në masa konkrete dhe urgjente në terren”. Këto veprime konkrete duhet të marrin formën e hapave që, sipas shpresës së shumëkujt, mund të shënojnë një pikë kthese për palestinezët e rraskapitur nga lufta dhe shkatërrimi.

Duke folur për Vatican News, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e zgjidhjeve që mund të sjellin lehtësim për një popull që po përballet me pasojat e dy viteve bombardimesh dhe tani po vuan edhe kushtet e ashpra të dimrit.


Eminencë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së me Rusinë dhe Kinën që abstenuan, ka votuar në favor të planit për paqe në Gaza, të propozuar nga Presidenti amerikan Trump. Shteti i Palestinës e miraton planin, ndërsa Hamasi thotë se nuk do të çarmatoset nën këto kushte. Cili është reagimi juaj ndaj vendimit të OKB-së dhe si e shihni situatën aktuale? A ka shpresë?

Vendimi i OKB-së nuk ndryshon asgjë në terren, por gjithsesi përbën një njohje nga bashkësia ndërkombëtare. Si çdo plan tjetër, ai nuk mund të jetë kurrë i përsosur, por është ajo që kemi. Është i vetmi plan që deri tani ka ndalur zgjerimin e luftës dhe që mund të ofrojë të paktën një fije shprese për popullsinë palestineze dhe jo vetëm për ta.

Pra, mund të themi se vota e OKB-së është një lloj miratimi i përgjithshëm nga bashkësia ndërkombëtare, i cili, ndonëse nuk ndryshon asgjë materialisht, mbetet i rëndësishëm nga pikëpamja ideale dhe politike. Sa i përket jetës së përditshme në rajon dhe zbatimit konkret të planit, që në fillim e dinim se pikat e ndryshme të planit të Trumpit do të ishin dhe do të mbeten shumë të vështira për t’u zbatuar.

Ne e dimë se Hamasi nuk ka asnjë qëllim t’i dorëzojë armët. Mendoj se edhe Izraeli ka pak dëshirë të tërhiqet plotësisht nga Rripi i Gazës. Të dyja palët u detyruan ta pranojnë këtë plan, por përballen me pengesa shumë reale. Kërkohet këmbëngulje. Shtetet e Bashkuara, së bashku me vendet arabe dhe Turqinë, janë të vetmet që mund të shtyjnë përpara procesin, sepse në këtë moment vullneti i mirë nuk mjafton. Nevojitet edhe guxim politik për të krijuar zgjidhje që gradualisht mund të çojnë drejt perspektivave më të qarta. Por kjo do të marrë shumë kohë dhe do të jetë rraskapitëse.


Së fundmi, Gaza ka dalë disi nga vëmendja e mediave. Megjithatë, vazhdojnë të vijnë raporte alarmuese nga Rripi mbi vuajtjet e popullsisë, të përkeqësuara nga moti i keq, shiu dhe balta — diçka për të cilën ka folur edhe famullitari, Atë Gabriel Romanelli. Cila është situata? A mund të hyjë ndihma? Çfarë mund të bëhet konkretisht për të ndihmuar palestinezët?

Jeta e përditshme ka ndryshuar shumë pak. I vetmi ndryshim falë Zotit dhe atyre që e mundësuan është ndalja e bombardimeve masive. Ndihma po hyn më rregullisht se më parë dhe me më shumë siguri, por ende është larg nga të qenit e mjaftueshme, duke pasur parasysh nevojat për ilaçe, spitale, tenda, batanije sidomos tani që ka ardhur dimri. Nevojitet ujë sigurisht por në Gaza “uji” shpesh do të thotë baltë, në një situatë tashmë dramatike.

Pra, në jetën e përditshme në thelb asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk ka shkolla; spitalet funksionojnë vetëm pjesërisht; gjithçka duhet rindërtuar. Ende jemi në fazën e parë: pastrimi i rrënojave, nxjerrja dhe varrosja e trupave që ende ndodhen nën to, dhe përgatitja e një plani minimal rindërtimi i cili kërkon gjithashtu një qeverisje që ende nuk ekziston dhe forma e së cilës është e panjohur.

Gjithçka mbetet për t’u bërë. Dhe ndërkohë që OKB-ja dhe të tjerët diskutojnë për të ardhmen, njerëzit vazhdojnë të jetojnë në të njëjtat kushte tragjike si më parë.

Lajme alarmuese vazhdojnë të vijnë edhe nga Bregu Perëndimor, sidomos për shkak të dhunës së vazhdueshme të kolonëve, xhami të djegura, fshatra të sulmuara, palestinezë të penguar të korrin ullinjtë e tyre. Ndërsa brenda Izraelit duket se po rritet vetëdija për seriozitetin e këtyre veprimeve, veprimi i fortë ndërkombëtar ende mungon. Pa të, çdo shtet i ardhshëm palestinez me kohezion real territorial bëhet praktikisht i pamundur. Çfarë mund të na thoni për situatën atje? Çfarë duhet ose çfarë mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare? Dhe çfarë mund të bëjmë ne?

Situata në Territore po përkeqësohet çdo ditë. Kam fotografi nga një tjetër sulm ndaj fshatit tonë të krishterë Taybeh: shtëpi dhe makina të vandalizuara, dritare të thyer, goma të çara. Ajo që ndodhi mbrëmë në Taybeh sado serioze që është ndodh çdo ditë në shumë fshatra palestineze. Disa ditë më parë mora një kërkesë për ndihmë nga fshati Aboud mjaft i izoluar jo vetëm nga famullia, por nga i gjithë komuniteti, përfshirë edhe kryetarin e komunës, sepse thjesht nuk dinë kujt t’i drejtohen.

Kjo ndjenjë pafuqie e rëndon edhe më shumë situatën: duket sikur nuk ka askënd për t’iu ankuar, askënd për të kërkuar drejtësi. Është e vërtetë që së fundmi ka pasur disa përplasje midis kolonëve dhe ushtrisë që përpiqej të rivendoste rendin, por këto janë raste të rralla. Shumicën e kohës, dëshmohet një mungesë e plotë respekti për ligjin për çdo ligj dhe për të drejtat e njeriut. Frika jonë është se situata do të vazhdojë dhe do të përkeqësohet.

Çfarë mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare? Ajo duhet të flasë hapur! Gaza u diskutua me të drejtë gjerësisht, edhe pse fatkeqësisht tani më pak; por edhe situata në territore kërkon vëmendje. Shumë shtete e kanë njohur së fundmi Palestinën si shtet në mënyrë simbolike, pasi ende nuk ekziston. Por tani duhet të shkojnë më tej dhe të përcaktojnë kushtet dhe hapat e nevojshëm. Nuk mund të flitet për një proces politik ndërkohë që këto agresione dhe vuajtje vazhdojnë. E them këtë me zemër të rënduar, sepse nuk më pëlqen të kaloj kohën duke denoncuar gjëra. Por kjo është e vërteta, dhe nuk mund të hesht.


Eminencë, ju së fundmi keni bërë thirrje për rifillimin e pelegrinazheve në Tokën e Shenjtë, të cilat mbeten të pezulluara me pasoja serioze për ekonominë palestineze, sidomos për të krishterët. A mund të flisni për këtë? A mund ta ripërtërini ftesën tuaj që pelegrinët të kthehen në vendet ku Jezusi jetoi, vdiq dhe u ringjall?

Absolutisht po! Ne flasim për Gazën dhe Bregun Perëndimor, por këto zona zakonisht nuk janë pjesë e itinerareve të zakonshme të pelegrinëve. Zona e Betlehemit kaq e rëndësishme për pelegrinët ka nevojë për praninë e tyre, dhe pelegrinazhet tani janë të sigurta. Me armëpushimin, jo vetëm që kanë ndalur bombardimet në Gaza, por edhe sulmet me raketa nga Jemeni. Nuk ka më alarme. Tani është e sigurt të bëhen pelegrinazhe.

Ata pak që kanë ardhur e kanë parë këtë vetë. E përsëris: Kisha universale ka qenë shumë pranë nesh këto vite përmes lutjes dhe solidaritetit konkret. Por tani nevojitet një fazë e re: ndihmë konkrete e shprehur edhe përmes pranisë fizike. Kjo nuk sjell vetëm përfitim shpirtëror për pelegrinin. Ajo sjell edhe buzëqeshje për shumë familje që kanë nevojë jo vetëm për ndihmë financiare, por për të parë vëllezërit dhe motrat e tyre të krishtera të pranishëm në Tokën e Shenjtë.

Jemi në Vitin Jubilar, i cili po i afrohet fundit. Shumëkush shpresonte që ai të tërhiqte vëmendjen si drejt Romës ashtu edhe drejt Jerusalemit. Këto dy qytete janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Nuk mund të presim Jubileun e ardhshëm; duhet ta rifillojmë udhëtimin e shenjtë tani dhe të kthehemi te rrënjët e fesë sonë si një formë solidariteti dhe vëllazërimi të krishterë.


Ende i kemi para sysh pamjet e tmerrshme të pengjeve të Hamasit në tunele. Megjithatë, dëgjojmë edhe raporte të reja pa pamje që tregojnë se që nga 7 tetori, nëntëdhjetë e tetë të ndaluar palestinezë kanë vdekur në burgjet izraelite: një vdekje çdo katër ditë, mes akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut. Si u përgjigjeni këtyre shifrave?

Janë alarmuese. Disa gazeta, përfshirë edhe në Izrael dhe në Tokën e Shenjtë, kanë raportuar për këtë edhe pse, për të qenë i sinqertë, shumë pak. Në përgjithësi, një klimë dhune e ka pushtuar gjithçka, përfshirë edhe mënyrën se si njerëzit mendojnë. Kam thënë shpesh se jemi pushtuar nga urrejtja, e cila nuk është vetëm një ndjenjë, por shndërrohet në veprim dhe bëhet mënyrë e të relacionuarit me të tjerët.

Urrejtja, hakmarrja dhe mllefi shprehen edhe në këto forma. Nuk kam dokumentacion të saktë; mbështetem në atë që është raportuar. Por po, shumë kanë vdekur në burg dhe e dimë mirë se këto nuk janë burgje suedeze.

Eminencë, në një konferencë të fundit ju theksuat se gjatë këtyre dy viteve lufte, udhëheqësit fetarë shpesh kanë dhënë mesazhe identike ose shumë të ngjashme me ato të udhëheqësve politikë, duke e minuar në këtë mënyrë dialogun ndërfetar. Cili është ose cili duhet të jetë roli i feve në këtë kontekst?

Po, e kam thënë këtë disa herë dhe me trishtim po e përsëris. Dialogu ndërfetar duhet të rifillojë, sepse është pjesë e identitetit tonë fetar; asnjë fe nuk është një ishull. Duhet ta rimarrim këtë dialog dhe ta japim këtë dëshmi si udhëheqës dhe komunitete fetare veçanërisht në Lindjen e Mesme, ku feja luan një rol vendimtar në formimin e identitetit civil, shoqëror dhe madje edhe politik.

Dhe është fakt se me pak përjashtime shumica e udhëheqësve fetarë lokalë nuk kanë thënë asgjë, ose kur kanë folur, kanë folur vetëm për njerëzit e tyre, nga këndvështrimi i tyre, pa e kthyer as sytë drejt tjetrit. Dhe kur ka pasur një shikim drejt tjetrit, ai ka qenë negativ një shikim akuzues ose mbrojtës. E gjithë kjo është shqetësuese. Duhet ta thyejmë këtë rreth vicioz.

Nuk po flas vetëm për hebrenjtë dhe myslimanët; edhe ne të krishterët jemi pjesë e kësaj. Nuk mund të bëjmë sikur nuk është kështu. Pas 7 tetorit, duhet ta rifillojmë dialogun — jo vetëm duke kujtuar çfarë kemi thënë në të kaluarën, por edhe çfarë nuk kemi thënë gjatë këtyre dy viteve, dhe pse. Duhet të fillojmë nga e para duke dëgjuar.

Shpesh kam shprehur diçka që është mjaft sfiduese: nuk duhet të fillojmë me analiza, por me dëgjimin e dhimbjes së njëri-tjetrit. Secili është i rënduar nga vuajtja e vet. Por ekziston edhe një paaftësi shqetësuese — ose një refuzim — për ta parë dhimbjen e tjetrit. Viktimizimi është një nga problemet tona: secili e sheh veten si viktimën e vetme dhe tjetrin si agresorin.

Duhet të dalim nga kjo gjendje. Gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu; ato ndryshojnë kur dikush hap një rrugë. Ne duhet ta hapim ose ta rihapim këtë rrugë. Do të jetë e vështirë, por kjo është detyra e udhëheqësve fetarë. Nuk mund ta kthesh shikimin nga Zoti dhe ta mohosh fqinjin; megjithatë, pikërisht këtë kemi bërë.


Ipeshkvi italian Tonino Bello thoshte se lufta fillon kur fytyra e Tjetrit zhduket. Ndoshta mund të themi se paqja fillon kur dëgjojmë dhimbjen e tjetrit…

Absolutisht. Nëse e njeh Tjetrin, e njeh edhe veten. Nëse e mohon Tjetrin, e mohon veten. Nëse fytyra e Tjetrit zhduket, në fund zhduket edhe fytyra jote. Duhet ta kthejmë shikimin drejt Zotit dhe ta rizbulojmë veten te njëri-tjetri.

Vatican News

Përktheu: Redaksia ViaVeritatis

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *