Papa Leoni XIV dënon sulmin terrorist

Dëshiroj t’ia besoj sot Zotit viktimat e sulmit terrorist të kryer dje në Sydney kundër komunitetit hebre. Mjaft me këto forma të dhunës antisemite. Duhet ta eliminojmë urrejtjen nga zemrat tona.

2 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

Papa Leoni XIV ka dënuar ashpër sulmin vdekjeprurës të ndodhur në Sydney, Australi, kundër komunitetit hebre, duke i besuar viktimat Zotit në lutje dhe duke shprehur solidaritetin e tij shpirtëror me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.

“[…]Dëshiroj t’ia besoj sot Zotit viktimat e sulmit terrorist të kryer dje në Sydney kundër komunitetit hebre. Mjaft me këto forma të dhunës antisemite. Duhet ta eliminojmë urrejtjen nga zemrat tona.”1 u shpreh Ati i Shenjtë më 15 dhjetor, duke iu referuar të shtënave që ndodhën gjatë kremtimit të Hanukkah-ut në Bondi Beach, ku u vranë të paktën 15 persona dhe rreth 40 të tjerë u plagosën.

Ngjarja e rëndë ndodhi teksa mbi 1.000 vetë ishin mbledhur për të shënuar fillimin e Hanukkah-ut, e njohur si Festa e Dritave, një nga festat më të rëndësishme të traditës hebraike. Sipas raportimeve mediatike, dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj turmës, duke shkaktuar panik dhe ikje masive drejt zonës së plazhit dhe ambienteve përreth. Njëri nga sulmuesit u neutralizua gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje kritike. Autoritetet po hetojnë lidhje të mundshme të sulmit me grupe terroriste xhihadiste. Mes viktimave kishte edhe një fëmijë dhe një i mbijetuar i Holokaustit.

Deklaratat e Papës u bënë gjatë një audience në Vatikan me delegacione që kishin dhuruar pemën e Krishtlindjes dhe skenat e Lindjes për Sheshin e Shën Pjetrit dhe Sallën e Audiencave “Pali VI”. Në të njëjtin kontekst, Papa Leoni XIV ndaloi edhe te domethënia e Krishtlindjes, duke ftuar besimtarët që “ta lejojnë butësinë e Fëmijës Jezus të ndriçojë jetën e tyre”.

  1. https://www.vatican.va/content/leo-xiv/it/speeches/2025/december/documents/20251215-delegazioni-presepe-albero.html ↩︎

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *