Legalizmi asht ma i keq sesa kurvnia…

6 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

… jo sepse mëkati i trupit asht i vogël, por sepse mëkati i mendjes dhe i zemrës që maskohet si drejtësi, e mbyll njeriun ndaj të së vërtetës. Kurvnia e rrëzon njeriun, legalizmi e bind se nuk ka ra kurrë. Dhe taman, taman, këtu fillon tragjedia shpirtërore.

Farizeu (legalisti) modern nuk asht ai që thjesht e ndjek ligjin, asht ai që e përdor ligjin për me u ngrit mbi tjetrin. Ai nuk e sheh ligjin si mjet për shëlbim, por si armë për gjykim. Jezusi e çmonton këtë profil me nji kjartësi të frikshme: “Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larg prej meje” (Mateu 15:8). Legalisti nuk jeton për Zotin, por për imazhin e tij përpara njerëzve. E zhvendosë fenë nga marrëdhënia në performancë/show. Dhe performanca gjithmonë ka nevojë për publik dhe ambiente publike, prandaj farizeu nuk jeton pa krahasim.

Në këtë kuptim, legalizmi asht nji formë e rafinume dhe e sotisfikume krenarie. Ndryshe nga mëkatari i dukshëm, që e di se ka nevojë për mëshirë, legalisti nuk kërkon mëshirë, sepse nuk e ndjen veten fajtor, ai i thotë Zotit që unë e meritoj shpëtimin sepse kam bërë këtë… këtë dhe këtë. Ai asht ai për të cilin flet Jezusi: “Nuk kam ardhur për të thirrur të drejtët, por mëkatarët” (Marku 2:17). Problemi nuk asht se disa janë të drejtë e disa mëkatarë, problemi asht se disa e mendojnë veten të drejtë dhe për këtë arsye nuk kërkojnë shërim. Ky asht paradoksi fatal, se mëtkati që e pranon veten hap derën për falje, ndërsa drejtësia e rreme e mbyll atë.

Shën Augustini e shpreh këtë me nji thellësi psikologjike të jashtëzakonshme: “Krenaria i zë pritë edhe veprave të mira” (“Superbia etiam bonis operibus insidiatur” ). Pra, edhe kur legalisti ban të mira, ato infektohen nga qëllimi i tij i fshehtë që asht vetë-justifikimi. Për Augustinin, mëkati nuk asht vetëm ajo që bën, por ajo që do. Dhe legalisti nuk do Zotin, ai do të jetë i drejtë pa Zotin për ta justifikuar vetën tek Zoti. Kjo e bën më të rrezikshëm sesa ai që bie në ves, sepse veset e trupit shpesh e përulin njeriun, ndërsa veset e shpirtit e ngurtësojnë.

Shiko strukturën e shpëtimit në Ungjill… nuk shpëtohet ai që nuk ka mëkat, por ai që pendohet. Farizeu i lutjes në tempull falënderon Zotin që nuk asht si të tjerët ndërsa publikani nuk guxon as me i ngre sytë dhe thotë: “O Zot, ki mëshirë për mua mëkatarin” (Luka 18:13). Jezusi nuk lë hapësirë për interpretim: “Ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar, jo tjetri.”. Përmbysje totale e logjikës morale njerëzore. Legalisti kërkon drejtësi pa përulësi ndërsa Zoti jep drejtësi vetëm aty ku ka përulësi.

Në këtë dritë, varësitë, kurvëria, dhe çdo formë tjetër e mëkatit të dukshëm, mbajnë në vetvete nji mundësi që legalizmi nuk e ka, mundësinë e thyerjes. Njeriu që thyhet mund të rindërtohet e ai që nuk thyhet, kalbet në vetvete. Prandaj Jezusi thotë diçka që skandalizon çdo moralist: “Taksambledhësit dhe prostitutat po ju paraprijnë në Mbretërinë e Perëndisë” (Mateu 21:31). Jo sepse mëkati i tyre asht i mirë, por sepse ata e kanë dëgjuar thirrjen për pendim dhe nuk e kanë refuzuar.

Farizeu modern sot nuk vishet më me rroba të lashta, por me bindje të forta, me rregulla të jashtme, me nji gjuhë morale të pastër dhe me nji zemër që nuk fal. Mat gjithçka, numëron gjithçka, kontrollon gjithçka, por nuk dashuron. Dhe sipas standardit të Ungjillit, pa dashuri nuk ka të vërtetë: “Po të kem gjithë besimin… por të mos kem dashuri, nuk jam asgjë” (1 Korintasve 13:2). Legalizmi asht pikërisht kjo: struktura pa dashuri, drejtësia pa mëshirë, rendi pa jetë.

Skena që i demaskon të gjithë asht ajo e gruas së kapun në kurorëshkelje (Gjoni 8:1–11). Të gjithë janë gati me e vra me gurë në emër të ligjit. Jezusi nuk e mohon ligjin por ai e çon në thelb, nga ku e nxjerr në pah absurditetin e njerëzorës: “Kush prej jush është pa mëkat, le të hedhë i pari gurin.”… nji nga nji largohen. Gruaja mbetet. Dhe Jezusi i thotë: “As unë nuk të dënoj. Shko dhe mos mëkato më.”

Këtu asht dallimi përfundimtar, ajo që të gjithë e akuzuan për kurvni u fal, sepse qëndroi përballë të së vërtetës. Ndërsa kurvarët e vërtetë, ata që përdorin ligjin për të vrarë, jo për të shpëtuar, u larguan nga falja, sepse nuk e pranuan kurrë nevojën për të. Dhe kështu, pa e kuptuar, mbetën jashtë asaj që pretendonin se mbronin.

Engjell Gjugja

 është publicist dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova, me veprimtari publike në hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Ai është i angazhuar në publicistikë filozofike, teologjike dhe kulturore, ku trajton në mënyrë kritike çështje që lidhen me fenë, demokracinë, kujtesën historike.

TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *