Pyetja e parë që duhet t’i shtrojmë vetes sot, pa rehatinë e alibive morale e as ngushëllimin e klisheve të rrjeteve sociale, nuk është se si ndodhin vrasjet, por çfarë emri u vëmë atyre. Në Kosovën ku jeta e gruas është shndërruar në një statistikë të përsëritur mortore brenda mureve të asaj që quhet “shtëpi”, ne nuk po përballemi me fatkeqësi individuale apo me çrregullime të izoluara psikologjike. Po përballemi me një strukturë. Po jetojmë brenda një sistemi ku trupi, vullneti dhe vetë ekzistenca e gruas vazhdojnë të perceptohen, nën petkun e traditës apo të intimitetit, si pronë e tjetërsueshme e burrit.
Për ta kuptuar këtë, duhet së pari të refuzojmë dy kurthe gjuhësore:
Kur çfarëdo lloj vrasjeje e gruas reduktohet në një homicide neutral, në “një vrasje si gjithë të tjerat” ne kryejmë aktin e parë të dhunës simbolike: e zhveshim krimin nga përmbajtja e tij politike, historike dhe hierarkike. Kur një grua vritet pse ka kërkuar divorcin, pse ka refuzuar nënshtrimin, pse ka dalë nga roli i paracaktuar apo thjesht pse ka ushtruar sovranitet mbi jetën e saj, ajo nuk vritet për shkaqe abstrakte. Ajo vritet për shkak se është grua brenda një rendi patriarkal që e sheh mosbindjen e saj si cenim te sovranitetit të burrit.
Kurthi i dytë është reduktimi i problemit në një “zënkë familjare” apo “konflikt privat”. Kjo është alibia e rehatshme e një shoqërie që refuzon të shohë se dhuna shtëpiake nuk është dështim i dy individëve, por shprehja më e hapur dhe më brutale e hierarkisë shoqërore gjinore. Dhe kur kësaj i shtojmë mitizimin pervers që ende diku diku flitet për “vrasje nga dashuria”, “pasion të pafrenueshëm” apo “xhelozi të papërmbajtur” duke e shndërruar ekzekutimin në një pasion fatkeq, duke ia falur fajin dorasit dhe duke e legjitimuar zotërimin mbi tjetrin si një formë të egër “dashurie”.
Gjenealogjia e konceptit
Për të kuptuar pse kjo dhunë kërkon me ngulm një fjalë të veçantë, duhet të kthehemi te gjenealogjia e vetë konceptualizimit teorik e filozofik.
Në vitin 1976, gjatë Tribunalit të Parë Ndërkombëtar për Krimet Kundër Grave, aktivistja dhe sociologia Diana E. H. Russell e solli në përdorim termin femicide si një akt të domosdoshëm lufte gjuhësore e epistemologjike. Russell e kuptoi atë që gjuha patriarkale e kishte fshehur me shekuj: se termat neutralë juridik si “vrasje” ose “krim pasioni” shërbejnë si mjete ideologjike për të normalizuar e neutralizuar dhunën e burrave ndaj grave.
Sipas formulimit klasik të Russell-it, femicidi përfshin “vrasjen e grave nga burrat, të nxitur nga urrejtja, përbuzja, kënaqësia seksuale apo supozimi patriarkal i të drejtës dhe pronësisë mbi to”. Russell e zgjeroi nocionin e femicidit përtej momentit mekanik të shkrepjes së armës: për të, femicidi përfshin çdo formë të vdekjes së gruas që shkaktohet nga politikat dhe strukturat mizogjene që nga vrasjet e “nderit”, te dështimi i qëllimshëm i shtetit për të mbrojtur jetën e tyre.
T’i vësh emrin femicid sipas Russell-it do të thotë të tregosh se vrasësi nuk ka nevojë të ketë një urrejtje teorike apo abstrakte për çdo grua në rrugë; mjafton që ai të ketë brendësuar bindjen se gruaja e tij i detyrohet me nënshtrim. Kur ajo e thyen këtë kontratë pronësie, dënimi që patriarkati i jep është asgjësimi.
Rita Laura Segato, që ka hulumtuar gjatë vrasjet e grave në Amerikën Latine, e çon konceptin e femicidit në një nivel akoma më të thellë semiotik e politik. Segato argumenton se femicidi nuk është thjesht një krim i kryer në private; femicidi është një gjuhë, një mesazh i koduar. Sipas Segato-s, në vrasjen e gruas ka dy marrëdhënie ushtruese:
- Boshti vertikal: Marrëdhënia direkte e pushtetit dhe e nënshtrimit midis vrasësit dhe viktimës.
- Boshti horizontal (më i rëndësishmi): Marrëdhënia e vrasësit me komunitetin e burrave të tjerë.
Segato shpjegon se burri e vret gruan shpesh jo vetëm për ta ndëshkuar atë vetë, por për t’i treguar “vëllazërisë patriarkale” se ai mbetet zot i territorit të tij, se sovraniteti i tij mashkullor nuk është cenuar. Në këtë kuptim, trupi i gruas shndërrohet në një pëlhurë ku burri shkruan mesazhin e autoritetit të vet para shoqërisë. Kjo na e sjell në mendje, Michel Foucault, donëse vetë Foucault nuk e trajtoi drejtpërdrejt termin femicid pasi fokusi i tij ishte te institucionet e mëdha shtetërore e disiplinore si burgu dhe spitali mjetet e tij analitike ofrojnë një menyrë për të kuptuar këtë dhunë. Për Foucault-në, pushteti nuk është thjesht një aparat i largët shtetëror, por një mikrofizikë që përshkon çdo kapilar të jetës së përditshme.
Nëse e aplikojmë këtë optikë te hapësira private e familjes patriarkale, shohim se si shtëpia funksionon si një rreth i mbyllur mbikëqyrjeje, ngjashëm me logjikën e institucioneve të kontrollit: burri ushtron një pushtet mikro-disiplinor për të kërkuar atë që Foucault e quajti një “trup të bindur” (docile body). Kur ky trup refuzon mbikëqyrjen kur kërkon autonomi, lëvizje apo dalje nga kontrolli, burri braktis rolin e disiplinuesit të përditshëm dhe rikthehet te forma më primitive e sovranitetit: te e drejta e vjetër e pushtetit për “të marrë jetën” (droit de faire mourir). Femicidi, në këtë lexim neo-foucauldian, shfaqet si shpërthimi suprem i një pushteti që shkatërron trupin pasi dështon ta nënshtrojë atë.
Alibia e konservatorizmit dhe ankthi i “familjes së shenjtë”
Pse e djathta politike dhe diskursi konservator kanë një fobi ndaj pranimit të termit dhe konceptit të femicidit?
E djathta refuzon kategorikisht ta shohë shoqërinë përmes prizmit të strukturave të pushtetit dhe shtypjes gjinore. Për të, çdo problem duhet të reduktohet te morali individual i “njeriut të prishur” te patologjia apo çmenduria e izoluar. Të pranosh femicidin si kategori konceptuale do të thotë të pranosh diçka që konservatorizmi nuk mund ta tolerojë: se sistemi patriarkal ekziston, është i institucionalizuar dhe prodhon dhunë në mënyrë sistematike.
Për më tepër, këtu preket miti i paprekshëm i “familjes tradicionale”. Për ideologjinë e djathtë, familja është qeliza e shenjtë, rendi moral i botës. Por kur brenda kësaj qelize babai vret nënën, burri vret gruan apo vëllai vret motrën, e gjithë narrativa e rendit tradicional tronditet nga themelet. Për të shpëtuar këtë mit, konservatorizmi preferon ta quajë krimin “incident të izoluar” ose “tragjedi familjare”, dhe çdo përpjekje feministe për ta emërtuar atë e sheh si një “sulm ndaj traditës”, “ideologji gjinore” apo “shpallje lufte ndaj burrave”. Ky është një mekanizëm mbrojtës i një sistemi që mbron formën duke e sakrifikuar jetën e gruas.
Illuzioni i teokracisë
Në këtë klimë të dendur krize morale e institucionale, po shfaqet një nga deviacionet më paradoksale dhe më të rrezikshme në diskursin tonë publik: thirrja e disa zërave për ta zëvendësuar rendin demokratik me ligjin e Sheriatit, duke pretenduar se demokracia liberale “dështoi” në mbrojtjen e grave dhe se zgjidhja qëllon te rikthimi i një rendi teokratik.
Kjo ngrihet mbi një sofizëm (mashtrim logjik) të dyfishtë.
Së pari, ajo shfrytëzon dështimin e shtetit të së drejtës për të goditur vetë projektin e lirisë e barazisë. Këta zëra thonë: “Shihni, demokracia solli liberalizim, korrupsion e vrasje grash, prandaj na duhet kodi fetar.” Por dështimi në Kosovë nuk është produkt i “tepërisë së demokracisë”, por i mungesës së saj. Është rezultat i një shteti me institucione të kapura nga apatia, patriarkati lokal dhe paaftësia për të zbatuar barazinë para ligjit.
Së dyti dhe këtu qëndron kontradikta më e thellë të reklamosh Sheriatin si “shpëtimtar të gruas” do të thotë të injorosh me amnezi të plotë realitetin gjeopolitik e historik të vendeve ku ai aplikohet si burim parësor ligjor. Në regjimet teokratike të Lindjes së Mesme, Sheriati nuk e ka mbrojtur gruan; ai e ka institucionalizuar nënshtrimin e saj me vulë hyjnore.
Kontinuumi
Vrasja e një gruaje nuk është kurrë pikënisje; ajo është pika e fundit e një rruge të gjatë që shoqëria e ka parë, e ka toleruar dhe e ka ushqyer. Ajo është pjesë e asaj që teoritë feministe e quajnë kontinuum i dhunës (continuum of violence).
Ky kontinuum nuk është një mekanizëm i verbër determinist ku çdo fjalë seksiste prodhon automatikisht një kufomë. Por ai është klima kulturore e pandërprerë që e bën vrasjen të mendueshme dhe të realizueshme. Ai fillon te gjuha e përditshme që e zhvlerëson gruan; kalon te mikro-agresionet dhe kontrolli psikologjik ku xhelozia patologjike shitet si kujdes; përshkallëzohet te dhuna fizike e heshtur brenda mureve; dhe arrin kulmin te dështimi i institucioneve. Kur një grua denoncon dhe shteti i mbyll dyer duke thënë “këto janë punë shtëpie”, shteti sapo ka firmosur pjesën e parë të vendimit të ekzekutimit.
Zëri i Kishës
Në këtë hapësirë ku kryqëzohen morali, teologjia dhe politika, ia vlen të shohim se si tradita e madhe shpirtërore e Kishës Katolike i afrohet këtij fenomeni.
Gjoni Pali II denoncoi pa ekuivok dominimin mashkullor, historinë e gjatë të dhunës “nëntokësore” ndaj trupit të gruas dhe strukturat kulturore e shoqërore që i kishin skajuar ose skllavëruar ato ndër shekuj, duke kërkuar madje falje publike për fajet e vetë anëtarëve të Kishës. Me një gjuhë që shkon përtej moralizimit dogmatik, ai e vendosi mbrojtjen e dinjitetit të gruas në qendër të mesazhit të Ungjillit, duke kujtuar se çdo formë e ushtrimit të dhunës, e zotërimit apo e pronësisë mbi gruan nuk është thjesht një shkelje civile, por një tradhti e hapur dhe një shkelje e patolerueshme e vetë planit hyjnor.
Kjo thellohet edhe më tej te Papa Françesku, i cili e zhvendos diskutimin në një terren të drejtpërdrejtë ontologjik: gruaja si Imago Dei – shëmbëlltyrë e gjallë e vetë Zotit. Për Françeskun, trupi dhe ekzistenca e gruas nuk janë thjesht një element komplementar në shoqëri, por mbartin të plotë dinjitetin hyjnor. Prandaj, çdo dhunë e ushtruar mbi gruan, çdo përpjekje për ta skllavëruar, kontrolluar apo asgjësuar atë, nga Papa cilësohet si diçka “pothuajse satanike”. Sipas këtij kendveshtrimi teologjik, të godasësh apo të vrasësh një grua do të thotë të profanosh vetë imazhin e Hyjit të mishëruar tek ajo.
„Grate le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit, sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është krye i Kishës, ai shpëtimtari i trupit. Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë që t’u binden burrave të vet në gjithçka. Ju, o burra, duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, që ta shenjtërojë… Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta – porsi trupin e vet. Sepse askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, prej mishit të tij e prej eshtrave të tij.“ – (Efesianëve 5:22-28)
Leximi i pasazhit të famshëm i Shën Palit drejtuar Efesianëve, ku gratë ftohen t’u binden burrave ndërsa burrat urdhërohen t’i duan gratë e veta “porsi trupin e vet”, nuk ofron asnjë alibi për pushtetin patriarkal ani pse edhe sot përdoret si e tillë, por zbërthehet si një përmbysje radikale e sovranitetit mashkullor përmes teologjisë së Shën Augustinit dhe Joseph Ratzingerit.
Te De bono coniugali dhe te Libri XIX i De civitate Dei, Augustini e zhvesh nocionin e “kokës” nga çdo analogji me dominatus-in (sundimin tiranik), duke e vendosur autoritetin bashkëshortor brenda një officium consulendi – një shërbimi absolut kujdesi.
Për Augustinin, urdhri palian për ta dashur gruan si trupin e vet bazohet te metafizika e “një mishi të vetëm”: çdo formë dhune apo mbikëqyrjeje shtypëse përbën një monstruositas, një perversion ontologjik ku koka sulmon gjymtyrën e vet, duke shkatërruar atë ordo amoris (rend të dashurisë) që mban në këmbë krijimin.
Këtë hermeneutikë e thellon Benedikti XVI te Katekezat e tij mbi Shën Palin (tetor 2008) dhe te enciklika Deus Caritas Est, duke vënë theksin te vargu hyrës i pasazhit (“Nënshtrohuni njëri-tjetrit”). Ratzingeri e sqaron se kephalē (koka) nuk është kategori e pushtetit sociologjik, por e kenosis-it (vetëzbrazjes) të Krishtit: për sa kohë që modeli i vetëm i kësaj kryesie është Krishti që flijohet në kryq për Kishën, çdo pretendim i burrit për kontroll, zotërim apo dhunë mbi gruan asgjësohet teologjikisht. Nënshtrimi në këtë lekturë nuk është nënshtrim skllavërues ndaj sovranit shtëpiak, por një ekspozim i ndërsjellë ndaj dashurisë agape, ku hierarkia e vjetër e pronësisë zëvendësohet nga vetëmohim absolut.
Për këtë arsye, Kisha Katolike në Kosovë, me gjithë korpusin e saj doktrinor që lartëson dinjitetin e paprekshëm të gruas dhe e dënon dhunën, ka qenë dhe mbetet e thirrur të jetë shumë më e zëshme në opinionin publik. Mbrojtja e jetës nuk mund të mbetet një parim i izoluar në faqet e Katekizmit; ajo kërkon një angazhim të hapur dhe të përditshëm kundër çdo forme të dhunës dhe vrasjes së gruas. Ndërgjegjësimi i shoqërisë kërkon një mobilizim institucional përmes letrave baritore, deklaratave për media, pranisë aktive në hapësirën publike e në rrjete sociale, dhe përmes predikimeve të së dielës për të hequr nga mentaliteti kolektiv çdo mbetje patriarkale që guxon ta tjetërsojë njeriun nga imazhi i Zotit.
Kur shteti dështon të mbrojë jetën e gruas brenda shtëpisë, hapësira private pushon së qeni strehë dhe bëhet dhomë ekzekutimi. Derisa ne të mos pranojmë se femicidi është një strukturë që kërkon çmontim politik, juridik, teologjik e mendor, ne do të kthehemi thjesht, me heshtjen tonë, në bashkëfajëtor të radhës.






