Mbi kufijtë e inkulturimit 

Ungjilli nuk mund të instrumentalizohet, as të relativizohet në funksion të interesave politike apo kulturore “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, e Hyjit atë që i përket Hyjit” (Mt 22,21), por synon përsosmërinë kulturore dhe morale të shoqërisë ku shpallet. 

8 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.

…

“Muzika e shenjtë duhet të konsiderohet më e shenjtë në përpjesëtim me lidhjen e saj më të ngushtë me veprimin liturgjik, pavarësisht nëse i shton kënaqësi lutjes, nxit unitetin e mendjeve apo u jep solemnitet më të madh riteve të shenjta. Por Kisha miraton që të gjitha format e artit të vërtetë të kenë cilësitë e nevojshme dhe i pranon ato në adhurimin hyjnor”, kështu thotë neni 112 i Sacrosanctum Concilium, kapitulli VI “Musicam Sacram”. 

Koncili i Dytë i Vatikanit ia rikthen muzikës së shenjtë dimensionin ontologjik dhe teologjik të së Bukurës. Musicam Sacram na shpjegon qartë se muzika është e shenjtë në masën që është e lidhur ngushtë me vetë veprimin liturgjik. Kjo do të thotë se bukuria e muzikës nuk vlerësohet sipas emocioneve që ngjall, por sipas aftësisë së saj për të na vendosur brenda-për-brenda misterit të fesë e natyrisht edhe për t’i dhënë riteve liturgjike solemnitetin e duhur.

Nëse për Akuinin harmonia, përpjesëtimi dhe qartësia janë kërkesa të së Bukurës që shprehin fillimisht natyrën ontologjike të Qenies, rendin e krijimit dhe përmes këtij rendi edhe vetë natyrën e Qenies Absolute – Zotit; liturgjia duket se i ka të njejtat kërkesa në muzikë, që kënga të mos jetë zbukurim i rastësishëm, por një mjet që manifeston rendin hyjnor brenda vetë ritit.

 Dhe nëse Augustini thotë se gjërat janë të bukura jo sepse na japin kënaqësi por sepse ato janë në vetvete të bukura duke na mundësuar të përjetojmë rendin hyjnor dhe përjetimi i së bukures është përjetim i shenjtërisë, atëherë muzika liturgjike është e bukur pikërisht kur përçon këtë rend, duke e bërë të perceptueshme praninë e Hyjit. Kështu, përmes një logjike të brendshme që bashkon estetikën skolastike me rregullat e Koncilit të Dytë të Vatikanit, muzika e shenjtë mbetet një hapësirë ku zhvillohet lidhja në mes bukurisë dhe së shenjtës, hapsirë ku përjetohet hyjnorja.

Kisha nuk është përjashtuese, madje ajo propozon edhe përshtatjen e Kishës lokale me kulturën brenda të cilës gjendet sepse ajo është e vetëdijshme për traditat e popujve të ndryshëm, qoftë për instrumentet e tyre ose mënyrat e adhurimit. Por ka një kusht: “Autoriteti kompetent territorial kishtar i përmendur në nenin 22,2 duhet, në këtë çështje, të shqyrtojë me kujdes dhe maturi se cilët elementë nga traditat dhe kultura e popujve individualë mund të pranohen në mënyrë të përshtatshme në adhurimin hyjnor. Përshtatjet që gjykohen të dobishme ose të nevojshme duhet t’i paraqiten Selisë Apostolike, me pëlqimin e së cilës mund të futen.” 

Do të thotë se priftërinjtë apo kushdo edhe pse kanë autoritetin për të shtuar me kujdes elemente nga traditat e popujve të ndryshëm, veprimet subjektive nuk shërbejnë për formimin e besimtarëve por krijojnë disorientim dhe pasiguri doktrinore gjithashtu edhe konfuzion të trashegimise kulturore. 

Cilat elemente atëherë nga traditat dhe kultura e popujve individual mund të pranohen në shërbesën liturgjike, sidomos në muzikën e shenjtë? 

Për hir të ndodhive të fundit në Kishën Katolike të Kosovës, lind nevoja për analizë dhe kontekstualizim të këtij fenomeni, ku liturgjia dhe doket apo kostumet tradicionale nuk po krijojnë më një fuzion harmonik, në të cilin feja dhe kultura gjejnë përtrirje të ndërsjellë, por po prodhojnë një konfuzion: ritualet fetare i ngjasojnë gjithnjë e më shumë një shfaqjeje patriotike, ndërsa dimensioni kulturor boshatiset dhunshëm nga esenca e tij, që është kërkimi i të bukurës. 

Kjo liturgji patriotike shpalos një nevojë të pashtershme të popullit shqiptar që këngët patriotike (dhe jo vetëm) t’i bëjë pjesë të çdo ngjarjeje . Në ndeshje futbolli? Po; Në koncerte? Po; Në përurime të ndryshme? Po; Në ahengje familjare? Nuk diskutohet. Por duket se dikush ka thënë: “Nuk mjafton! Le ta kemi himnin kombëtar të Fishtës (pse jo ndonjë ditë edhe Mora Fjalë) si këngë hyrese në Meshën Shenjte!”

Gjatë kremtimeve të viteve të fundit në Kishën Katolike të Kosovës shohim, “ministrantë” të veshur me veshje kombëtare, flamuj pranë altarit, portrete figurash historike, madje edhe flamuri i ofruar si “dhuratë eukaristike”: pamje që, mund të duken të bukura, por që shpesh e transformojnë hapësirën e kremtimit në një skenografi etnike. 

Në disa raste është kënduar himni kombëtar si këngë hyrëse në meshë (Porsi Fleta E’jllit t’Zotit) një veprim që bie ndesh me rregullat e qarta të liturgjisë. Teksti i Atë Gjergj Fishtës është padyshim i tillë që ngre shpirtin e vetëdijes kombëtare, por Fishta si françeskan, mendja më e ndritur e klerit katolik shqiptar, nuk ka qenë naiv qe të imagjinonte (e as të shkruante me atë qëllim) se një ditë kjo do shndërrohet në himn kishtar. 

Të jemi të qartë: bashkimi i besimtarëve në Meshën Shenjte nuk bëhet “rreth flamurit të përbashkuar”(Asdreni), por “rreth tryezës së Krishtit”. Mesha nuk është përkujtimore e figurave kombëtare, as spektakël nostalgjie historike. Eukaristia është E Enjtja e Madhe, është “Bëni këtë në përkujtimin tim.” (Lk 22: 18-20) . 

Krejt kjo që është thënë mund të përmbledhet në atë që Magjisteri i Kishës e quan “inkulturim” që nënkupton “një transformim të ngushtë të vlerave autentike kulturore përmes integrimit të tyre në Krishterimin dhe implantimin e Krishterimit në kultura të ndryshme njerëzore” (krh. Gaudium et Spes).

Përmes procesit të inkulturimit, Kisha tregon se nuk është një institucion përjashtues apo uniformues, por një bashkësi që pranon, respekton dhe i përvetëson kulturat dhe vlerat autentike të popujve, duke i integruar ato në jetën e fesë dhe të liturgjisë, por në krejt këtë proces Kisha asnjëherë nuk guxon të konfuzojë identitetin kombëtar me atë religjioz, këtë ndarje kishë-shtet e ka përcaktuar iluminizmi shekuj më parë.  Këtë ndarje Ratzingeri në encikliken “Deus Caritas Est”, e konsideron thelbësore në të kuptuarit e teologjisë. Shteti dhe Kisha, shprehet ai, janë dy realitete të ndryshme, të ndërlidhura por megjithatë jo të përziera. Shteti nuk mund ta imponojë fenë por duhet të garantojë lirinë fetare nga ana tjetër Kisha gëzon pavarsinë e saj të brendshme por nuk është misioni e as detyra e saj të marrë pushtet politik por të shërbejë, jo të imponojë ligje  por t’i dhurojë shoqërisë kontributin e saj racional dhe etik për aq sa mundet. Prandaj, Ungjilli nuk mund të instrumentalizohet, as të relativizohet në funksion të interesave politike apo nacionaliste “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, e Hyjit atë që i përket Hyjit” (Mt 22: 20-21), por synon përsosmërinë kulturore dhe morale të shoqërisë ku shpallet. 

Marigona Gegaj

është studente në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, ku po formohet akademikisht në fushën e mendimit filozofik dhe shoqëror. Interesat e saj përqendrohen në reflektimin kritik mbi njeriun, shoqërinë, vlerat dhe religjionin që formësojnë jetën publike dhe personale, duke e parë filozofinë si mënyrë për thellimin e vetëdijes dhe të dialogut intelektual.

Share This Article
1 Koment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *