Angelus 14.12.2025

5 Min Lexim
Deklaratë: Të gjithë artikujt dhe reflektimet e botuara në Via Veritatis paraqesin pikëpamjet personale të autorëve. Ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të asnjë institucioni fetar.
Nga burgu, Gjon Pagëzuesi dëgjon «për veprat e Krishtit» (Mt 11,2), të cilat nuk përkojnë plotësisht me pritjet e tij. Prandaj ai dërgon të pyesin: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo të presim një tjetër?» (v. 3). Kush kërkon të vërtetën dhe drejtësinë, kush pret lirinë dhe paqen, ia drejton pyetjen Jezusit. A është vërtet Ai Mesia, Shpëtimtari i premtuar nga Zoti nëpërmjet profetëve?

Të dashur vëllezër e motra, të dielë të bekuar!

Ungjilli i sotëm na çon në burgun ku ndodhet Gjon Pagëzuesi, i burgosur për shkak të predikimit të tij (krh. Mt 14,3–5). Megjithatë, ai nuk e humb shpresën dhe bëhet për ne shenjë se profecia, edhe kur është në zinxhirë, mbetet një zë i lirë që kërkon të vërtetën dhe drejtësinë.

Nga burgu, Gjon Pagëzuesi dëgjon «për veprat e Krishtit» (Mt 11,2), të cilat nuk përkojnë plotësisht me pritjet e tij. Prandaj ai dërgon të pyesin: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo të presim një tjetër?» (v. 3). Kush kërkon të vërtetën dhe drejtësinë, kush pret lirinë dhe paqen, ia drejton pyetjen Jezusit. A është vërtet Ai Mesia, Shpëtimtari i premtuar nga Zoti nëpërmjet profetëve?

Përgjigjja e Jezusit na drejton vështrimin kah ata që Ai i ka dashur dhe u ka shërbyer: të fundit, të varfrit, të sëmurët. Janë pikërisht ata që flasin për Të. Krishti shpall se kush është përmes asaj që bën, dhe ajo që bën është për të gjithë ne shenjë shpëtimi. Sepse, kur njeriu takon Jezusin, jeta e privuar nga drita, fjala dhe shija e jetës rifiton kuptim: të verbërit shohin, memecët flasin, shurdhët dëgjojnë. Imazhi i Hyjit, i shëmtuar nga lebra, rikthen tërësinë dhe shëndetin. Madje edhe të vdekurit, krejtësisht të pandjeshëm, kthehen në jetë (krh. v. 5). Ky është Ungjilli i Jezusit, lajmi i mirë i shpallur të varfërve: kur Zoti vjen në botë, Ai bëhet i dukshëm!

Nga burgu i dëshpërimit dhe i vuajtjes na çliron fjala e Jezusit: çdo profeci në Të gjen përmbushjen e pritur. Sepse është Krishti Ai që ia hap sytë njeriut për lavdinë e Hyjit; Ai u jep zë të shtypurve, të cilëve dhuna dhe urrejtja ua kanë marrë fjalën; Ai e mposht ideologjinë që na bën të shurdhër ndaj së vërtetës; Ai shëron nga dukjet e rreme që e shtrembërojnë trupin dhe jetën.

Fjala e Jetës na shëlbon kështu nga e keqja që e çon zemrën drejt vdekjes. Prandaj, si nxënës të Zotit, në këtë kohë të Ardhjes jemi thirrur ta bashkojmë pritjen e Shëlbuesit me vëmendjen ndaj asaj që Zoti po bën në botë. Atëherë do ta përjetojmë gëzimin e lirisë që takon Shëlbuesin e saj: «Gëzohuni gjithmonë në Zotin» (Fil 4,4). Pikërisht me këtë ftesë hapet Meshë e Shenjtë e sotme, e diela e tretë e Ardhjes, e quajtur prandaj e diela Gaudete. Gëzohemi, sepse Jezusi është shpresa jonë, sidomos në orën e provës, kur jeta duket se humb kuptimin, errësira shtohet, fjalët na mungojnë dhe e kemi të vështirë ta dëgjojmë tjetrin.

Virgjëra Mari, model i pritjes, i vëmendjes dhe i gëzimit, na ndihmoftë të jemi imitues të veprës së Birit të saj, duke ndarë me të varfrit bukën dhe Ungjillin.


Pas Engjëllores

Të dashur vëllezër e motra!

Dje, në Jaén të Spanjës, u lumturuan meshtari Emanuel Izquierdo dhe pesëdhjetë e tetë shokë të tij, si edhe meshtari Antonio Montañés Chiquero me gjashtëdhjetë e katër shokë, të vrarë nga urrejtja ndaj fesë gjatë përndjekjes fetare të viteve 1936–1938. Po dje, në Paris, u lumturuan meshtari Raymond Cayré, Gérard-Martin Cendrier i Urdhrit të Vëllezërve të Vegjël, seminaristi Roger Vallé, laiku Jean Mestre dhe dyzet e gjashtë shokë, të vrarë nga urrejtja ndaj fesë në vitet 1944–1945, gjatë pushtimit nazist. Ta lavdërojmë Zotin për këta martirë, dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit, të përndjekur dhe të vrarë sepse qëndruan pranë popullit të tyre dhe besnikë Kishës!

Me shqetësim të madh ndjek rifillimin e përleshjeve në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos. Duke shprehur afërsinë time me popullsinë, i ftoj palët në konflikt të ndalin çdo formë dhune dhe të kërkojnë një dialog ndërtues, duke respektuar proceset e paqes në zhvillim.

Ju përshëndes me dashuri të gjithëve ju, qytetar të Romës dhe shtegtarë nga Italia dhe nga pjesë të tjera të botës, në mënyrë të veçantë besimtarët nga Belo Horizonte, Zagrebi, Spliti dhe Kopenhaga; si edhe ata nga Koreja e Jugut, Tanzania dhe Sllovakia. Përshëndes grupet nga Mestre, Biancavilla dhe Bussi sul Tirino; ish-nxënësit e Shoqatës Mornese Itali, Orkestrën Filarmonike Puljeze, Fondacionin Oasi Nazareth të Coratos, të rinjtë e Oratorit Salezian të Alcamës dhe të krezmuarit e famullisë Shën Piu nga Pietrelcina në Romë.

Ju uroj të gjithëve një të dielë të bekuar.

Papa Leoni XIV

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *