Ky reflektim i Joseph Ratzinger-it mbi “britmën e braktisjes” së Jezusit na fton të kalojmë nga një vështrim historik i kufizuar drejt një kuptimi të thellë ekzistencial, ku heshtja e Hyjit mbi Kryq nuk shfaqet si dështim, por si kulmi i lirisë dhe dashurisë mesianike.
Psalmi 22 i recituar nga Jezusi në Kryq ka qenë përherë problematik për besimtarët, prandaj Ratzingeri, duke analizuar përdorimin e Psalmit 22, argumenton se Jezusi nuk klith si një individ i dëshpëruar, por si një “personalitet përmbledhës” që merr mbi vete tërë ankthin e njerëzimit të sfilitur nga “fshehja e Zotit”, duke e shndërruar këtë humnerë vuajtjeje në një lutje universale shprese.
Përmes vizionit patristik të Krishtit si “Kreu dhe Trupi”, autori na tregon se dhimbja jonë e sotme nuk është më një fat pa kuptim, por është e bashkuar me fitoren e dashurisë që transformon çdo të premte të historisë në sigurinë e përgjigjes dhe të ngjalljes hyjnore.
Lexim të këndshëm! 🙂
Mateu dhe Marku përkojnë me tregimin se në orën nëntë (ora 15) Jezusi thirri me zë të lartë: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” (Mt 21, 46; Mk 15, 34). Ata na e përçojnë thirrjen e Jezusit në një përzierje hebraishteje dhe aramaishteje, për ta përkthyer më pas në greqisht. Kjo lutje e Jezusit e ka nxitur gjithmonë të menduarit dhe pyetjen e të krishterëve: si është e mundur që Biri i Hyjit të braktiset nga vetë Hyji? Çdo të thotë kjo thirrje? Studiuesi Rudolf Bultmann, për shembull, thotë se ekzekutimi i Jezusit u krye “falë interpretimit të gabuar të veprimtarisë së tij, e gjykuar si agjitacion politik. E parë në prizmin e këndvështrimit historik shihej si një fat i privuar nga çdo kuptim. Nëse Jezusi ka parë aty ndonjë kuptim, ne nuk mund ta dimë. S’mund të na fshihet mundësia e faktit që Jezusi mund të mos ia kishte dalë dot mbanë” (Das Verhaltnis, fq 12). E ne çfarë mund të themi rreth kësaj?
Mbi të gjitha duhet pasur parasysh fakti se sipas tregimit të dy ungjilltarëve, njerezit përreth nuk e kanë kuptuar britmën e Jezusit, por e kanë interpretuar atë si britmë kundër Elisë. Në disa studime erudite janë bërë përpjekje të rindërtohet britma e Jezusit në mënyrë të atillë që, nga njëra anë të mund të keqkuptohej si britmë drejtuar Elisë, dhe nga ana tjetër që të mund të përbënte britmën e braktisjes së Psalmit 22 (khs. Rudolf Pesch, Markusevanglium II, fq.495). Sido që të jetë: vetëm bashkësia e besimtarëve e ka kuptuar britmën e Jezusit, e cila nuk ishte kuptuar dhe ishte keqkuptuar nga njerëzit përreth, si fillimin e Psalmit 22 dhe, duke u mbështetur këtu, ata kanë mundur ta kuptojnë si britmë vertet mesianike.
Nuk është një klithmë braktisjeje e thjeshtë. Jezusi reciton psalmin e madh të Izraelit të vuajtur duke marrë mbi vete mundimin, jo vetëm të Izraelit, por të të gjithë njerëzve që në këtë botë vuajnë nga fshehja e Zotit. Ai vë përpara vetë zemrës së Zotit britmën plot ankth të botës së sfilitur nga mungesa e Zotit. Në këtë mënyrë identifikohet me Izraelin e vuajtur, me njerëzimin që vuan nga “fshehja e Zotit”, mbart mbi vete klithmën e këtij njerëzimi, tërë nevojën e tij për ndihmë dhe me këtë njëkohësisht e shndërron atë.
Psalmi 22, siç vumë rë, depërton në gjithë tregimin e mundimeve dhe shkon përtej tyre. Poshtërimi publik, përqeshja, tundja e kokës nga ana e tallësve, dhimbjet, etja e tmerrshme, shpimi i duarve dhe i këmbëve, shorti i petkave, i tërë mundimi, në këtë psalm është si një tregim paraprak. Por ndërsa Jezusi shqipton fjalët e para të psalmit, është aty e pranishme, në tërë këtë lutje madheshtore, edhe siguria se do të dëgjohet, gjë që do të shfaqet në ngjalljen, në formimin e “popullit të madh dhe në heqjen e urisë së të varfërve” (khs. nga vargu 25 e tutje). Klithma e mundimit të skajshëm është njëkohësisht siguria e përgjigjes hyjnore, siguria e shpëtimit, jo vetëm për Jezusin, por për “shumë e shumë”.
Në teologjinë më të fundit janë bërë shumë përpjekje për të depërtuar, duke u bazuar te kjo britmë ankthi e Jezusit, në thellësitë e shpirtit të tij; për të kuptuar misterin e personit të tij në vuajtjen e skajmshe. Të gjitha këto përpjekje, në fund fare, karakterizohen nga një qasje e kufizuar dhe individualiste.
Mendoj se Etërit e Kishës, me mënyrën e tyre të të kuptuarit të lutjes së Jezusit, i janë afruar shumë më tepër realitetit. Qysh te lutësit e Besëlidhjes së Vjetër, fjalët e psalmeve nuk u përkasin individëve të veçantë të mbyllur në vetvete. S’ka dyshim se janë fjalë shumë vetjake, të zhvilluara ë luftën me Zotin, por janë fjalë të cilave u bashkohen në lutje të gjithë të drejtët që vuajnë, i gjithë Izraelit, i tërë njerëzimi në luftë, prandaj këto psalmë përfshijnë gjithmonë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ato janë aty në të tashmën e vuajtjes, por megjithatë e mbartin në vetvete dhuratën e të qenit të dëgjuar, të transformimit.
Këtë figurë bazë që në studimet më të fundit quhet “personalitet përmbledhës” (corporate personality), Etërit e Kishës e kanë pranuar dhe thelluar duke u nisur nga besimi i tyre në Krishtin: te pslamet, thotë Augustini, është Krishti që lutet njëkohësisht si Kreu dhe Trupi (khs. En. In Ps., 60, Is; 61, 4;85, 1-5). Lutet si “Kreu”, si ai që i bashkon të gjithë në një subjekt të përbashkët dhe na pranon të gjithë në vetveten. Lutet si “Trupi” do të thotë se lufta e të gjithë neve, zërat tanë, mundimi dhe shpresa jonë janë të pranishme. Ne vetë jemi lutësit në këtë Psalm, por tani në një mënyrë krejtësisht të re, të bashkuar me Krishtin. Duke u nisur nga Krishti, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë përherë të bashkuara.
Sot ndodhemi rishtas në humnerën e vuajtjes. Por gjithmonë, edhe ngjallja, edhe dëgjimi i të varfërve, ndodhin në të sotmen. Një këndvështrim i tillë nuk fshin asnjë nga tmerret e mundimeve të Krishtit. Përkundrazi, shton ai, sepse nuk është thjesht individual, por mbart në vetvete mundimin e të gjithë neve. Vuajtja e Krishtit është njëkohësisht mesianike, vuajtje në bashkim me ne, për në; një të qenë meqë buron nga dashuria e në këtë mënyrë sjell shëlbimin, fitoren e dashurisë.
Libri: Jesus of Nazareth: Holy Week: From the Entrance into Jerusalem to the Resurrection; poashtu gjendet i përkthyer në shqip.






